Home Approccio Italo Albanese Esmeralda Elmazi: “Ne avokatët shqiptarë në Itali, një garanci për mbrojtjen e...

Esmeralda Elmazi: “Ne avokatët shqiptarë në Itali, një garanci për mbrojtjen e të drejtave”

BY Sonila Qesaraku

Të kesh një mik avokat është një fat i madh. Në çdo moment të jetës tonë mund të kemi nevojë për dikë që të na këshillojë kur përballemi me çështje ligjore, veçanërisht me një temë të tillë si emigracioni, i cili prek nga afër të gjithë ne që kemi zgjedhur Italinë si atdheun tonë të dytë. Si qytetare shqiptare që jeton në Itali, pata një shans të jashtëzakonshëm që njoha një avokate shqiptare që ushtron profesionin këtu, Esmeralda Elmazin, e cila më ndihmoi shumë me disa probleme të vogla të hasura gjatë rrugetimit tim, duke filluar nga rinovimi i lejes së qëndrimit.

Esmeralda Elmazi ushtron profesionin e avokatit në Torino dhe është një nga themelueset e Shoqatës së re “Avokatët Shqiptarë në Itali”.

 E pyeta për të na treguar diçka rreth historisë së saj personale dhe lindjes së Shoqatës së Avokatëve Shqiptarë në Itali.

 Esmeralda mirë se erdhe, faleminderit që pranove të bësh këtë intervistë. A mund të na tregosh diçka rreth teje?

 Faleminderit për ftesën. Kam lindur në Patos, Shqipëri. U zhvendosa në Torino në vitin 2004 për të kryer studimet universitare në Juridik që i mbarova me nota maksimale.U formova profesionalisht në studion ligjore të avokatit Roberto Gavazzi dhe ushtroj profesionin e avokatit që nga viti 2013.Merrem kryesisht me të drejtën civile dhe në veçanti trajtoj përgjegjësitë e ndryshme profesionale (si për shembull mjekët, arkitektët, inxhinierët), aksidentet rrugore, të drejtën e punës, të drejtën e emigrimit dhe mbrojtjen e palës civile dhe përgjegjësit civil në proçesin penal.

 Si lindi Shoqata?

 Shoqata e ka origjinën nga një bashkëpunim joformal, midis kolegëve shqiptarë që ushtrojnë profesionin ligjor në të gjithë Italinë, që ka nisur me shumë se 3 vite më parë dhe, pas një pune intensive, më 26 janar 2019, u mblodhëm në Firence dhe themeluam “Shoqatën e Avokatëve Shqiptarë në Itali”, me presidente Uljana Gazideden të Gjykatës së Barit, në të cilën unë mbaj rolin e Këshilltarit – Sekretarit.

 Cili është qëllimi i Shoqatës?

 Shoqata jonë, në vlerësimin e rolit social të avokatit shqiptar në Itali, synon të monitorojë dhe të ndërmarrë veprime për të mbrojtur të drejtat e njerëzve dhe në veçanti shtetasve shqiptarë të pranishëm në territorin italian, të ndërmarrë nisma që synojnë futjen dhe modifikimin e rregullave ligjore, si dhe krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me institucionet italiane, shqiptare dhe ndërkombëtare dhe me individë privatë.

Një pikë e fortë e shoqatës sonë është prania e një numri profesionistësh që praktikojnë në të gjitha fushat e të drejtës; civile, penale, administrative, tregtare, tatimore etj.

 A jeni të kënaqur me këtë projekt? Çfarë do të thotë për ju dhe kolegët tuaj?

 Jam e lumtur dhe krenare, ky projekt nuk është vetëm një mënyrë për të vënë aftësitë e të gjithëve në dispozicion të drejtësisë dhe njerëzve në nevojë, por gjithashtu një mundësi për bashkëpunim dhe përmirësim të mëtejshëm, personal dhe profesional, për të gjithë anëtarët e Shoqatës.

 Si mund t’ju kontaktojmë?

 Me e-mail, mund te shkruani tek adresa [email protected] ose përmes faqes tonë në Facebook, Shoqata e Avokatëve Shqiptarë në Itali!

 Falenderoj shumë avokaten Esmeralda Elmazi dhe i uroj punë të mbarë e gjithë të mirat Shoqatës së Avokatëve Shqiptarë në Itali nga ana ime dhe e të gjithë komunitetit shqiptar.

Share: