Nga Bozidar Prosenjak, Shkrimtar
Zagreb, 18 Mars 2019
Romani KREUZTANNE – Udhëkryqi , shkruar nga shkrimtari, piktori dhe fotografi shqiptar Fate Velaj, u përkthye në kroatisht nga gjermanishtja nga Boris Peric dhe u vendios qysh në fillim tek kolana prestigjioze e bibliotekës Alfa, tek „Dobra prosa“ ose “prozë e Mirë” duke i dhënë kështu publikut lexues kroat, veçanërisht për njohësit e zhvillimeve të mundësive letrare kroato-shqiptare të epokës/kohës të re, privilegjin të njihen me këtë autor tejet interesant dhe veprën e tij shumëpalëshe.
Fate Velaj si person dhe romani i tij „Udhëkryq“ si vepër, me paraqitjen e tyre, provokojnë kureshtje. Jam mëse i bindur se lexuesi vendas do të ketë rastin të krahasojë veçoritë (ngjashmëritë dhe dallimet) e letërsisë kroate dhe asaj shqipe, si dhe të zbulojë rreth arritjeve të prozës shqipe të kohëve të fundit.
Shfaqja e këtij libri, me siguri do të ketë një jehonë të caktuar për lexuesit, brenda dhe matanë kufijve e mjediseve letrare të Ballkanit të cilët, autorët e kërij rajoni, shpesh i perceptojnë si një masë të padallueshme, gati amorfe e me efekt të paqartë. Në domenin e kulturës dhe artit të gjuhëve të mëdha botërore (është fjala për popujt të mëdhenj në numër – anglisht, gjermanisht, frëngjisht, rusisht … – mbizotëron mendimi i zaknoshëm se, “lepuri i madh mund të dalë vetëm nga një shkurre e madhe”. Kështu, nga literatura e të ashtuquajturve popuj të vegjël, nuk pritet që dalja e një vepre të tërheqë aq shumë vëmendjen e publikut të gjerë.
Prandaj, surprizat e kënaqshme janë edhe më të mirëseardhura.
Romani i Fate Velajt „Udhëkryq“ është një tregim për jetën e një emigranti të ri shqiptar që kërkon vendin e tij nën diell, në Austri. Ndoshta është kjo, në kuptimin më të mirë një histori evropiane – përgjigje e ofruar për pyetjen ende të hapur të civilizimit për të arritur forcën kohezive brenda komunitetit të kombeve evropiane (Evropës së Bashkuar). Si një shqiptar, i cili është me zemër, më saktë me rrënjë i lidhur pazgjidhshmërisht me atdheun e tij Shqipërinë, mundet në të njëjtën kohë të jetë jo vetëm funksionale, por një pjesëtar i dedikuar me shpirt i komunitetit të ri shoqëror dhe politik, ku ai gjeti shtëpinë e tij të re, gjuhën e të cilit, kulturën dhe ligjet i ka pranuar me respekt të plotë si të tijat.
Romanet për emigrantët shpesh flasin për jetën e vështirë që kalojnë dhe për vuajtjet që ata përjetojnë, të ndarë nga vendi i tyre i lindjes, duke u ndjerë përgjithmonë të huaj në atë pjesë tjetër të botës. Dhe ja çudia, ky roman, në të vërtetë, duke mos fshehur dhimbjen dhe lotët, sepse nëna e tjetrit nuk është nëna jote, nuk ngjan aspak me të parët. E kundërta, personazhi kryesor është njeri që e ka qetësuar zemrën duke gjetur qetësi në tokë të huaj – pa e humbur vetveten. Njeriu që ka gjetur atdheun autentik në shpirtin e vet. Dhe kjo është me të vërtetë diçka e re.
Romani është shkruar realisht. Në mënyrë të veçantë, shkrimtari i jep detajet kaq hollësisht sa që lexuesi ndonjëherë ka ndjenjën se faktet do të përdoren si dëshmi në ndonjë proces gjyqësor në të ardhmen.
Aftësia/mjeshtria e tregimtarit, megjithatë, qëndron në faktin se, pavarësisht renditjes së shumë detajeve dhe në anën tjetër të një pritjeje të mundshme, proza nuk tingëllon aspak e lodhshme. Dhe sa më shumë që lexuesi i afrohet fundit të romanit, është më i lehtë dhe tërheqës bëhet nga faqja në faqe, kështu që pothuajse të vjen keq që gjendesh në përfundim të tregimit.
Përfundimit, apo pritjes së vazhdimit?
Romani është konceptuar kronologjikisht, që nga ardhja e të riut shqiptar në një mjedis të ri, në një vend gjuhën e të cilit nuk e njeh, zakonet e të cilit nuk e di, ligjet e të cilit jo gjithmonë janë të favorshme për punëtorët e huaj dhe në raste të ndryshme ka keqkuptime dhe konflikte midis njerëzve të kombësive të ndryshme, por edhe në nivel emigrantësh dhe vendasish.
