Home KRYESORE Roli i Imzot Gaspër Thaçit në Pukë, në prag të pavarësisë

Roli i Imzot Gaspër Thaçit në Pukë, në prag të pavarësisë

Nga Leonora Laçi

Artikujt për Pukën të Pater Paulin Margjokajt OFM janë mjaft interesante, madje ai vet lë të kuptohet se ishte një libër për Pukën duke e ndarë dhe në kapituj, aty përfshihen dhe ngjarje të krahinave të tjera në periudhen e pavarësisë së Shqipërisë. Artikujt janë të gjatë dhe gjenden të botuar për herë të parë në Hylli i Dritës përgjatë viteve 2011-2012, përmendim këtu; At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2011, XXXI, nr. 4, f.14-36. –At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2012, XXXII, nr. 1, f.3-11. – At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2012, XXXII, nr. 2, f. 3-23. – At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në Hylli i Dritës, 2012, XXXII, nr. 3, f. 15-26. – At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2012, XXXII, nr. 4, f. 84-102.

Më poshtë janë përshkruar pjesë nga “Kontributi i Pukës për Pamvarsinë e Shqipërisë” dhe kjo gjendet në Hylli i Dritës, 2011, XXXII, nr 4. Pater Paulin Margjokaj shpreh shqetësimin e tij që në parathanje ku shkruan: “Sikurse të tana krahinat tjera të malit e të fushës edhe Puka ka dhanë kontributin e vet nder luftat per liri të Shqipnisë. Megjithëkta shohim se fort rrallë âsht gjetë ndokushi qi e ka çekë ket gjâ. Në poemin kombtar Lahuta e Malsisë njiherë të vetme âsht permendë Puka. Edhe âsht aty ku fantazija e poetit kombtar na paraqet në kangen e 25-të (andej kah faqja e fundit; kjo kangë si diehet, âsht mâ e gjata kangë e mbarë Lahutës), se si dy shtriga, qi gjâ pâ bâ s’kishin lânë nder shtatë bajrakët e Pukës,nisen prej Fushë s’Iballes e duen me shkue per në nji log shtrigash dikund atje kahë Kotorret e Reja. Tue kalue neper ajri, kaluer breshkave, dy shtrigat e Pukës- njana thirret Sutë, tjetra Pasutë, po vênë oroe ke po ishin kapë fyt-a- fyt Ora Malazeze me Zanen e Shqipnisë atje në Rrafsh të Dukagjinit. Me nderhymjen e dy Shtrigave, Ora e Malit të Zi e bjerrë mejdanin, kështuqi ushtrija e Mark Milanit jet pa ndihmen e Orës, e Shqiptarët, të perkrahun prej Zanës, e fitojnë luften.Por neve do të na kishte pasë andja me ndie tue u permendë njerz fatoza apor êmna fisesh e bajrakësh prej krahinës së Pukës. Por asnji herë!(…)

Ai jep detaje të tjera për Lahuten e Malsisë dhe për ngjarjet që pershkruhen aty, por qellim i këtij artikulli është të evidentojë -Rolin e Imzot Gasper Thaçit në ngritjen e flamurit në Pukë. Vazhdon autori në atë që e quan parathënie në faqen 18-19-Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2011, XXXI, nr. 4, – “Por na ndoshta shkuem teper gjatë në ket parathanie. Na kjem të ngushtuem me e bâ ket gjâ, qi kshtu lexuesat e fisit t’im, per të cilët po shkruehet kryekrejet ky liber, t’a kuptojnë se per ç’arsye Puka nuk permendet aspak në Lahutë. Sigurisht edhe nga fisi i Pukës kanë rrâ burrat kur i ka lypë kushtrimi, por per kta nuk ka pasë se kush t’i kallxojë ndoj gjâ poetit. Sepse duhet dijtë se Fishta e ká kalue të shumten e jetës së vet në Shkoder. Ktu ai ka pasë rasë me pvetë dhe famullitarët e Malsisë së Madhe, kû si zonë kufijtare me Mal të Zi, u zhvilluen mâ së fortit luftat per çlirim. Mjesá Puka âsht fort mâ larg. Persá i perket Mirditës, âsht e dijtun qi Fishta në Shkoder ka pasë rasë shpesh herë me bisedue me kapidanat e Mirditës qi banojshin në Shkoder. Nuk âsht per t’u çuditë prandej qi Mirdita të permendet aq shpesh në Lahutë e Puka vetem njiherë, dhe atëherë vetem dy shtriga të saja, e jo njerzit fatoza të bajrakve të Pukës.

