Nga Fejzi Lila
Historia politike e viteve të fundit sjell mjaf raste të luftës mes mbrojtësve të parimeve të lirisë e të demokracisë, të organizimit shtetëror – parlamentarizmit dhe kundërshtarëve të këtij regjimi. Qëndrimet politike demostrojnë anët politike të kësaj lufte. Krahas subjekteve politike që shpallin veten mbrojtëse të shtetit parlamentar dhe të një politike të brendshme ballancuese, ku përgjithësisht spikasin liberalët e demokratët, egzistojnë edhe subjekte që e shtrojnë problemin e shtetit në fushën revolucionare. Këto parti e të dyja skajeve të djadhtë e të majtë identifikohen si “katilinarët” (Lucius Sergius Catilina).
Grusht – shtetasit e së djadhtës i tremben rrezikut të shthurjes së rendit, fajësojnë qeverinë për dobësi, paaftësi e papërgjegjshmëri, mbështesin organizimin e hekurt shtetëror dhe kontroll të rreptë të jetës politike, sociale e ekonomike. Kjo kategori janë për absolutizëm shtetëror, trajtojnë shtetin si idhullin, sigurinë për rendin dhe lirinë e shohin tek shteti centralizues, autoritar, anti-liberal e anti-demokratik. Nën këtë frymë Musolini pohonte se: “Gjithçka në shtet, asgjë jashtë shtetit, asgjë kundër shtetit”.
Grusht – shtetasit e së majtës e së njëjtës periudhë synonin futjen në dorë të shtetit për të vendosur diktaturën e klasës proletare. Si përfaqësues e kësaj klase politike, Lenini pohonte se: “ku ka liri nuk ka shtet”. Këto qasje janë ballafaquar fuqishëm në dekadat e para të shekullit të kaluar deri me përfundimin e Luftës së Ftohtë.
Qartësisht si grusht – shtetasit dhe qeveritë nuk kanë identifikuar qartësisht problemin dhe teknikat moderne të grusht – shtetit e rregullat kryesore të saj. Taktikës revolucionare, qeveritë vijojnë t’i kundërvijnë taktikën mbrojtëse të mosnjohjes absolute të parimeve fillestare mbi marrjen e legjitimimin e pushtetit dhe mbrojtjes së shtetit modern. Referuar po kësaj periudhe, kancelari i Rajhut, Baueri (mars 1920) dha provë që kishte kuptuar se për të mbrojtur shtetin nevojitet të njohësh artin e marrjes së tij. Baueri – konservator gjerman, rridhte nga shtresa e mesme gjermane, i formuar në shkollën marksiste, nuk ngurroi të përdorte grevën e përgjithshme si armë mbrojtëse ndaj shtetit. Formula e Bauerit theksonte se: “Arti i mbrojtjes së shtetit modern rregullohet nga të njëjtat parime që rregullojnë artin e marrjes së tij”.
Në raport me Bauerin kundërshtari i tij francez Fouche nënkuptonte dënimin e metodave klasike policore që përdorin qeveritë në çdo rrethanë dhe kundër çdo rreziku pa bërë dallime mes një trazire, rebelimi, mes një greve dhe një revolucioni, mes një përbetimi parlamentar dhe një barrikade. Apologjia e Fouchesë mbështetej tek metodat e nxitjes, parandalimit ose shtypjes së ç’farëdolloj prishje rendi.
Në kushtet e realitetin e sotëm, në frymë europiane politika qeveritare përkundrejt “katilinarëve” nuk mund të shqyrtohet e gjykohet sipas frymës e metodës së Machiavelit. Në një vend të qytetëruar e demokratik si Anglia e shekullit të kaluar, me organizim shtetëror të fuqishëm demokratik nuk kishte rreziqe revolucioni duke arsyetuar tezën se “revolucionet lindin vetëm prej trazirave”, ndërsa Trocki theksonte se “revolucioni ka po aq gjasa në një vend të qytetëruar e organizuar në mënyrë të fuqishme si Anglia, sa dhe në një vend të kredhur nga anarkia, e shpartalluar nga lufta e fraksioneve politike”. Në këto vende nuk mungonin as njerëzit, rastet e rrethanat por një grusht shteti nuk varet nga kushtet e përgjithshme të vendit dhe nuk varen medoemos vetëm të natyrës politike ose sociale.
Dr. Fejzi Lila Shkenca Politike & Marrëdhënie Ndërkombëtare