Home KRYESORE Mbi Thelbin e së Vërtetës, ose Arsyeja dhe Bota

Mbi Thelbin e së Vërtetës, ose Arsyeja dhe Bota

Nga Martin Heidegger

Përktheu Elvis Zaimi

Tema jonë është thelbi I së vërtetës. Çështja e lidhur me thelbin e së vërtetës nuk ka të bëjë me atë nëse e vërteta është e vërtetë në përvojën praktike ose në parashikimet apo përllogaritjet ekonomike, e vërteta e vlerësimit teknik apo nga gjykimi i mprehtë dhe i shëndoshë politik, ose veçanërisht, e vërteta nga kërkimi shkencor apo ajo e kompozicionit artistik, ose edhe madje nga reflektimi I mendueshëm dhe nga besimi tek kultet. Pyetja jonë mbi thelbin e së vërtetës I shpërfill të gjitha këto lloj konsideratash dhe kësodore mbetet vetëm tek një gjë, çfarë është ajo që në përgjithësi e shquan çdo “të vërtetë” si të vërtetë.

Megjithatë, me këtë pyetje mbi thelbin e së vërtetës, a nuk ngjitemi fluturimthi me tepri, më lart se ç’duhet për të humbur në boshësinë e përgjithësimeve, të cilat i marrin të menduarit frymëmarrjen e tij? A nuk del në dritë nga ekstravaganca e pyetjeve të tilla, pathemelësia e çdo filozofie? Të menduarit radikal, ai që është i shkëputur rrënjësisht nga kjo boshësi për t’u kthyer drejt asaj çfarë është faktike në botën e këtushme, duhet sigurisht që në krye të ngulmojë me forcë për vendosjen e të vërtetës faktike, asaj që na jep sot masat dhe qëndrimet kundruall konfuzionit të opinioneve dhe njehsimeve. Përballë kësaj nevoje faktike, çfarë dobie ka pyetja lidhur me thelbin e së vërtëtës, kësilloj pyetjeje “abstrakte” që shpërfill gjithçka që është faktike? A nuk është vetë çështja e thelbit më jothelbësorja dhe më sipërfaqësorja pyetje që mund të ngrihet në lidhje me të vërtetën?

Askush nuk mund t’i shpëtojë qartësisë së dukshme të këtyre konsideratave.Askush nuk mundet lehtësisht ta neglizhojë seriozitetin e tyre detyrues.Por çfarë flet nga brendapërbrenda këtyre vlerësimeve?. “Gjykimi i shëndoshë” nga të menduarit praktik. Ai i bie të njëjtit avaz që e kërkon dobinë rutinore, të dukshme dhe të prekshme, dhe mënishëm sulmon me fjalë ankuese çdo njohje të thelbit të Qenies/qenieve (das Saiende); thelbi I kësaj dijeje për një kohë të gjatë është quajtur filozofi.

Të menduarit praktik ka nevojshmërinë e tij, ai I afirmon të drejtat e tij me armë që i shkojnë veçanërisht përshtat, domethënë duke dëftyer dhe i bërë thirrjenë pretendimet dhe vlerësimet e tij “të vetëdukshmes”. Megjithatë, filozofia nuk mund ta refuzojë kurrë të menduarit praktik sepse ky I fundit është “I shurdhët” ndaj gjuhës së saj, as madje edhe munet ajo të dëshirojë ta bëjë këtë, qëkurse të menduarit praktik është “I verbër” për atë çfarë filozofia vendos paraprakisht si vizion thelbësor.

Për me tepër ne mbetemi brenda mençurisë së të menduarit praktik për aq sa ne e hamendësojmë vetveten se jemi të sigurtë brenda atyre “të vërtetave’ shumëformëshe të veprimit dhe përvojës praktike, hulumtimit, kompoziçionit artistik dhe të besimit. Edhe ne vetë e intensifikojmë qëndresën që e vetëdukshmja paraqet ndaj çdo çështjeje të pasigurtë dhe të dyshimtë.

Në këtë mënyrë, edhe pse të pyesësh disi në lidhje me të vërtetën është e nevojshme, edhe kur e bëjmë këtë, përgjigja e kërkuar është sipas pyetjes në vendosjen e sotme. Ne duam të dimë se cila është situata sot. Ne i bëjmë thirrje qëllimit që duhet vendosur në dhe për historinë e njerëzimit. Ne duam “të vërtetën” faktike. Mirë atëherë-të vërtetën!

Por duke bërë thirrje për “të vërtetën” faktike, tashmë ne duhet të vetëdijësohemi duke ditur se çfarë është një e vërtetë e tillë. Apo e dimë atë nga “ndjenjat” dhe “në një mënyrë të përgjithshme”?

Por a nuk është një njohuri e këtillë “e vagullt” dhe indiferenca jonë në lidhje me të, më shkretane sesa vetë injoranca e tejpashme në lidhje me thelbin e së vërtetës? (Vijon)

Share: