Home KRYESORE Liberalizmi, reforma në drejtësi, dhe etosi demokratik

Liberalizmi, reforma në drejtësi, dhe etosi demokratik

Nga Elvis Zaimi Ekspert ligjor

Drejtësia, të cilën John Stuart Mill e ka quajtur “pjesën kryesore, dhe pakrahasimisht më të shenjtën të moralit’ është kriteri më i lartë, mbi bazën e të cilit vijnë nën gjykim të gjitha institucionet e tjera të shoqërisë, vetë struktura themelore e saj, si dhe kushtet e kontekstit politik, ekonomik dhe ligjor që përcaktojnë zhvillimin e një vendi. Liberalizmi pra, si filozofi politike, më tepër sesa i nxjerrë nga parime utilitare ekonomike, pra nga një analizë krahasimtare ndërmjet situatës ekonomike që ka në qendër shtetin me sistemin ekonomik të tregut të lirë, në përfundim të së cilës është bërë zakon të merret qoftë edhe pa verifikim empirik si konkluzion i mirëqenë fakti se tregu, në sajë të efiçencës ekonomike që vjen nga një natyrë njerëzore egosite dhe pa ndjeshmëri morale, është në gjendje që ta promovojë të mirën e përgjithshme në ekonomi shumë më mirë sesa shteti, nëse këtij të fundit i njihet roli drejtues në të, para së gjithash përfaqëson një doktrinë morale të lidhur pazgjidhshmërisht me vetë konceptin e drejtësisë, të kuptuar jo si një mjet i përdorshëm për të shkuar tek liria dhe demokracia (Friedman), por si një qëllim në vetvete, që u paraprin të gjithë qëllimeve të tjera.Është rasti pra të flasim për “liberalizmin deontologjik” ose për “liberalizmin republikan”, I cili njeh për të vlefshëm vetëm interesat individuale dhe veprimet moralisht të drejta, dhe ku vetë drejtësia është rregullatori i çdo institucioni shoqëror, pra I çdo interesi politik dhe ekonomik të pranishëm apo të organizuar në shoqëri. Është fakt historik i mirënjohur se procesi i zhvillimit të së drejtës private në Evropën Perëndimore, d.m.th miratimi i Kodeve Civile dhe kushtetutave kombëtare shtetformuese, që nga zanafilla e tij ka mbajtur vulën e frymëzimit të filozofisë politike liberale. Kjo e fundit nuk i ka dhënë thjesht përparësi lirive individuale, por rregullimit ligjor të tyre, ku liria individuale ka gjetur pajtimin e arsyeshëm më vlerën etikë të së mirës, duke u harmonizuar me interesin publik.Shoqëritë perëndimore janë shoqëri të bazuara në të drejtën private, tek kontrata dhe marrëdhëniet e besimit, të cilat janë modele që promovojnë një pjesëmarrje aktive në ekonomi dhe në jetën publike të individëve dhe grupeve sociale me interesa nga më larmishmet, madje kontrata dhe marrëdhëniet e besimit janë të përdorura gjerësisht edhe në të drejtën publike siç është rasti I kontratave administrative, apo I “kontratës sociale” mbi bazën e të cilës ka marrë trajtë paradigma teorike e “konsensusit ndajvendosës”, si modeli për të identifikuar, më saktë shpjeguar teorikisht (Raëls) brendinë e hartimit të kushtetutave. Edhe në fushën ekonomike, veçanërisht pas krizës ndërkombëtare financiare 2008-2011, “ekonomia liberale e tregut” gjithmonë e më tepër po i lë vendin “ekonomisë së koordinuar të tregut” ku institucionet rregullatore jo vetëm rregullojnë por edhe janë të rregulluara, d.m.th I nënshtrohen një regjimi të rreptë të llogaridhënies demokratike.Pra, në nivelin e një pohimi përmbledhës të sa u tha më lart mund të thuhet se stabiliteti kushtetues ka nevojë të vazhdueshme për filozofinë politike liberale, e sfiduar nga autoritarizmi politik dhe nga oligarkët ekonomikë.
