Home KRYESORE Unë i refuzoj këto votime farsë, ju ftoj ta bëni edhe Ju!

Unë i refuzoj këto votime farsë, ju ftoj ta bëni edhe Ju!

Nga Genc Deromemaj

Votimet pa rivalë të 30 qershorit 2019 janë votimet e përçarjes mes shqiptarëve, votime monopartiake, jo pluraliste, diskriminuese për qytetarët, fillim i luftës së re të klasave.

Askush nuk do ta mendonte se pas tri dekadave rrezikohet nga qeveria shqiptare pluralizmi politik, goditet në thelb sistemi demokratik, në zgjedhjet e lira e fjalën e lirë.

Rrënuesit e demokracisë dhe kërcënuesit e pluralizmit na e shesin demokracinë si çeshtje procedurash, ndërsa në fakt ajo është moral, garë, solidaritet.

Qeveria që ka uzurpuar gjithë pushtetet dhe po rrëshqet në diktaturë ku kryeministri thotë “Shteti jam unë”, “Ligji jam unë” dhe njerzit kanë frikë përditë e më shumë se kërcënohen me burgje, me pranga, me gazlotsjellës, me dhunë policore që demonstrohet ngado shkon kryeministri nëpër Shqipëri.

Etja për pushtet është mentaliteti monist për t’u vetëzgjedhur pa garë dhe na kthen de facto në Shqipërinë tonë të komunizmit dhe të luftës së klasave.

Të hënën, me 1 korrik, ata mezi presin të shohin lindjen e diellit tek thonjtë e ngjyrosur me bojen e zezë siç vepruan me diferencimin gjysmëshekullor të shqiptarëve në Ne dhe Ata.
30 qershori do të jetë finishi i rrënimit e degradimit dhe starti i pasojave të rënda për vendin.

Do të lutesha që të mos kishte “pionerë” e “rini” duartrokitëse për monologjet e padenja e fyese të kryeministrit, as pensionistë duatrokitës që kanë harruar diktaturën dhe ushqehen nga eurot qe u sjellin bijtë emigrantë, që qeveritarët e sotëm i dëbuan prej atdheut.

Shqiperia që duam nuk është as duhet të jetë e një kupole që vendos për fatin tonë.
Mendoni njëherë e mirë për veten, për të sotmen e të ardhmen si europianë.

Share: