Home KRYESORE ARTIST TEATRI APO ARTIST PARTIE! Nga Kastriot Cipi

ARTIST TEATRI APO ARTIST PARTIE! Nga Kastriot Cipi

Bruno Shllaku ka protestuar dje kundër një pankarte politike të vendosur në fasadën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Ai e ka quajtur këtë “skandal”, “keqpërdorim” dhe madje “përdhunim”. Shllaku nuk ka harruar as të kujtojë se pas kishave dhe xhamive, vjen teatri.

Nëse e vërteta do të ishte vetëm kaq, sonte në mbrëmje do të protestoja edhe unë, nga Sheshi i Teatrit Kombëtar, në mbështetje të kolegut Shllaku. Por e vërteta është krejt ndryshe.

Së pari, ajo pankartë është vendosur aty në shenjë proteste, ndaj vendimit të KZAZ të Shkodrës për të përdorur Teatrin “Migjeni” si qendër votimi. Nëse ky nuk quhet përdhunim, keqpërdorim dhe skandal, nuk besoj se mund të quhet vendosja e pankartës kundër votimeve me një kandidat të vetëm, në shpërfillje të Dekretit të Presidentit dhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.

Por këtë z. Shllaku nuk e thotë, megjithëse e di shumë mirë.

Së dyti, z. Shllaku me të drejtë e rendit teatrin pas kishave e xhamive, për nga rëndësia për qytetarët, por nuk na thotë pse nuk e quajti skandal, keqpërdorim dhe përdhunim përdorimin e kishave në Tepelenë dhe Roskovec për fushatë nga kandidatët rilindistë?

Së fundi, është rasti t’i kujtojmë z. Shllaku, se ka shpifur për ndërtesën historike të Teatrit Kombëtar, duke e shpallur “stallë kuajsh” dhe ka kërkuar shembjen e tij.

Për sa më lart, e kam të vështirë të besoj se dje, në mbrojtje të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ka protestuar një aktor. Nga dje, kam një arsye më shumë për t’u bërë thirrje të gjithëve të mos votojnë në votimet moniste të neodiktaturës, qoftë edhe për të mos lejuar që aktorë rilindistë si z. Shllaku të marrin drejtimin e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Teatri i qytetit ku ka filluar historia e teatrit shqiptar nuk e meriton të drejtohet nga një rilindist.

Share: