Sa e dua unë Shqiëprinë?!
Nga Mirilda Tili
Kjo është pyetja që më ka torturuar prej kohësh, por sot më gjuajti më fort. Aq sa edhe kur guxova të shkruaj për të, më dhembi. Në një kafe miqsh shqiptaro – japoneze, më saktë tre cifte shqiptaro japoneze, rezultoi që ne, pala shqiptare donim më shumë Japoninë se Shqipërinë. Ndërkohë që na “rezultoi” se japonezët e duan më shumë Shqipërinë. Ndoshta për shkak të kësaj dashurie ata vazhdojnë të qëndrojnë këtu.
Po mendoja seriozisht se ku i buron kjo dashuri Hiros tim e Yunës time, po ashtu edhe mikeshave japoneze që jetojnë në Tiranë. Duke kërkuar për të gjetur arsyet e tyre, në fakt kuptova të miat. Kuptova pse unë jam kaq shumë e lodhur. Përse më duket shumë më e lehtë të sfidoj veten time në një gjuhë të re, me njerëz të rinj dhe komplet sistem të ri. Përse me duket shumë më normale që në të 40 e mia të filloj nga zero diku tjetër dhe kjo moshë mos të më kapë në Shqipëri?!
Epo ja… unë vazhdoj të trembem sa herë coj vajzën në shkollë, sepse gjithë dimrin fëmijët nuk e hoqën xhupin edhe në klasë, sepse rrjeti nuk përballonte ngarkesën e mjeteve ngrohëse. Trembem sepse shkolla nuk ka roje dhe zemra fillon e rreh normalisht vetëm kur e di që vajza ka mbërritur në Shqipëri. Por nga ana tjetër nuk pretendoj edhe aq shumë siguri, kur në mes të ditës me diell vidhet në mes të aeroportit, i cili është jo vetëm objekt i sgurisë të lartë, por edhe objekt i cili „ha“ 2,5 mln euro në vit vetëm për sigurinë.
Pastaj vazhdoj të sfidohem në vendin tim dhe të punuarit si robot në Japoni të më duket një zgjidhje optimale, sepse çdo rast vjedhje, vdekje, perdhunimi, ekzekutimi, justifikohen me shprehjen se kwto ndodhin në gjithë botën e më pas të bëhen filma. Pikërisht kjo qasje ndaj ngjarjeve më ka bërë të ndalem. Të ndalem dhe të çuditem në të njëjtën kohë se pse unë kam frikë të qëndroj në vendin tim.
Por nga ana tjetër, sërish nuk e mbledh mendjen që të pres biletën dhe të nisem. Kjo sepse si një njeri me një dëshirë patologjike për të invesstuar qëndroj këtu.
Vazhdoj të mendoj që një gazetari e mirë, do të na bëjë qytetarë më reflektues. Pavarësisht sfidave që më dalin para dhe shpesh e gjej veten më dëshirën për tu dorëzuar, vazhdoj të qëndroj.
Dhe sikur të mos mjaftojë që e di shumë mirë që bizneset e huaja nuk i afrohen Shqipërisë për shkak të ndryshimeve në paketën fiskale disa herë në vit, çka nuk lejon asnjë biznesë të ndërtojë biznes plan, (nuk përfshijmë këtu nivelin e lartë të korrupsionit apo mungesën e garës), unë vazhdoj të investoj. Vazhdoj të mbytem në gjoba tatimore, sepse asnjëherë nuk e di se kur bën rinovim bilancësh drejoria e Tatimeve dhe unë jam me vonesë për çështje orësh. Dhe unë vazhdoj të investoj.
Të paguaj taksa me shpresën se jam duke kontribuar në ekonominë e këtij vendi.
Por jo… në të gjitha shprehjet e dashurisë që unë kam, fjalia „E dua dreqin“ me del nga shpirti. Emocionohem sa herë që femiëjt e mi thonë që janë edhe shqiptarë.
Si dhe më emocionojnë përpjekjet e sinqerta të disa shqiptarëve të mirë, që njësoj si unë besojnë që një ditë „do të bëhemi“. Lutem të Shqipërinë të „bërë“ ta shoh e ta ndjej vetë, këtu në vendin tim, para se koka të më zbardhet plotëisht dhe jo nga linjda e largët. Ta shoh nëpërmjet fotove e videove, apo kur të vij si emigrante në vendin tim, ku një nga arsyet e vizitës të jete rregullimi i dhembëve.