Unë me ket liber due të qes në shesh qi edhe nder bajrakë të Pukës janë flijue njerzit dhe kanë vuejtë e janë mundue per liri të Shqipnisë. Por neve si pa dashtë kemi kalue nga ngjarje të Pukës e kemi dalë edhe nder çashtje tjera. “Fjala qet fjalen”-si ka pasë thanë i moçmi. Kujtimet e mija në shkrim e siper shkuen tue u zgjanue. Kjo gjâ shpresoj se nuk ká per të kenë e pa-dobi, pse, sa mâ shumë të shkruehet, aq-e mâ mirë âsht. Mjerisht në mergaten shqiptare po shkruehet e po botohet teper pak. Ky liber, si e thotë titulli, merret vetem me disa ngjarje të historisë shqiptare e nuk don të jetë nji histori komplete. Shkrimi i nji historije nder rrethana të vshtira, në të cilat ndodhet çdo mergimtár, âsht e pamundun, mbasi nuk mund të kemi per dorësh dokumentat e nevojshme, dhe bibliotekat e Prendimit nuk janë aq të pajisuna me libra mbi punët e Shqipnisë. E mandej historija mund të shkruehet vetem nga nji grup personash e jo nga nji njeri i vetem.
(…)

KAPITULLI I DYTË

NË VEREN E 1912-S PUKA SHKUND ZGJEDHEN TURKE

Në fillim të vj.1912 pat ardhë si famullitar (sherbyes fetar katolik) në fshatin Qelzës prifti i ri Dom Gasper Thaçi, qi mâ vonë pat kenë zgjedhë si Arqipezhgev e metropolit (rybja mâ e nalta e Kishës katolike në Shqipni) në Shkoder. Mbarë Shqipninë e kishte kapë marazi, sidomos ushtrija e mizoritë e Turgut Pashës të kohës së mbrame e kishin shtue jashtzakonisht fort pezmin e popullit.

Mejherë Dom Gaspri ia pat fillue punës, per t’a pregatitë popullin per në luften çlirimtare. Jo vetem në famullinë e vet, por edhe nder bajrakë tjerë shtrihej veprimtarija e priftit plot entuzjazem, i cili pak kohë perpara kishte pasë krye msimet e nalta në Austri. Nder meshtarë qi ishin të tanë nji mendimi me Dom Gasperin, janë per t’u permendë kta dy freten: Atë Tomë Bicaj, famullitari në Berishë, e Atë Danjel Stajka, famullitar në Fierzë. Edhe famullitari i Iballes, qi ishte italjan, bashkëpunote me kolegët e vet për çlirim të Shqipnisë, por emni i tij nuk më kujtohet. Nder mbledhje e bashkime qi organizoi Dom Gasperi nder fshate e bajrakë, pat kenë edhe ajo në mojin marc në shpinë e Frrok Kolë Bajraktarit në Bugjon. Si u tha perpara, nji ushtri e fortë turke-kund 6 mi vetë- ishte në qanderr të Pukës. Kjo ushtri ishte e armatosun me armët më moderne të kohës, e komandohej nga Bedri Beg Qafziu. Në mbledhje me Dom Gasprin e të zo’në e shpisë kû bâhej bashkimi, ishin edhe kta patriotë: Bibë Ndoj Mirakaj, Ndrekë Markiqi, Pjeter Ndue Prendi, Pjeter Kolë Pemati, Ram Nimani, Halil Musa, Kamber Laçi, Marash Mar Nika, Rrust Marvata, Shyt Gjergji, Marash Halili.

