Nga Ilir Muharremi
Aktori Bekim Fehmiu si duket sot para nëntë vjetëve e kishte ndarë mendjen ta vriste veten. Pasi gruaja e tij Branka në orën 14:00 kishte shkuar t’i rregullonte flokët, si zakonisht Bekimi e ka përcjellë te dera duke e puthur. Pas një ore ajo u kthye sërish në banesë duke thënë “Beko shih çfarë frizure kam”, asaj askush nuk i ktheu përgjigje, mbretëronte heshtje në banesë.
Ajo vrap shkoi në dhomën e ditës as aty nuk ndodhej Bekimi. U afrua te dhoma e fjetjes as aty nuk e gjente. Thërriste nëpër banesë, Bekimi nuk kthente përgjigje. Pasi kishte hyrë në dhomën e tij të punës e sheh në krevat të mbuluar me çarçaf të bardhë derisa në kokë kishte një peshqir. Ajo prapë i tha: “Beko pse nuk po flet, shihe çfarë frizure kam”? Bekimi nuk kthente përgjigje. Ju afrua ja hoqi peshqirin dhe aty e kishte parë se Bekimi ka bërë vetëvrasje.
“Nga tëmthi ku kishte shti me pistoletë i kish rrjedh mjaft gjak, kurse pistoletën e kishte shtanguar në dorë, e në tavolinën e vogël pranë kompjuterit pash dy letra të vogla lamtumirëse për mua me fëmijët dhe për vëllëzërit në Prishtinë”, vazhdon Branka, shkruan në monografinë kushtuar Bekim Fehmiut nga autori Fahri Musliu. Si duket Bekimi e kishte përgatitur perfekt vdekjen e tij dhe kjo në ditët e kaluara nuk ishte vërejtur nga Branka. Si duket ai person i cili parapërgatitet për vetëvrasjen gërryhet në heshtje nga krimbi e ky krimb ndodhet në shpirt. Mjafton veç të ja prishesh ose ndonjë fjali e rëndë, ai është në gjendje të vetëvritet. Ai e bën atë çfarë ja imponon ekzistenca e tij.
E kohën e fundit pak para se të vriste veten Branka rrëfen se ishte shumë i nevrikosur pasi që kishte fituar goditje në tru. Si duket Bekimi nuk mund ta duronte asnjë plogështi, asnjë sëmundje, donte të ishte i shëndoshë. Vetëvrasjen e kishte përgatitur shumë bukur ngaqë në krevat kishte shtruar çarçafin e bardhë dhe me një tjetër ishte i mbuluar, ndërsa në fytyrë e kishte vënë peshqirin me qëllim që mos të befasohet familja e tij, donte që vdekja të ishte e bukur e bardh sikurse peshqiri i bardhë.
Më intereson të di se kur filluan krizat e Bekimit? Ato te i vetvrari fillojnë gjithmonë nga diçka e pakontrollueshme e ku ndodhet fajtori kryesor? A kishte Bekimi ndonjë sëmundje të pashërueshme ose brenga intime? Këto mendoj janë shumë të vlefshme. Ndoshta është shumë vështirë ta gjejmë atë çastin e saktë dhe vetëm mund të konkludojmë se arsyeja e ka zgjedhur vdekjen. Ose ta mendojmë se Bekimi e tha në heshtje jeta nuk ja vlen të jetohet këto më duken si fjalë të zakonshme. Normal se të jetosh kurrë nuk është e lehtë dhe më kujtohet si sot kur e takova Bekim Fehmiun në kino ABC. Isha gazetar atë kohë. Bekimi më pyeti se çfarë studioj? I thash: “aktrimin”. “Dhe punon gazetar?”, vazhdoi ai. “Duhet të fitosh me profesionin tënd atë që e do më së shumti dhe një aktor i cili nuk është fizikisht mirë, nuk mund të ecën ose të vrapon, ai ka marr fund”, këto ishin fjalët e Bekimit. Këtë atë kohë nuk e mendova aq thellë, por kjo tregonte shumë në ekzistencën e tij, në zakonin e tij dhe mendoj se këto mendime e veprime ishin që e shtytin drejt një rruge të pakthim, dëshira për një shëndet absolut sikurse te grekët “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”.
Ai vdiq me dashje dhe kjo parakuptoj që ka zbuluar mungesën e çdo arsye të thellë për të vazhduar më tutje ose kotësinë e vuajtjes. Sido që të jetë motivi i arsyeshëm ndodhej në shpirtin e tij dhe ashtu lundron çdo ditë me hirin në Lumbardhin e Prizrenit.
Qeveria e Kosovës u tregua injorante me Bekim Fehmiun
Derisa Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë secancat e tyre të 16 dhe 17 qershorit i nisen me një minutë heshtje në nderim të figurës së Bekim Fehmiut, Qeveria e Kosovës në krye me Jakup Krasniqin patën refuzuar të mbanin një minutë heshtje për vdekjen e aktorit të përmasave të mëdha. Një arsyetim që patën nxjerrë në atë kohë, ishte se propozimet e tilla duhet të kalojnë nëpër procedura.
Më mirë të mos kërkohej një minutë heshtje nga njerëzit të cilët kanë shkollim minimal sa i përket artit dhe janë të cunguar në lexime ose shkrime. Derisa ata pikturat i blejnë mbas ngjyrës së mobiljeve ose librat mbas ngjyrës së rafteve ose perdeve dhe i matin librat me metër sikur për t’i blerë drutë për dimër. Emri i Bekimit gjithmonë do të jetë i huaj për ta. E ata që mendojnë se nuk është kombëtar gabohen.
Si patriot shqiptar, bir i familjes patriotike shqiptare ai u përpoq t’ishte një aktor shqiptar ta luante rolin e Skendërbeut, por kjo iu besua një aktori rus. Ai u përpoq të bëhej një aktor kosovar, të luante Hamletin në Prishtinë, por skena e Teatrit Krahinor të Kosovës u tregua e vockël për të. Ai e dinte se shoqëria shqiptare dhe serbe ishte largë botës Amerikane.
Se ishte shumë patriot ajo u tregua edhe me hirin e tij në Lumbardh…