Nga Azem Parllaku
Dy protagonistët kryesorë të 20 viteve më parë ish-Presidenti amerikan, Bill Clinton, dhe ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Allbright, festojnë bashkë me shqiptarët dhe qytetarët e tjerë të Kosovës ngjarjen e madhe të 20 vjetorit të çlirimit. Aleanca Atlantike, duke u mbështëtur në vendimin e Presidentit Clinton dhe fushatën intensive diplomatike të Allbright e nën komandën e gjeneralit Wesli Clark, filloi më 24 mars 1999 bombardimet kundër ushtrisë dhe policisë serbe dhe pas 78 ditësh bombardimesh, me datën 12 qershor 1999, hyri në Kosovë.
Por çfarë duhet të kujtojmë nga ato ditë të fateve të mëdha për ne shqiptarët?
ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton në Mars të vitit 1999, në një takim me gazetarët tha:” Sot nuk duhet të harrojmë guximin e popullit kosovar, i cili vazhdon të ndeshet me dhunën dhe brutalitetin.
Shumë amerikanë e kanë dëgjuar tani historinë e një vajze kosovare, e cila është përpjekur të qëndrojë në kontakt me një shoqen e saj në Amerikë, nëpërmjet postës elektronike, ndërsa forcat e ushtrisë serbe sulmuan fshatin e vajzës.
Para pak ditësh ajo shkruante:
-Tani nga ballkoni im shikoj, njerez që vrapojnë me valixhe në duar dhe dëgjoj të shtëna armësh.
-Fshati është i rrethuar.
-Përderisa të kem rrymë elektrike do të vazhdoj të shkruaj dhe të përpiqem të qëndroj e qetë, ndërkohë që, shpresoj të mos ndërpriten ëndërrat e vëllait tim të vogël që, po fle”.
Më tej ky Mik i madh i shqiptarëve do t’i drejtohej popullit amerikan me këto fjalë:
“Nuk mund të rrimë e bëjmë sehir se si qindra mijëra njerëz trajtohen barbarisht, vriten, përdhunohen, dëbohen me forcë nga shtëpitë e tyre, se si u shuhen historitë e familjeve të tyre, por ne do t’u kthejmë të drejtat shqiptarëve”.
“Mendoni për një çast se si do të ndjeheshit ju, po të ishit pjesë e atij populli, që kanë jetuar në paqe, në një vend që duan të përdorin gjuhën e tyre, por që u vajtën në shtëpitë e tyre dhe u thanë:
Mblidhni plackat dhe ikni!
Do t’ju djegim çdo dokument të pronave dhe identitetit tuaj, dhe nëse burri ose djali juaj do të ishte në një moshë për shërbim ushtarak, ta hiqnin mënjanë e ta vrisnin.
Dhe e gjithë kjo sepse ju keni një fe dhe një kulturë tjetër etnike.
A do ta donim këtë ne për fëmijët tanë në shekullin e 21-të?”
Me këto fjalë i’u drejtua ushtarakëve Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të SHBA-së, në Bazën Detare të Norfolkut në Virxhinia 1999.
Në vitin 1999 e gjithë Bota, ishte solidarizuar me shqiptarët e Kosovës.
Grupi muzikor “Kelly Family” atëkohë bëri këngën “Children of Kosovo”, këngë e cila pushtoi shumicën e ekraneve të kanaleve muzikore pas bombardimeve të Serbisë.
Kjo këngë u shndërrua një hit në shumë vende, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga vjen edhe grupi.
Por, çuditërisht Kosova ende deri sot, nuk është kujtuar të ftoj për një koncert këtë grup, edhe pse fama e tij është më e madhe në Europë se në SHBA.
Këngëtari i njohur amerikan Majkëll Xhekson i cili vdiq me 25 Qershor 2009 shkruajti një këngë të titulluar “What more can I give” (Çfarë mund të jap më tepër) të cilën së bashku me albumin e tij të fundit ia kushtoi dramës së popullit kosovar. Midis të tjerave ai shprehet “Dëshiroj të shkoj atje, dhe të përqafoj të gjithë këta fëmijë. Imazhet e tyre janë tmerrësisht rrënqethëse”.