Home KRYESORE E mori dreqi! Të lindurit vajzë; për shqiptarët ende shihet si dita...

E mori dreqi! Të lindurit vajzë; për shqiptarët ende shihet si dita e kjameti…

Nga Leonora Laci

Sot e gjeta vetën përballë ca shkrimesh aty-këtu të papërfunduar. Ndjeva keqardhje që kriza politike më ka infektuar. Edhe pse, bojkotova lajmet, shtypin e përditshëm, sepse më dukeshin sikur më udhëzonin drejt një grope të madhe që s’do të dilja dot, por prap se prap nuk shpëtova plotësisht.

Librat dhe projektet që kam më kanë dhanë një dorë për të mos humbur vetën, mendimet rreth se ardhmes munden aktualen pjesërisht.

Copëzave të mendimeve i erdh momenti të përpunoheshin, këto copëza mendimesh, jo pak shqetësuese, që hidhëruan deri dhe kafen e mengjeseve, më shtynë në reflektime në emër të shoqërisë, se në emrin tim po e po. Më ngjanë shpesh herë sikur Shqipërisë i janë stacionuar vitet e diç po presin por nuk e dinë se çfarë. Nuk dua ta ha turpin me bukë, siç bënë një pjesë e shoqërisë.

Njëri shqetësim; reagimi i shoqërisë në përgjithësi kur marrin vesht që do të lind një vajzë, dhe shqetësimi tjetër; skllavëria bashkohore- rrjetet sociale tek ne, këto të dyja nuk kanë lidhje me njera-tjetrën, vetëm kanë të përbashkët shqetësimin tim.

Të lindurit vajzë; për shqiptarët ende shihet si dita e kjameti, hidhërohen, idhnohen, shmangen, tremben. Sa e sa herë i kam dëgjuar shprehjet- “femra ështe darka e dreqit”, “që kur lind vajzë qajnë dhe trarët”, dreqi e mori deri kur kështu?!
Por sot këto shprehje më duken klishe dhe duhet thjesht t’i perkasin së kaluarës për ne, ku perceptimi mbi sjelljen në jetë të një fëmije, pavarësisht gjinisë, duhet të jetë vetëm bekim.

Ende moshat e mesme dhe të vjetrit vazhdojnë avazin kur marrin lajmin që është vajzë. Dikush duhet të guxojë të thotë me krenari e me zërin lartë se ështe vajzë, bekim i Zotit, dhe për hir të deshirave të shqiptarëve gjinia nuk ndryshohet. Është bebe-vajzë, një engjell i vogël. Duhet te jetë lajmi më i bukur, më i magjishmi, më shpresëdhënësi për një botë me ngjyra. Duhet të jetë…. Vite kanë kaluar por duket sikur mentaliteti i një pjesë të shoqërisë ka stopuar.

Këtë të vertetë të hidhur që përpiqem ta luftojë çdo ditë e të përcjelli tek të tjerët se femrat para se të jenë nëna, të jenë femra të forta, para se ta shohin mashkullin si shpëtim, le të behen shpetimtare të vehtës së tyre, para se të shihen si object, të shihen si potencial mendor, përpara se të gjykohen, të dëgjohen, përpara se të përfliten, t’i jepet merita që e kanë.

Femra…Femra është uji që vë mullinjt në punë, është zjarri, është jeta, është melodia e këngës që krijohet. Një femër s’ka nevojë të quhet burrnesh as t’i vishet një emërtim i tillë. Është femër dhe të pranohet si e tille pa e krahasuar me mashkullin. Femrën, njeriun pa te cilin shoqëri nuk do riprodhohej, nuk do te ketë embëlsi.

Paramendo një botë plote meshkuj, vrazhdësia e tyre do nxinte dhe qiellin jo me njeriun, ndersa femra si dielli pas shiut ndryshon gjithcka, thyen rregullat, ndryshon qendrime, zbut shikime, zbut zemra, sjell pranveren.

Por deri kur do te perballemi me fytyra te trishta që lindjen e një bebeje vajze nuk e konsiderojnë si një gezim aq të madh sa lindja e një djali?!

Me duket kaq ofenduese ekzistenca e hidhërimit pse qenka vajzë.

Jo vetem hidhërimi që më duket ofendues por dhe perpjekja e tyre ta përmbajnë vehten sikur s’kanë nga ia mbajnë, duan të justifikohen se nuk është se e kanë problem ketë, por s’do kenaqin dot të tjerët. Duam respekt, jo keqardhje ! Si mund ta bëjmë Shqiperinë kur ende s’jemi në gjendje të zhbëjmë keto mentalitete që nuk na sjellin asnje dobi, as nuk mbrojnë familjen, por veç nxisin paragjykimet ndaj femrave.

Shqetesimi tjetër që ndryshe nga e para që na takon ne shqiptarëve, e dyta është internacionale, ndikimi i rrjeteve sociale në formimin tonë.

Rrjetat… Rrjetet sociale të mberthejnë në skllaverinë bashkohore.

Rrjetat sociale tashmë krijojnë protesta nga hiqi, krijojnë heronj, krijojnë parti, lidera, krijojnë famë për mirë apo për keq, nxisin urrejtje, e here-here edhe paqe, krijojnë perceptime mbi te bukuren. Rrjetat sociale bejnë reklama e antireklama.

Në rrjete sociale i urojmë ditëlindjen gjithkujt, por nuk ia festojmë askujt. Në rrjete sociale shprehim dashuri që s’kanë ekzistuar kurrë. I bëjmë dedikime prindërve ku ata vetë as nuk i lexojnë sepse rrjete sociale s’perdorin. I bëjmë lajka njerëzve e genjejmë vehten, e kur rrugët na përplasin krah nderrojmë. Informohemi shpejt, e po aq shpejt perhapet e hahet dhe dezinformimi.

Denigrojmë njerëz, disave i ndreqim imazhin, shpikim heronj aty ku s’ka, e gjykojmë të tjerë pa e ditur aspak të vertetën. Jemi miq të të gjithëve e shok i askujt. Jemi në mbeshtetje të kauzave madhore por luajmë vetëm gishtin. Në facebook hiqemi si perfekt por jemi kaq joperfekt sa dhe perfeksioni është ç’vlerësuar. Japim mendime mbi gjithçka, jemi më te diturit duke shperndarë shprehje filozofesh. Behemi të famshëm brenda nates por pa bërë asnjë veprimtari për ta merituar famen. Ulemi me miq por nuk e nderrojmë asnjë fjalë, chati me gishta duket me zbavites. Shprehja :- “Folsh me gishta”, ka bërë vend seriozisht mes njerëzve.

Qeshim e gajasemi në emoji e perbrenda jemi copë-copë të shkatërruar.

Krijojmë profil që nuk është aspak i joni. Ndjekim modele qe nuk duhen ndjekur. Na shqetësojnë vrasjet që ndodhin në botë, por as që duam t’ja dijmë kur këto ndodhin afër nesh. Nëpër aksidente shpejtojmë të filmojmë dhe as që na bëhet vonë për jetët që po lengojnë, kurioziteti është më i fortë se humaniteti.

Udhëtojmë nëpër botë por chek-ini për të treguar se ku ndodhemi është një mision special, e harrojmë vërtetë të sodisim.
Filtrat në foto po i quajmë art. Jemi kthyer në nje vitrinë dyqani, me të hyrë “blerësi” kupton se imazhi fillestar ishte i gabuar, e i zhgenjyer, kokulur ik. Jemi vetë libra që gjykohemi që nga kopertina. S’do të jetë e largët dita kur dhe ngushëllimet mortore t’i mbyllim me mesazhe, se qokat po e po.

Share: