Përpara largimit nga Shqipëria, për një udhëtim në Itali kryeministri Edi Rama nga Kuvendi ka thënë protesta nuk është protestë popullore, por një protestë e opozitës si rezultat i humbjes së shikimit të opozitës.
Edi Rama: E mora fjalën sepse duhet të largohem për të shkuar matanë detit dhe për të shpjeguar për publikun e vendit fqinj të Italisë, se ç’ka lajmet kanë shfaqur me ato pamjet shqetësuese, nuk është protestë popullore por reagim brenda pallatit të politikës nga ajo pjesë e tërësisë së përfaqësisë politike të popullit shqiptar që nuk pati sensin e realitetit dhe të reflektimit mbi vetveten në radhë të parë. Ajo që ndodh sot është vijimi i një rruge pa krye, ku e vetmja gjë e re është një vendim politikisht vetëvrasës i opozitës, si rezultat i humbjes së plotë të shikimit mbi vetveten dhe mbi Shqipërinë.
Jemi në kushtet e një sezoni të ri, të një seriali të njohur. Nuk e keni të vështirë t’i bëni një thirrje të shpejtë kujtesës për situatën ekzaktësisht dy vite më parë, në këtë periudhë kur në Bulevard u ngrit një çadër dhe nga ajo çadër nisi rrugëtimi për Republikën e Re me kushtin e panegociueshëm pa Edi Ramën kryeministër dhe tranzitore për të garantuar zgjedhjet sipas dëshirës së atyre që sot janë larguar përfundimisht nga ky parlament. Ne vumë interesin e vendit mbi interesin e ngushtë politik, faktikisht bëmë një hap të panjohur në historinë e konflikteve politike në Shqipëri duke i vënë në dispozicion opozitës gjithë ato që kërkuan, edhe duke marrë mbi vete pakënaqësinë e pjesës dërrmuese të mbështetësve tanë.
Duke akuzuar opozitën se është pa ide dhe se zgjedhjet i fitoi pa asnjë kontestim, Rama foli dhe për krijimin e opozitës së re.
Edi Rama: Një grusht njerëzit pa ide, pa asnjë program, pa asnjë sens përgjegjësie për të përfaqësuar ata që i sollën këtu jo për muskuj e për të dhënë shfaqje të shëmtuara në raport me etikën dhe mirësjelljen, na tërhoqën shpesh herë në batakun e tyre dhe shpesh herë u bëmë pjesë e atij bataku. E gjitha degradoi, në një situatë të papranueshme nga asnjë aspekt, i asnjë norme bashkëjetese demokratike mes palëve të kundërta. Sot jemi këtu, në kushtet kur janë larguar. Një pjesë tjetër e opozitës ka zgjedhur dhe po zgjedhin të zënë vendet e tyre në Parlament, është e drejta e tyre dhe mënyra se si e shohin përgjegjësinë ndaj zgjedhësve.
Sa i përket deputetëve të opozitës që dogjën mandatet, Rama tha se ata duhet të përgjigjen përpara zgjedhësve të tyre. Sipas kryeministrit protesta financohet nga grupe interesash që janë mundur në luftën për të bërë shtet, që nga grupi i financimit të bixhozit e grupet e tjera me radhë.
Edi Rama: Çfarë do të ndodhë me ata që janë jashtë, është pyetje që duhet t’ua bëjnë zgjedhësit e tyre. Ne kemi këtu për të kryer punën tonë. Ky Parlament është vendi ku na kanë sjellë shumica e shqiptarëve dhe na kanë dhënë detyrën të qeverisim deri në vitin 2021 dhe mandati ynë nuk është letër bixhozi, me mandatin nuk luajmë bixhoz siç luajnë ata, ku pas tyre janë grupe interesash që janë mundur në luftën tonë për të bërë shtet, që nga grupi i financimit të bixhozit e grupet e tjera me radhë. Kanë të drejtë, të revoltohen kundër qeverisë, nuk është e rastit se një i humbur i madh me miliona euro rrinte përkrah liderit historik të PD-së duke inkurajuar njerëzit t’i hidheshin policisë./opinion.al