Karakteri kryesor i romanit, duke portretizuar historinë e tij në vetë të parë, në këtë luftë të mbijetesës totale është një ndryshim i rëndësishëm në krahasim me shumë të tjerë të cilët e shohin integrimin e tyre në një mjedis të ri thjeshtë duke refuzuar autenticitetin e tyre dhe pranimin e të resë, duke përdorur pa kritere morale privilegjet që ofron shoqëria e re. Pra, ata në fakt bëhen trupi i huaj i asaj shoqërie dhe kudo që munden – refuzojnë ose shmangin zakonet, detyrimet dhe ligjet, më saktë, edhe një shoqëri që ofron mikpritje, ata nuk e pranojnë vërtet.
Nga ana tjetër, personazhi kryesor, i ringjallur në personin autor i librit, është i kthyer dhe bashkangjitur vlerave themelore që solli nga vendi i tij, duke e pasuruar kështu mjedisin e ri. Nëse ekziston lehtësi në leximin e këtij romani, atëherë ajo nuk qëndron në komplotin intrigues të veprimit, por qëndron në të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë është në shërbim ose, më mirë të thuhet, në mbrojtje të jetës. Le të marrim shembullin, ndoshta fragmentin më të ndjerë dhe më dramatik, në të cilin autori përshkruan humbjen e fëmijës së tij gjatë lindjes. Të përjetuarit e thellë, si dhe seria/vargu psikologjik i ndërthurur filigranisht, gjatë kësaj ngjarjeje mund të jetë pika më e ulët e ekzistencës së figurës kryesore në mjedisin e ri.
Momenti, kur ai prek fundin e fundit. Por këtu, më në fund, del në pah ose kapitalizohet angazhimi ndaj virtyteve njerëzore që personazhi kryesor ka përqafuar/kuruar gjithë jetën e tij, sepse familja e tij e re nuk është më vetëm, por e rrethuar nga miqtë e tij austriakë.
Dhe kjo po e kthen sërish në jetë. Në të njëjtën kohë mbyllet unaza e integrimit. Njeriu i cili është duke u përpjekur të jetë i sinqertë dhe i drejtë, i rrethuar nga të njëjtit njerëz si ai, pavarësisht kombësisë, tregohet si floriri dhe mbi të, diamanti. Që nga ai çast, fillon rritja reale e familjes shqiptare në shoqërinë austriake. Besimi, miqësia, besnikëria, dashuria nuk kanë kufi.
Dhe i ardhuri, nuk është më i huaj. Është artisti ose siç e quajn tashmë austriakët „Herr Künstler“ mbasi, afirmimi i tij i mëtejshëm realizohet natyrshëm, bazuar në aftësitë dhe talentet që disponon dhe i vë në shërbim në mjedisin e ri.
Në gjurmët e këtyre vëzhgimeve është e mirë të shihet me kujdes titulli i këtij romani. Pavarësisht nga fjala „Udhekryq“, të shfaqet ideja si një pikëpamje gjeografike – pamje e udhëkryqeve të shtigjeve nga të cilat vjen ose shkon secili prej nesh në drejtime të ndryshme. Por të ndalesh në kryqëzim/udhëkryq do të thotë të gjendesh në vendin e vendimit.
Në ç’drejtim shkohet? Sepse hapi i parë, vendos për të tjerët. Kështu është edhe në shpirtin ose zemrën e njeriut. Udhëkryqi ndodh tek të gjithë ne. Ne të gjithë udhëtojmë deri në një pikë ku duhet të merret vendimi. Vendimi fshin të drejtën/fatin fatal. Për shumë njerëz, fati është jeta, sepse në udhëkryqin kryesor ata nuk morrën vendimin e duhur. Ndërsa Romani i Fate Velajt është një konfrontim me vendimin. Këtu më shfaqet intensivisht një pamje nga vendlindja ime, Podravina. Burrat e mençur, në dukje primitivë, që punonin në fushë, dinin të thoshin: “Nëse duhet, pështyje veten në fytyrë, por mbaje atë gjithnjë të pastër!”
Evropa ka shumë të mësojë nga kombet e vogjël, dhe anasjelltas. Romani „Udhekryqi“ i Fate Velajt do të surprizojë shumë me thellësinë e tij, por për këtë thellësi, duhet të rritesh / përgatitesh.
Për fat të keq, ka shumë që nuk janë në gjendje të marrin frymë në këto thellësi. Atyre iu takon sipërfaqja.
Të tillë sot godasin me shkopinj nëpër shkurre të mëdha (vende dhe popuj më gjuhë të mëdha) se si të mund të nxirrnin prej aty, lepurin e madh, por lepuri, nganjëherë, kërcen nga shkurrja e vogël dhe romani Kreuztanne i Fate Velaj është dëshmia më e mirë për këtë.
Shkrimtari Fate Velaj, me romani i tij, ndriçoi nderin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë.
Për të shpresuar se do ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.