E vështruar nën dritën e kësaj parashtrese reforma në Drejtësi shpresohet dhe i ka premtuar popullit shqiptar jo vetëm një pushtet gjyqësor më profesional, më të ndershëm dhe më transparent, por edhe një transformim të brendshëm normative të vetë shoqërisë, d.m.th përmirësimin e kushteve që u japin vlerë të gjitha institucioneve të tjera shoqërore si familja, prona private etj, madje të vetë moralitetit themelor të politikës, si edhe të komunikimit, përfshirjes dhe ndërveprimit ndërmjet individëve dhe grupeve të ndryshme në shoqërorinë shqiptare. Nëse do ta arrijë këtë objektiv, atëherë edhe nga këndvështrimi ekonomik, reforma pritet t’i kontribuojë krijimit të një ambienti më të lirë ekonomik, duke rritur qartësinë dhe sigurinë juridike, transparencën dhe konkurrencën e tregut, dhe duke ulur kostot e transaksioneve ekonomiko-financiare. P.sh reformimi i sistemit të rregjistrimit të titujve të pronësisë, i shërben jo vetëm qartësisë dhe sigurisë juridike, si dy vlera kushtetuese të lidhura me gëzimin e qetë të pronës, pra me karakterin statik të pasurisë, por edhe me lehtësimin e kushteve kredituese nga sistemi bankar duke rritur garancitë ligjore të kolateraleve, pra me karakterin dinamik të pasurisë, të aftësisë të saj për të gjëneruar jo vetëm fitime, por edhe pasuri të tjera.
Suksesi i plotë I reformës do të përfaqësohej pra nga ndryshimi I institucioneve shoqërore që mishërojnë forma të caktuara të jetës shoqërore, si dhe i idealeve të veçanta udhërrëfyese të shoqërisë shqiptare, jemi pra para një përpjekje reformuese që adopton një vision Hegelian të shtetit si mishërim I ‘idesë morale”, duke qenë se reforma të paktën ka shpallur për objektiva ‘sublimimin” e interesave konkrete subjektive të individëve të ndryshëm me interest abstrakte kolektive, atë demokratik dhe kombëtar.
Për këtë arsye është e parakohshme dhe duhet të bëhet kujdes kur flitet për suksesin e kësaj reforme, duke qenë se, si për çdo reformë tjetër, edhe suksesi I saj do të matet me impaktin që do të ketë në shoqëri, duke e verifikuar këtë impakt në raport me objektivat e deklaruara të saj.
Deri më sot jemi dëshmitarë të suksesit ”negativ”, jobefasues, dhe për këtë arsye edhe të lehtë, të procesit të vettingut, i cili vetëm se formalizoi atë që ishte e ditur për shumicën e popullit shqiptar, se sistemi I drejtësisë ka qenë një sistem ku gëlontë korrupsioni. Racionalja e procedurës së vettingut është ndëshkueshmëria, momenti negative i reformës, sakaq reforma në drejtësi do të përballet me sfida të mëdha muajt dhe vitet që vijnë, me kapacitetet e organeve të qeverisjes së gjyqësorit dhe prokurorisë për të ndërtuar sistemin thelbësisht të ri të drejtësisë. Pamja “poshtëruese” e ofrouar nga vettingi për shumicën e magjistratëve, është në të vërtetë një pamje poshtëruese që e ka e gjithë administrata publike e shtetit shqiptar, madje vetë klasa drejtuese politike, të cilës I mungon klasi, talenti, dhe integriteti për të jetësuar në realitetin shqiptar standartet evropiane.Impakti I reformës nuk mund të matet dhe verifikohet vetëm me rezultatet e procedurës së vetting-ut, por me efiçencën dhe cilësinë e drejtësisë së re.
Përhapja e gjerë e korrupsionit në gjirin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare është e lidhur ngushtë me shkatërrimin e virtyteve qytetare, të asaj psikologjie të shëndoshë shoqërore të ndërtuar mbi marrëdhëniet e besimit, sepse parakushti i kapjes së shtetit është vetë kapja e shoqërisë, e cila pabarazitë dhe padrejtësitë sociale i artikulon si gjykime negative mbi demokracinë dhe tregun. Kjo dukuri e pakënaqësive me “mainstream politics” dhe demokracinë liberale , ndonëse në Shqipëri paraqitet më akute dhe më e thekshme për shkak të korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar, është sot një prirje ndërkombëtare, e ilustruar më së miri nga rasti “Brexit” që përfaqëson revoltën e popullit anglez, në shpirtin e të cilit demokracia ka rrënjë të thella historike, ndaj qeverisjes së ekspertëve të Brukselit. Gjithashtu edhe në ShBA zgjedhja si President e biznesmenit miliarder Donald Trump, ka sjellë shpërqëndrim në kampin e të djathtës. Populizmat nacionale janë sot në ngjitje edhe në vende anëtare të BE-së si Marie Le Pen në Francë, Mateo Salvini në Itali, dhe Victor Urban në Hungari.
Në Shqipëri, rritja e shqetësimit në lidhje me mungesën e rendit publik dhe ndikimit të kriminalitetit të organizuar në jetën publike dhe në ekonomi, përkthehehet në uljen e besimit në metodën demokratike të qeverisjes, në nostaligjinë për “liderin e fortë” Enver Hoxha, duke rrënuar vetë marrëdhëniet e besimit ndërmjet qytetarëve dhe ndërmjet këtyre të fundit dhe institucioneve, siç jemi bërë shpesh dëshmitarë kohët e fundit të rritjes edhe të kriminalitetit për motive të dobëta. Po ashtu, ngjashmërisht, rritja e pabarazive sociale dhe e korrupsionit ekonomik ka sjellë uljen e besimit tek tregu. Mbështetja për demokracinë pra është reflektim i pritshmërive të popullit shqiptar për qeverisjen që kjo e fundit nuk i ka justifikuar në tre dekada të pluralizmit politik, në mënyrë që kjo e fundit, pavarësisht se cila forcë politike është në drejtimin e vendit, të arrijë të sigurojë një nivel të sigurisë publike dhe performancës ekonomike të krahasueshëm me Evropën. Me konstituimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë fillon procesi I ri I përvijimit të një drejtësie me fytyrë të re perëndimore.Kemi kaluar nga faza “mohuese”, ajo e nxjerrjes jashtë sistemit të magjistratëve të korruptuar, në fazën “konstruktive”, ajo e rindërtimit sistematik të një drejtësie të re, dhe kjo do të jetë një sprovë ndoshta më pak spektakulare, por më e vështirë dhe profesionale sesa ajo e vettingut, duke mbajtur në konsideratë edhe një seri dështimesh historike kombëtare në aftësinë tonë për t’u vetëqeverisur.
Si hap i parë në këtë drejtim do të duhet të ishte insulimi “socio-politik” I gjyqësorit dhe prokurorisë, pra Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë I Prokurorisë do të duhet të synonin ‘neutralitetin” e gjyqësorit dhe prokurorisë shqiptare, duke i izoluar këto pushtete nga çdo ndikim shoqëror dhe politik i papërshtatshëm që vjen nga “ambienti i jashtëm ku operon gjyqësori”, me synimin për t’i bërë gjyqtarët, në përputhje me përcaktimet kushtetuese, të varura vetëm nga ligji dhe të orientuara vetëm nga përkushtimi professional. Këshilli I Lartë Gjyqësor do të duhet të adresojë të gjithë faktorët strukturorë, shoqërorë, ekonomikë dhe personalë që cënojnë integritetin dhe pavarësinë jo vetëm institucionale, por edhe personale të gjyqtarëve, të cituar në Opinionin Nr.21 të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë.
Përzgjedhja, emërimi dhe zhvillimi i karrierës së gjyqtarëve duhet të jetë transparent për publikut, i bazuar vetëm mbi kritere meritokratike dhe objective, ndërkohë që pavarësia e gjyqtarit duhet të jetë e garantuar në të gjitha fazat e zhvillimit të karrierës së tyre, duke përfshirë trajnimet, vlerësimin e performancës dhe përgjegjësinë disiplinore.Gjithashtu procedura e vettingut neglizhoi, ndonëse ishte e parashikuar me ligj si një nga tre shtyllat ku mbështetej rivlerësimi, edhe aftësitë profesionale të magjistratëve.Sidoqoftë, është i padiskutueshëm fakti se cilësia e vendimeve gjyqësore jo vetëm lë për të dëshiruar, por edhe është një mangësi që lidhet drejtpërdrejt me vetë integritetin, ose aftësinë e gjyqësorit për t’I bërë ballë faktorëve që çojnë drejt korrupsionit. Një vendim gjyqësor që përmban elementët e qenësishëm të identifikuar në opinionin Nr.11/2008 të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë, i arsyetuar qartë dhe në mënyrë analitike, ku gjyqtari është shprehur me qartësi për argumentat ligjore si dhe pasi ka bërë vlerësimin e duhur dhe korrekt të provave që e bëjnë të ligjshme dhe të themeltë vendimarrjen e tij, është edhe garancia se në faktet e çështjes është bërë drejtësi, janë respektuar kërkesat e procesit të rregullt ligjor në bazë të nenit 6 të KEDNJ dhe parimet e shpalluara nga Gjykata e Strasburgut, ndërkohë që vetë vendimi do të ketë impact pozitiv në bërjen e drejtësisë jo vetëm ndërmjet palëve, por do t’i shërbente kohezionit të një shoqërie të ndjeshme dhe te frymëzuar nga Drejtësia.
Pra racionalja e ndëshkueshmërisë të “vetting-ut” tashmë është radha të zëvendësohet me racionalen e krijimit dhe konsolidimit të kulturës së integritetit, profesionalizmit dhe transparences së magjistratëve, që do të duhet të jetësojnë politikat e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Share: