Home KRYESORE I RREZIKUAR EDHE VETË Z. VICTOR HUGO

I RREZIKUAR EDHE VETË Z. VICTOR HUGO

Nga Aurel Plasari

Po i përgjigjem këtu pyetjes, që ia hoqa nga komentet në FB, të mikut V. K.

Po, është e vërtetë sentenca e Victor Hugo-it për të drejtën për kryengritje. Saktësisht ai e formuloi atë kështu: “Parfois, insurrection, c’est resurrection”, d.m.th.: “Nganjëherë kryengritje do të thotë ringjallje”. Në kohët e sotme të drejtën për kryengritje kastat sunduese e kanë fshirë nga kushtetutat. Pse them që e kanë fshirë? Sepse në të vërtetë ajo ka ekzistuar, qoftë edhe një herë të vetme, në një akt kushtetues: në Kushtetutën e vitit I të Revolucionit francez. Neni 35 i saj e sanksiononte atë kështu: “Quand le gouvernement viole les droits du peuple, l’insurrection est, pour le peuple, le plus sacré des droits et le plus indispensable des devoirs.” (“Kur qeveria dhunon të drejtat e popullit, kryengritja është, për popullin, më e shenjta e të drejtave dhe më e domosdoshmja e detyrave”. Shpallja e një të drejte të tillë nënkuptohej qysh në dokumentin që njihet si “Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit” e vitit 1789. Ja si njihej në të e drejta për qëndresë (rezistencë): “Qëllimi i çdo shoqate politike është ruajtja e të drejtave natyrore dhe të paparashkrueshme të Njeriut. Këto të drejta janë liria, prona private, siguria, dhe qëndresa ndaj shtypjes”.

Afërmendsh që neni i përmendur 35, i cili më 1793 sanksiononte të drejtën për kryengritje, ta befason sot mendjen për nga konteksti. Por edhe për nga autorësia. I stërpërgojuari tanimë për dy shekuj, Revolucioni francez, mbasi pati kryer vetë përmbysjen e madhe, nuk ua paskësh hequr të tjerëve të drejtën që ta përmbysnin edhe vetë Revolucionin, madje duke ua sanksionuar atë të drejtë deri në kartën kushtetuese.

Qe Napoleon Bonaparti që më 1810 e zhduku këtë të drejtë. E ke dëgjuar sa lavdërohet “Kodi” i tij emërmadh? E pra në të u fshi e drejta për kryengritje duke sanksionuar madje ndëshkimin e kryengritësve. Pse? Sepse nga “e drejtë për kryengritje” u shndërrua në “krim rebelimi”. Tanimë, simbas “Kodit të Napoleonit”, jo vetëm çdo sulm, por edhe çdo qëndresë e dhunshme ndaj forcave publike do të cilësohej “délit de rebellion”. Kjo ishte gjetja konceptuale: koncepti “kryengritje” fshihej nga fjalori juridik dhe kryengritja pagëzohej me emrin e ri “rebelim”. Falë këtij manipulimi konceptual perandori mund të përndiqte e të hidhte ndër hekura këdo që ia cenonte autoritetin e vet duke krijuar ashtu një sistem policor në shërbim vetjak. Dy organet shtetërore represive, ushtria dhe policia, ishin baza e një pushteti të tillë.

Dy dokumentet e përmendura “revolucionare” janë ndër tri dokumentet që përmenden në Preambulën e Kushtetutës aktuale të Republikës Franceze, mirëpo janë përmendje sa për të larë gojën hartuesit e saj. Jo vetëm në Francë, por edhe në pothuaj të gjitha vendet e vetetiketuara “demokratike”, punët kanë shkuar edhe më keq se në kohën e Napoleonit dhe të “Kodit” të tij emërmadh. Neni 433-10 i Kodit Penal të Republikës Franceze, për shembull, paralajmëron që “provokimi i drejtpërdrejtë për rebelim, i shfaqur nëpërmjet thirrjeve ose fjalimeve publike, qoftë edhe me shkrim dhe të afishuara ose të shpërndara, dënohet me dy muaj burgim dhe 7.500 euro gjobë”. Etj.

Ja kështu, me një truk prej prestidigjatorësh, u zhduk prej kastave sunduese “kryengritja”, duke u zëvendësuar ajo me “rebelimin” e ndëshkueshëm. Mbas kësaj edhe vetë z. Victor Hugo do të ishte i rrezikuar me sentencën e tij të famshme. E ke parasysh se me sa përçmim e ka krijuar ai personazhin e inspektorit të Policisë, Zhaver, qen besnik i të quajturit “ligj” të Kodit të perandorit? Pse e kemi simpatizuar gjithnjë Zhan Valzhanin, e përndjekur ngase vodhi një bukë prej urisë, ndërsa e kemi neveritur Zhaverin? Me aq përçmim e ka trajtuar atë Zhaver të zi shkrimtari sa nuk ka denjuar as ta vrasë, sikundër e kanë të drejtën autorët të vrasin rëndom personazhet e tyre. Ka parapëlqyer që mishërimin e një organi të tillë represiv ta bëjë të vrasë veten duke përfunduar në llumin e ujërave të Senës.

Thelbi: Pavarësisht trukeve juridike të të gjitha kastave sunduese, popujt kanë funksionuar edhe falë një “legjislacioni” të vetin, të brendshëm. Mund të duket “legjislacion” i pashkruar, megjithëkëtë ka qenë ai që ka kushtëzuar paktet mbi të cilat janë ngritur republikat. Nën trusninë e tij janë njohur dhe shpallur ato që quhen tanimë të drejta universale të njeriut. Një mendje e çliruar si z. Victor Hugo e ka ditur bukur mirë këtë. Nuk di të them nëse këto mësohen sot ndër shkollat tona – dhe sa apo si mësohen – për t’ua çliruar mendjen gjithnjë më të rinjve. Hap fjalorët e specialitetit dhe, po të lexosh duke ua vënë mendjen, e dallon vetë që “legal” jo gjithnjë është i barabartë me “legjitim” dhe që “e drejta” jo gjithnjë reduktohet në “ligjin”.

Marre nga faqja ne fb © aurel.plasari

Share: