Home Approccio Italo Albanese Turp, prezenca diplomatike qe na jep leksione per demokraci, injoron zgjedhjet europiane!?

Turp, prezenca diplomatike qe na jep leksione per demokraci, injoron zgjedhjet europiane!?

Artur Nura

Kushdo që lexon sado pak zhvillimet politike europiane ka mësuar se zgjedhjet e sotme për Parlamentin Europian janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Europës, politikisht e gjeopolitikisht.

Mjafton të bëni vox pop-e në Tiranë dhe do ju rezultojë se qytetarët e thjeshtë e njohin paramisht rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për Europën dhe faktin që e drejta për të votuar, të zgjedhur dhe të zgjidhesh është themel i Demokracisë së kontinentit të vjetër ku duam të jemi pjesë, siç jemi gjeografikisht edhe politikisht.

Kur qytetarët e thjeshtë shqiptarë njohin këto parime themeltare të Europës, përfaqësuesit e vet Europës, ambasadorët e vendeve të BE, të cilët mbikqyrin zhvillimet në Shqipëri dhe japin notën nëse ne i kemi kryer detyrat e demokracisë këtu dhe, nëse meritojmë të jemi atje si Europianë, sigurisht që duhet të dinë më shumë!

A janë të hapura qendra votimi në Shqipëri për zgjedhjet në Parlamentin Europian?

Në Kompaninë ku unë po bashkëpunoj si drejtor i marrëdhënieve publike, kanë ardhur edhe dy qytetarë italianë të cilët ishin krejt natyrshëm të interesuar të votonin dhe pyetën nëse, Ambasada Italiane në Tiranë ua mundësonte një gjë të tillë.

Pas kontaktimit me ambasadën mësuam se atje askush nuk kishte menduar për këtë të drejtë themelore të mbi 20.000 italianëve në Shqipëri!

Na u sugjerua Delegacioni i Komisionit Europian, i cili sipas tyre, mund të kishte menduar për këtë të drejtë themelore të shtetasve europianë në Shqipëri, pra edhe të ambasadorëve, familjeve të tyre dhe nëpunëseve të trupit diplomatik, plus investitorëve të vendeve përkatëse që me taksat qe paguajnë mundësojnë pagesat e majme të tyre!

Pasi kontaktuam njërin prej zyrtareve të këtij institucioni të rëndësishëm, hasëm në çudinë e faktit që personi nuk dinte kë të pyeste se Delegacioni ishte i mbyllur, me që është fund java!

Sigurisht edhe në këtë rast na u sugjeruan ambasadat e vendeve të BE!

A është ky zhvillim një skandal?!

Parimisht po, por personalisht nguroj të gjykoj përfundimisht pa dëgjuar palët e cituara! Ambasadorët e këtyre vendeve janë arbirtrat e lojës sonë për më shumë demokraci funksionale dhe një institucion i tillë nis te respekti ndaj të drejtës së individid për të zgjedhur dhe u zgjedhur, pra të drejtës për të votuar.

Çfarë bëjnë Delegacioni i Komisionit Europian dhe OSBE në Tiranë, përveç ‘leksioneve” me shumë shpenzime financiare ndaj demokracisë së brishtë shqiptare, ndaj kësaj të drejte themelore të shtetasve të tyre që gjenden në Shqipëri dhe duan të kryejnë detyrën dhe shfrytëzojnë të drejtën e tyre për zgjedhjet në Europë?!

Nëse nuk kanë bërë asgjë dhe e kanë injoruar, sigurisht që duhet të jetë një skandal e turp i madh për ta, por personalisht shpresoj akoma të jem i gabuar…

Këto zgjedhje historike europiane tashmë kanë startuar, po në Shqipëri ç’po bëjnë ambasadorët dhe qytetarët europianë…?!

Share: