Për Lulzim Bashën ndalimi i Vangjush Dakos që të mos hyjë në SHBA është lajm i mirë por fakti që ai nuk ka dalë akoma përpara drejtësisë në Shqipëri sipas tij është një lajm i keq.
Kreu i opozitës ka reaguar për shpalljen non grata të ish-kryebashkiakut të Durrësit me arsyetimin se mund të jetë përfshirë në afera korrupsioni. Ai është jo vetëm i korruptuar sipas Bashës por pjesë e krimit të organizuar dhe i përfshirë në vjedhje votash për llogari të Edi Ramës.
Basha shkruan se Vangjush Dako ka patur gjithmonë si mburojë paprekshmërie nga drejtësia kryeministrin Rama. Ky i fundit e ka mbrojtur atë sipas kreut të PD edhe kur gazeta BILD publikoi përgjimet se Dako ishte i përfshirë në krime elektorale. Kjo bëhet, shkruan Basha, pasi Rama “ka të qartë se as nuk e merr dhe as nuk e mban dot pushtetin pa krimin”.