Duhet shenjue prej ksaj liste emni i Hasan Musës, bajraktar i Terthores (bajrak i Kabashit). Ky edhe shoku i tij Hasan Neziri (po nga Kabashi), qyshë në fillim e deri në mbarim kjen perherë me Dom Gasprin. Gjithashtu nuk do të harrohet Zejnel Hoxha i Pukës, i cili e kqyri me sy të mirë lëvizjen kombtare qi organizoi Dom Gaspri kundra pushtimit turk.

Gjâja mâ e keqe qi u konstatue në mbledhje, kje disomos kjo: populli nuk kishte armë as municjon, posë pak armve të mshefuna. Per t’a fornizue popullin disi me armë, e muer mbi vedi si kryetar pergjegjës Bib Ndoj Mirakaj, dhe u vendos qi ky bashkë me Frrok Kolë Bajraktarin, Pjeter Ndue Prendin, Shyt Gjergjin nga Fierza, Tush Prendin nga Bugjoni e 60 burra tjerë me u nisë me 1 prillë per në Podgoricë, e atje me i kerkue e me ble armët e municjonet.

Udhtimi per në Podgoricë kje shum i gjatë dhe teper i zorshem. Asnji prej ktyne burrave nuk kishte pasë rasë t’a bajë nji udhtim të tillë, tue kalue neper krahina e vende krejt të panjoftuna. Së parit duhejkalue Drini, pastaj neper Dukagjin e deri në Theth të Shalës, prej ktu neper Shteg të Dhenvet (nji qafë mes Dukagjinit e Malsisë së Madhe), në Bogë, Vrithë, perkrye Katundit të Shkrelit, mandej neper Kastrat e Hot e Grudë, tue kalue Cemin, e eja e del në Tuz. Si po shifet, krejt udhtimi u ba neper male. Kur mbrrijten në Podgoricë, nuk munden me ndreqë gjâ, prandej auktoritetet malazeze të ktushme i dergojnë burra t’onë të Pukës në Cetinë. Në fillim burrat e Pukës u priten krejt mirë prej gjeneral Vasoviqit, sepse ky mendote se kta kanë ardhë në Cetinë per me iu shitë Malit të Zi. Vasoviqi i priti e i gostiti per 6 dit s’ka mâ mirë, dhe mundohej pada dita me ditë me bâ propagandë nder ta dhe u premtojke gjithëshka.

Ai diftohej i gatshem me u dhanë Shqiptarve çdo ndimë, si pare, armë, municjon e gjithëshka të kishin nevojë. Me ket mndyrë mendojke Vasoviqi se po i ban per vedi burrat e Pukës. Por u rrejtë keqas i Cernagorasi. Frrok Kolë Bajraktari e Bibë Ndoj Mirakaj iu pergjegjen joshjeve të Vasoviqit në ket mndyrë: “Na ju a kemi msy e ardhë tek ju me na gjetë armë e municjon dhe na me t’i pague me pare; na nuk kemi ardhë me u shitë dhe as me i bâ trathti atdheut t’one. Na kemi mendue se Turkija âsht nji anmik i jueji ashtu si âsht edhe anmiku i jonë. Prandej, tue e parapá se anmikun e kemi të perbashktë, kemi mendue se armë e municjone na jepni aq sa të mundemi me marrë, e pa kondita. “Vasoviqi u tha burrave t’onë kshu: “pa kondita e dokumenta të nenshkruem asnji gjâ nuk e japim. Ma gjithëkta, mbasi Turkinë e kemi anmik të përbashktë, po u japim 300 copë armë dhe 15 mushka me monicjon, mbasi mushkat i paskeni me vedi, porse keni me i pague të gjitha me pare, falë nuk keni kurrgjâ, dhe qyshë sonte naten pa dalë drita keni me u largue nga Cetina.” Burrat t’onë marrin armët dhe municjonet dhe i paguejn me pare dhe naten dalin prej Cetinet.

Prej 65 burrave qi ishin per ket sherbim, seicili prej tyne u ngarkue me ka 5 copë armë në shpinë, pesha e çdo cope ishte 4 kg e randë. Modeli i ktyne armve ishte: të gjitha petica e novica. E shumta e rrugës, si u tha, kalote neper male e vende shum të vshtira. N’udhtim e siper, kur kanë mbrrijtë në Triepshë Sokol Baci, po nga Triepshi, e ká mbledhë gjith katundin e vet dhe u kanë bâ nji darkë burrave të Pukës dhe nji pritje shum të mirë, edhe u kanë dhanë ushqim per 4 dit dhe i kan percjellë deri qi kanë kalue lumin e Cemit.

Populli i Shtatë Bajrakve pritte me padurim kthimin e njerzve me armë nga Mali i Zi. Pak mâ vonë Bibë Ndoj Mirakaj pat marrë edhe 100 copë armë tinëz në Shkoder. Të gjitha armët e bleme iu shperndanë popullit, i cili kishte do armë të mshefuna, edhe pse ushtrija e Turgutit nji vjetë perpara pat mbledhun sa mujti.

Tashti duhej organizue gjithëshkafja me kuadra në formë zyrtare. Me 12 qershuer Dom Gaspri thirri mbledhje të pergjithëshme te Kisha e Qelzës. U formue nji komitet qandrruer e komitete krahinore. Qandrra e pergjithëshme ishte në Qelzë, nën kryesinë e Dom Gasprit qi ishte truni e zemra e kryengritjes. Dy burrat mâ me randsi, d.m.th. Frrok Kolë Bajraktari e Bibë Ndoj Mirakaj, mund të ndjehen qi kryetarët mâ të naltë e fuqive të pregatituna per luftë. Kjenë caktue edhe komandantat e çetave. Qe êmant e tyne: Halil Musa nga katundi Kabash, Kamber Laçi –Pukë, Marash Halili –Dardhë, Rrust Mar Vata-Dush, Zef Nikolli-Kçirë, Ndrekë Markiqi-Berishë, Dedë Sadrija-Aprripë, Palush Pjetra-Iballë, Tish Toma-Midhë, Çun Pjetra-Kokdodë, Kolë Nikë Alija-Flet, Keqan Qerimi-Truen, Ndue Kukeli-Bugjon, Shyt Gjergji-Fierzë, Marash Mar Nika-Qelzë, Pjeter K. Pemati-Iballë, Naz Hajdari-Bugjon, Pjeter Ndue Prendi-Berishë, Jak Mark Suti-Dush, Ram Nimani-Iballë. Çdo komandant çetet, në diten e parë, kishte nen komanden e vet 75 luftarë. Mâ vonë këto çeta, tue u marrë armë Turqve, u shumuen dhe u banë deri në 100 njerz per çdo çetë. Si u perfundue organizimi, u caktue qi me 1 korrik, naten befas, të sulmohej ushtrija turke nder kazemat qandrrore të Pukës. Në sulmin e parë qi u bâ fort i rrebtë, u vranë shum ushtarë e u mueren shum armë. Naten e parë në ket sulm u vranë n’anen t’one Keqan Qerimi, komandat çetet, si edhe u plagosen 3 vetë tjerë, po komandanta çetet, d.m.th. Ndue Kukeli, Nikoll Zefi e Rexh Frroku, i biri i bajraktarit të Bugjonit. Lufta vazhdoi shum e pergjakshme plot nji muej. Puka ishte e rrethueme. Kur ushtrisë në Pukë i erdh nji ndimë prej Shkodre, e çau rrethimin dhe bani msymje nder katunde e filloi djegjen nder shpija. Ajo dogji në katundin Midhaj60 shpi, në katundin e vogel Miluer 20 shpi. Ushtrija filloi të plaçkisë popullin dhe hyni me dalë n’Iballe, Bugjon e Berishë, por çetat nacjonaliste ia prenë rrugen ke Lumi i Sapaçit, kû u bâ beteja mâ e pergjakshmja: 8 dit luftë pa u pré. Ushtrija anmike u detyrue me u kthye persri në qendren e Pukës. Ushtrija turke, qi pat shum bjerrje, ishte krejt e disprueme, e rraskapitun dhe e demoralizueme krejtsisht. Me kthimin e ushtrisë në qenderr të Pukës, u bâ nji pushim armësh per kater dit.

Popullit iu bâ thirrja e dytë qi me dalë në luftë kush të jenë burrë per shpi: me pushkë dhe me kmesa e spata. Ksaj here ushtrisë turke nuk mujti me i ardhë mâ ndimë prej Shkodre, sepse Dushi, Kçira e bashkë me Koman, Mlloje, Vjerdhë e Karmë ia prenë rrugen ke Qafa e Fikut, kû u luftue shum rrebtsisht, aqsa ndima turke nuk mujti me dalë aty kû dote, por iu desht me kthye kah kishte ardhë.

Tashti çetat e lirisë pregatiten me i rá edhe njiherë Pukës befas, por pa pritë e pa kujtue po merret vesht se ushtrija turke e Pukës ishte çue e hikë e nisë per Shkoder, tue lanë vetem do xhandarmë. Me ketmndyrë Shtat Bajrakët e Pukës, qysh me daten 8 shtator 1912, ishin të çliruem nga zgjedha turke.

Në fund të ktij kapitulli tash po bijmë nji poezi qi pershkruen mâ gjallë ata shka u tha në prozë nder kto faqet e kalueme. Na po vazhdojmë ktu prap në prozë. Por nuk kaloi shumë, e Puka qi u librue nga Turkija, kishte në shpi Serbët. Qysh me 8 tetuer 1912, njiherë Mali i Zi vetem, mandej Bullgarija, Grekija e Serbija, të trija zbashku me 18 tetuer, i kishin çpallë luften Turkisë. Ishte kjo lufta (e para) ballkanike. Shqipnija ishte në rrezik me u zhdukë krejt nga karta gjeografike. Serbija dote me e ndjehë të veten krejt token qi fillon prej Sanxhakut të Novipazarit (nji rryp të vogel të ktij, vllau i madh i Beogradit ia premton vllaut të vogel Cetinës) e pershinë krejt Kosovë e Metohi e krejt Shqipninë verjore, nemose që prej Shengjinit e deri në Semen apo Shkumbin, simbas marrveshtjes qi do të bâhej ktu në jug me Greki, per të cilen ishte shenjue krejt urtë, pse drojshin se populli po çohet e po u bjen mbas shpinet e po ua prishë krejt planin që kishin. Serbët u shtishin se e kanë vetem me Turki, por ata në të vertetë lakmojnë me pasë nemose tre çerekë të tokës Shqiptare per vedi.

Por po i lâmë kto si gjâ të njoftuna e po bijmë vetem se si në Pukë u ngreh flamuri kombtar e u proklamue zyrtarisht pavarsija prej Turkisë. Dom Gasper Thaçi kishte pasë marrë lajmin prej Ipezhgvit të vet (në Nenshat të Zadrimës) se në Vlonë ishte kenë ngrehë qysh me 28 nanduer flamuri i Shqipnisë. Sa e muer lajmin, plot entuzjazem Thaçi bani gati kryepari e popull e mblodhi sa mâ shum gjind te Kisha e Qelzës kû, mbasi mbajti nji fjalim të flaktë, u dha të gjithve lajmin e gzueshem se Shqipnija ishte çpallë zojë në vedi qysh me daten 28 nanduer. Dom Gaspri merr flamurin kombtar dhe e ngrehë te Kisha e Qelzës. Ishte dita 8 dhetuer 1912 si mbaszakonit, batare pushkësh e percollen ket ngjarje të paharrueshme. Menjiherë kjenë lajmue bajrakët tjerë, e gjithëkund populli ngrehi flamurët shqiptarë dhe e kremtoi me batare pushkësh ket ditë të lumnueshme.

Por bataret e pushkve qi shungulluen së parit në Qelzë, e kishin pasë shti në mendim ushtrinë serbe qi ndodhej në Pukë asë mâ mirë me thanë, ajo ndodhej gjithkund rrugës së madhe që prej Kosove e deri në Lesh; ajo kah jugu bashkëpunote me Malazez në rrethimin e Shkodres. Prej komandës serbe iu lypen Dom Gasprit spjegime mbi bataret e pushkve në Qelzë. Dom Gaspri zgodhi tre burra per t’i dergue në Pukë, te komanda serbe. Emnat e ktyne të treve janë; Nikoll Gjoka prej Qelzet, Marash Mark Nika prej Midhet e Kolë Gjergji prej Dedajsh. Mâ perpara Dom Gaspri i pregatiti mirë kta burra se si do të folshin në komanden serbe. Nji mik i imi m’a dergoi bisedimin e tyne me komandantin serb, qi quhej Kataniq, njashtu si pat kenë botue në rivisten Hylli i Dritës në numer tetor 1937, nga penda e Kolë Bibë Mirakajt. Qe bisedimi fjalë per fjalë nga faqja 466-67 e rivistës së famshme shkodrane:

Komandanti: Çka ka kenë aj danam me pushkë

Gjegja: Kena pasë nji gzim të jashtzakonshem.

Komandanti: Ç’farë gzimi keni pasë?

Gjegja: Na ka ardhë lajmi se tash njimdhet dit âsht ngrehë bajraku i Shqipnisë në Vlonë.

Komandanti: Kû e dini ju?

Gjegja: Kryetari i komitetit t’onë Z. Dom Gaspri ka pasë lajmin prej Ipezhgvit.

Komandanti: Nuk âsht e vertetë. Ipezhgvii e prifti ju mashtrojnë. Në Shqypni jena na e nuk kena me e lshue

Gjegja: Ne Ipezhgvi nuk na ka rrejtë as nuk na rrenë kurr, se nuk âsht i shitun as nuk na shet. E dijmë me siguri se me 28 të mojit të kaluem në Vlonë âsht ngrehë bajraku i Shqypnisë me pelqimin e Krajlnive të Mdha. Prandej na, mbasi tash sa kohë kemi derdhë gjak per me fitue lirinë, duem bashkimin me vllaznit t’onë dhe kemi ngrehë edhe na bajrakun e Shqypnisë tu kisha e jonë.

Komandanti: Pse nuk bâheni me né, qi edhe na luftojnë me qitë Turkun jashta?

Gjegja: Na as nuk jena Turqë as nuk jena Serbë, por jena kenë, jemi e do të jena Shqyptarë. Na e dijmë se Shqypnija ká dalë në vedi me e sundue Shyqptari vendin e vet. Sod kena bajrakun t’onë, per atë do të luftojmë e do të desim. (K.B. Mirakaj, Kryengritja e Pukës rreth vieti 1912, në Hylli i Dritës, 1937, vj. XIII, n 9-10, fq, 466-467. Prej ktij artikulli të Kolë B. Mirakaj kemi marrë edhe ndoj send tjeter të ktij kapitulli).

Po kje se nuk i gjet gjâ kta tre burra as Dom Gasprin, âsht per t’u spjegue prej faktit qi Serbët kishin frigë prej popullit qi ishte i armatosun. Po t’ishin çue Shqiptarët kundra Serbve e kundra Malazezve në luften ballkanik, do t’a kishin pasë fort mâ të vështirë dy shtetet ballkanike në luften e tyne kundra Turkisë. Por mjerisht-duhet me thanë mjerisht- Shqiptarët në luften ballkanike kjen rrêjt keqas e ndêjen asnjanës. Xhelati Turgut e kishte pregatitë ket gjendje asnjanse ase edhe anmiqsore kundrejt Turkisë. Anmiqt t’onë sllavë kishin dijtë s’ka mâ mirë t’a shfrytsojnë ket gjâ. U duk gati-gati sikurse Shqiptarve t’u ishte mbushë mendja qi Serbo-Malazezt kishin hi në Shqipni vetem sa me dbue Turkun e jo me krrucë Shqipninë. Mbi rrethim të Shkodres na bjen rasti të flasim në nji kapitull mâ vonë. Ushtrija serbe qi e kemi lanë në Pukë e në rrugen e madhe qi çon per në Shkoder e Lesh, qysh me 25 shtatuer 1913 ishte krejt jashta kufijve të rij shqiptarë. Ndoshta na bjen rasti t’a thomi edhe njiherë tjeter se gjatë luftës ballkanike Serbët paten mbytë mizorisht qindra e mija Shqiptarësh. Sidomos në Kosovë ata paten bâ namin, sepse ata dojshin me e shfarosë krejtsisht rodin e Shqiptarit në ket krahinë qi ata e quejn aq ambel “Serbija e Vjeter”, e kshtu edhe mundoheshin me e paraqitë edhe nder shkrimet e tyne rrenacake qi ata publikojshin nder gjuhë të ndryshme. E atyne u duel me e mbajë Kosoven per vedi. Edhe në pjesen jugore të Shqipnisë shohim kerditë greke qi djegin e pjekin me qinda katunde shqiptare, e me ket mndyrë ata duen me ia mbushë menden botës se ata vende janë me popullsi greke. Në ket mndyrë ata na e kanë grabitë Çamerinë. Qellimi i Serbve ishte me mbrrijtë sá mâ parë në Durrës. Ky ishte limani qi Serbët me doemos dojshin me e pasë të vetin n’Adriatik. Si dihet, Serbija e atëhershme nuk kishte askurrkund breg detar. Mbas luftet mandej u formue Serbija e Madhe, qi po na e thrrasim Jugoslavi, e muer Detin Adriatik per vedi, posë ndoj cope qi e muer Italija. Me 26 nanduer 1912, në Durrës pat kenë ngrehë flamuri i Shqipnisë në Konakun e Qeverisë dhe pat kenë caktue si Sundimtar Hamid Beg Toptani. Por dy dit mbrapa, shi me 28 nanduer, paten hy Serbët në Durrës dhe hoqen flamurin e Shqipnisë tue ngrehë atê të Serbisë. Mandej ushtarët serbë me çizme shkuen në det të Durrësit e me shpata të çveshuna i bijshin ujit tue brohoritë: Zhvio, zhivio! Por puna erdh e u suell ndryshej se kishin pritë Serbët. Kta kjen ngushtue prej Fuqive të Mdha t’a lanë Shqipninë. Në ket kohë ishin formue gjithëkund neper Shqipni qeveri lokale të perkohshme, pse pritej se per së shpejti do të vite mbreti qi Europa dote me i dhanë Shqipnisë. Edhe në Pukë ishte nji qeveri e perkohshme. Emzot Gjergj Koleci, ipezhgev i Nenshatit (selija e ipeshkvit të Zadrimës) dhe i Pukës, paten kenë nisë prej Qelzës e shkue në qanderr të Pukës. Ipezhgvi ishte i percjellun prej klerit e prej bajraktarve dhe prej nji shumice së madhe popullit. Në Pukë u ngreh zyrtarisht flamuri kombtar. Kaq pernjimend e pat marrë populli të ngrehunt e flamurit, saqi e ruejshin me rend ditë e natë, qi mos të dhunohej e mos të vidhej prej ndonji faqeziut.

Pater Paulin Margjokaj OFM.jpg

Dom Gasper Thaci.jpg
Share: