Ilir Kalemaj
Përtej shifrave fiktikë të votimit të cilat edhe sipas formulës “vetë i organizojmë, vetë i nxjerrim të votojnë dhe po vetë i numërojmë”, nuk do të nxjerrin më shumë se 15-20 përqind mbështetje për partinë Rilindje, janë disa elementë që duhen marrë në konsideratë përsa i përket komunikimit politik.
E majta ka arritur të krijojë një narrativë sempliste, e cila prek kryesisht anën emocionale. E djathta luan në regjistra më të sofistikuar duke synuar anën racionale. Kjo nuk është vetëm në Shqipëri, është një fenomen që e gjen kryesisht në ato vende ish-komuniste kur kemi një metamorfozë të partive puniste në parti socialiste, por këtejpari është më e spikatur dhe më e konsoliduar si ligjërim politik. Si rrjedhojë komunikimi politik i së majtës është më efektiv vençarisht me ato grupe/shtresa që janë të indoktrinuar. Për shembull te ky grup bën pjesë një masë e gjerë e pensionistëve të cilët quhen qëndrestarë ideologjikë pavarësisht pensioneve mjerane, ilaçeve të shtrenjta dhe shpesh të skaduara, shërbimit shëndetësor për faqe të zezë apo faturave të papërballueshme të ujit dhe energjisë elektrike etj.
Nga ana tjetër, janë edhe ata që janë lehtësisht të shantazhuar me anë të vendit të punës, për shembull administrata publike. Ndaj politika te ne merr përmasa shpërpjestimore dhe konsumon jashtëzakonisht energji, kohë, debate shterpë nga ato që populli i konsideron si muhabete pa bukë apo glofirikon politikanë që së fundmi po i’a dalin të bëjnë dhe mrekulli të tilla si të ngrenë të sëmurë nga shtrati etj.
Paralelisht janë dhe dy grupe të tjera më inferiore në numër por më të fuqishëm në impakt, ai i kapitalistëve shtetërorë ose oligarkëve siç e dëgjojmë të thuhet rëndom sot, të pasuruar jo falë konkurrencës në një treg të lirë, por falë bujarisë qeveritare me paranë publike si dhe grupazhet e nëndhenshme, ku paraja kriminale e sheh si formë investimi mbështetjen bujare ndaj “lordëve” lokalë apo kleptokratëve kombëtarë. Këto grupe ndonëse numerikisht inferiorë ndaj dy kategorive të mësipërme, kanë një levë financiare të fortë dhe të qëndrueshme, që bën të mundur, konsolidimin e pushtetit në pak duar dhe sponsorizimin e rezultatit ‘në drejtimin e duhur’.
E djathta në përgjithësi është e fokusuar te disa kolona kryesore apo shtylla ideologjike që bazohen te liria e individit dhe e drejta për të zgjedhur. Te shenjtëria e pronës private dhe liria e besimit. Te vlera si familja dhe kombi. Te tregtia e lirë si gur themeltar për përmisimin e produkteve dhe uljen e çmimeve për konsumatorët. Te zgjerimi i tortës ekonomike dhe fuqizimi i sektorit privat që punëson rreth 90 përqind të popullsisë. Te incentivizimi i punës dhe shpërblimi i talentit.