Vrasja e ish-policit, autorët kishin instaluar kamera në rrugë
Zbardhen të tjera detaje në lidhje me vrasjen e ish-policit, Arben Bilali, tri ditë më parë në zonën e Selitës.
Policia ka bërë sekuestrimin e të gjitha kamerave të vendosura në rrugicën ku u krye krimi.
Por ajo që ka bërë përshtypje te grupi hetues është një kamera e cila deri më tani nuk ka pronar.
Kjo ka lindur dyshimin te grupi hetues, se nuk ishte vetëm Bilali që ruhej nga persona të jashtëm, por ka pasur edhe një kamera survejimi që ruante lëvizjet e tij.
Familja Bilali, për shkak të hasmërive të vjetra, kishte kohë që kishte vendosur pranë banesës kamera sigurie.
Arben Bilali lëvizte shumë rrallë nga banesa.
Duket se kjo kamera e cila monitorohet nëpërmjet celularit apo lap topit, ka shërbyer për të dekonspiruar lëvizjet e viktimës dhe ekzekutimin e tij.
Policia nuk ka mundur të gjejë asgjë për këtë kamera, edhe pse ndodhej në pikën më strategjike të rrugës.
Arben Bilali, ishte vëllai i tretë që ekzekutohet, ndërsa ka edhe një vëlla të katërt.