Home KRYESORE TË DYZETAT E GJYQIT TË BECCHETTIT!

TË DYZETAT E GJYQIT TË BECCHETTIT!

Nga Dritan Kaba

Sot janë të dyzetat e gjyqit me Becchettin. Mediat janë të mbushura me Gjush akulloren, Niçen dhe me shumë “figura” të Rilindjes. Por pak nga pak me shumë kujdes është lënë në hije një skandal shumë herë më i madh. Ai i 140 milion eurove. Ndaj me “rastin” e të dyzetave dua të komunikoj me Kryeministrin.

Edi, t’du fort vllai!

Do thuash ndonjë fjale kush do i paguajë 140 milion eurot?

Kur e ke menduar t’i japësh shpjegim taksapaguesve pse u humbën?

A ndjen ndonjë përgjegjësi personale dhe direkte për këtë humbje që është sa 1/3 e fondit të investimeve në buxhetin e shtetit?
A të skuqet ndopak fytyra kur mendon se me kaq para 15 breza studentësh mund të kryenin studimet e larta pa pagesë?

A të kalojnë mornica në trup, kur bën llogari, që për fajin tënd, arrogancën tënde, shkeljen e ligjit personalisht nga ty edhe me urdhrin tënd me kaq para mund të subvencionoheshin nevojat e fermerëve për plot 7 vite?

A bëhesh me turp para fëmijëve të këtij vendi, që me paratë që i humbe ti, mund të subvencionoheshin për 28 vjet librat falas për nxënësit e 9 vjeçares në të gjithë Shqipërinë?

A të zë sikleti para minatorëve dhe naftëtarëve që me kaq para që ti i humbe, mund të përballohej për 10 vite statusi i tyre? Dhe ti pa asnjë turp vazhdon i përqesh kërkesat e tyre?

A ndjehesh fajtor para të gjithë pacientëve, që rrinë korridoreve të spitaleve, që me aq para mund të ndërtoheshin 6 spitale moderne rajonal ose dy spitale si ai i Tiranës “Nënë Tereza”?

Këto në fakt janë pyetje që duhet t’i ngrejë çdo shqiptar që i jepet rasti të të ketë përballë. Gazetarët e kanë të ndaluar t’i bëjnë këto pyetje, sidomos ata të televizioneve kombëtare, se pikërisht për llogari të pronarëve të tyre, klientë të tu, sot shqiptarët janë të detyruar të paguajnë plot 140 milion euro nga xhepat e tyre.

Me që e ke me merak atë punën e “futjes së dorës në xhep”, ja një rast, por jo i vetmi dhe as i pari, që i ke futur dorën në xhep çdo shqiptari.

Edi, e ke detyrim politik qeverisës, kushtetues t’i japësh llogari shqiptarëve kush do e paguajë marrinë tënde! Mos u fshih pas termave të kontratës, që vetë e ke kërkuar. Ato para janë të shqiptarëve, jo të xhepave të tu.

Përgjigju Edi!

Share: