Home I pakategorizuar Basha: Gati për dy palë zgjedhje, mbrojmë bashkitë nga uzurpimi

Basha: Gati për dy palë zgjedhje, mbrojmë bashkitë nga uzurpimi

Kreu i opozitës, Lulzim Basha thotë se do të jetë në krah të qytetarëve për të mbrojtur pushtetin lokal nga uzurpimi antikushtetues i tij. Gjatë një takimi në Përrenjas, Basha tha se do të reagohet me të gjitha format.

“Ne do të qëndrojmë së bashku, me të gjitha format dhe mënyrat, në krah të qytetarëve, për të kundërshtuar me të gjitha format dhe mënyrat uzurpimin e dhunshëm të pushtetit vendor. Ne nuk pranojmë kurrë këtë uzurpim antikushtetues dhe antiligjor. Aty ku pushteti i paligjshëm, i lindur nga vota e blerë me paratë e drogës dhe të krimit, përpiqet të uzurpojë pushtetin e ligjshëm, pushtetin legjitim të qytetarëve, aty, çdo lloj forme rezistence është legjitime, është e përligjur, dhe ne jo vetëm nuk do ta frenojmë, por do ta inkurajojmë”, – deklaroi kreu i opozitës.

Ai rikonfirmoi objektivin e opozitës së bashkuar që zgjedhjet parlamentare të parakohshme të zhvillohen në një ditë me zgjedhjet kushtetuese për pushtetin vendor.

Me zgjedhje të lira, theksoi Basha, shumica “Rama ik” do ti japë jetë një programi ekonomik për të rimëkëmbur ekonominë e Shqipërisë dhe për të mbajtur përmes punësimit në vendin e tyre të rinjtë që braktisin vendin nga keqqeverisja e bandës së Rilindjes.

“Jemi të vendosur që shumicën “Rama ik” të 30 qershorit ta kthejmë në forcën e ndryshimit që kërkon çdo shqiptar, që do t’i japë fund braktisjes së vendit për t’u larguar në emigracion, politikave të shpunësimit, shkatërrimit të ekonomisë. Ne do të mundësojmë hapjen e mijëra vende pune në sektorë të pashfrytëzuar deri më sot, me paga dinjitoze për rininë shqiptare dhe zhvillimin ekonomik”, tha Basha./ Opinion.al

Share: