Home KRYESORE Gëzim Muçolli : Fitorja diplomatike e ambasadores Alma Lama kundër Serbisë në...

Gëzim Muçolli : Fitorja diplomatike e ambasadores Alma Lama kundër Serbisë në Romë

Pak ditë më parë, mjaftoi një shkrim i postuar te portali më i lexuar shqip dhe italisht te shqiptarët e Italisë, Albania NEWS, që të nxisë kërshërinë dhe brengën e shumë shqiptarëve në këtë shtet. Tema e nxehtë ishte pikërisht “Peticioni për ridiskutimin e njohjes së Kosovës së pavarur nga shteti i Italisë”.

Pas shumë vitesh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës , një grup italianësh që ka në përbërjen e tij edhe dy profesorë universitarë, dy konsuj nderi të Serbisë në Itali, 3 gazetarë e 2 presidentë shoqatash proserbe e proruse, kanë themeluar komitetin organizativ për të mbledhuir firmat e peticionit me të cilin duan të senzibilizojnë institucionet italiane për ta rishikuar aktin e njohjes së Republikës së Kosovës nga Italia me 21 shkurt 2008.

Njohtimin e parë për këtë iniciativë të komitetit promotor, Comitato Nokosovoindipendente, e pat dhënë kanali i parë i televizionit shtetëror të Serbisë, RTS 1, me datë 26 nëntor 2018, kurse definitivisht me datë 14 mars 2019, është shpallur dhe dorëzuar Komisionit të Tretë të Punëve të Jashtme, në Dhomën e Deputetëve, në Parlamentin e Italisë, Peticioni për ridiskutuimin e njohjes së Kosovës. Qëllimi i tyre është hapja e debatit parlamentar rreth mundësisë që Italia ta rishqyrtojë njohjen e Kosovës si Shtet indipendent.

Sipas deklarimeve të tyre peticionin e kanë firmosur mijëra qytetarë italianë, por nuk e përmendin asnjëherë numrin e tyre! Nuk e fshehin se vazhdon angazhimii tyre në senzibilizimin e institucioneve italiane dhe europjane, si dhe te gjitha subjekteve politike, kulturore e religjioze, me qëllim që të rritet sa më shumë numri i shteteve që nuk e njohin entitetin e Kosovës, për të kërkuar kthimin prapa të krahinës në Serbi gjoja me respektim të të drejtave të minoriteteve.

Organizatotrët të nxitur nga fushata agresive propagandistike e ministrit serb të punëve të jashtme , Ivica Daçiq, dhe nga ato rezultate të diskutueshme që i përmendin me krenari si gjoja heqja dorë nga njohja nga ana e disa shteteve si Dominica, Guinea-Bissau, Papua, Lesoto, Nuova Guinea, Burundi, Liberia, Sao Tome, Surinami dhe Ishujt Komore, vuajnë pse nuk ndodhi te asnjë shtet europjan kështu që zgjodhën Italinë me shpresë se me propagandën e tyre mund ta kthejnë prapa rrjedhën e historisë.

Kryetari i shtetit të Serbisë, Aleksandar Vučić ishte në vizitë në Romë në maj të këtij viti duke shpresuar të gjejë përkrahje për planin e tij të demarkacionit dhe shkëmbimit të territoreve e poashtu edhe ministri i jashtëm Ivica Dačić me datë 8 korrik 2019 në intervistën dhënë gazetës “ La Repubblica” shpreh mllefin duke shënuar majat e shpifjeve të propagandës serbe të udhëhequr prej tij duke cilësuar Kosovën si pikë fokale të jostabilitetit në gjithë Ballkanin ku serbët sipas shpifjeve të tij qenkan viktimë e pambrojtur dhe e cenuar nga institucionet e Kosovës dhe qenkan të shtërnguar të jetojnë të getoizuar për shkak të frikës dhe mossigurisë.

Por përhtypja e vëzhguesve të vëmendshëm të shtypit italian është se shteti i Italisë në asnjë rast nuk po don ta ndryshojë qëndrimin rreth njohjes së pavarsisë së Kosovës. Sado që serbët e Beogradit dhe miqtë e tyre italianë të nxitur nga serbofilia klasike e një pjese të së majtës historike, nuk po mund ta fshehin frustrimin e tyre, Çështja e Kosovës ka shkuar duke u bërë fakt i konsoliduar me marrëdhëniet e shkëlqyeshme të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë sidomos në dy vitet e fundit qysh se erdhi ambasadorja Alma Lama e cila me hapa energjikë punoi pa u ndalur në afirmimin e shtetit të Kosovës.

Qysh në dhjetor të vitit 2017, ambasadorja e Kosovës zonja Lama tregoi se ishte e përgatitur dhe e vendosur për tu përballur me propagandën zyrtare antishqiptare dhe antikosovare të qeverisë së Serbisë në truallin italian. Ende kujtohen me respekt pamjet që bënë xhiron në rrjete sociale dhe në media se si ia pat mbyllur gojën ambasadorit serb në Itali, z. Goran Aleksić gjatë mbajtjes së një konference të nivelit të lartë akademik në Universitetin e Romës “La Sapienza” me praninë e personaliteteve të larta të shkencës dhe kulturës italiane.

Ambasadorja Lama duke falenderuar Universitetin La Sapienza për gadishmërinë për t’i dhënë hapësirë të vërtetave shkencore rreth trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe manipulimeve të historisë, ajo pat thënë se :” Në fundshekullin e kaluar, bota e kuptoi se rrëfimet e manipuluara që kishin dëgjuar deri atëherë rreth vendit tim, Kosovës, nuk mund të shërbenin më për të mbajtur një popull nën shtypje dhe diskriminim, nuk mund të shërbenin më për të vrarë e përzënë qindra mijëra shqiptarë etnikë nga trojet e tyre, nuk mund të besonin më se ishte argument për të prodhuar eksode biblike siç ishte ai i vitit 1999, nga regjimi i Millosheviqit, por që për fatin tonë tragjik, ishte përsëritur shumë herë gjatë shekullit të XX, nga të njejtët nacionalistë”.

Ambasadori i Serbisë në Itali Goran Aleksić , duke kujtuar se mund ta manipulonte opinionin shkencor dhe publik si dikur, deshi të shkaktoi incident diplomatik në Universitetin La Sapienza, kur insistoi të merrte me imponim fjalën në fund të kësaj konference dhe të fliste kundër Kosovës dhe prezantimeve që u bënë aty.

E gjithë kjo ishte penguar me vendosshmëri nga ambasadorja e Kosovës Alma Lama e cila i ishte kundërvënë duke e ndalur fjalën e tij si ofenduese ndaj të pranishmëve dhe të pavend duke kërkuar që për tema të tilla që donte të fliste ai mund të flasin vetëm ekspertët.

Insistimit të ambasadorit serb me arrogancë për të vazhduar fjalën e tij, publiku i pranishëm iu përgjigj duke u u ngritur pas zonjës Lama dhe filloi ta lëshoi sallën duke e lënë ambasadorin serb më rrethana qesharake të krijuara nga vet ai.

Ishte ky një sinjal i parë dhe shumë i fortë për Serbinë dhe miqtë e saj italianë që ia kanë mbajtur anën shumë herë me serbofilinë e tyre (anti)historike se në Romë, tash Republika e Kosovës kishte përfaqësuesen e saj të denjë për tu përballur me sfidat edhe më të ashpra të kundërshtimit të sovranitetit dhe integritetit institucional.

Ambasadorja e Kosovës me përkushtim dhe me një veprimtari dinamike ishte e pranishme në shumicën e aktiviteteve politike, ekonomike, shkencore dhe institucionale të organizuara nga shteti italian dhe gjithkund është dalluar me angazhimin dhe prezencën dinjitoze duke favorizuar përherë paraqitjen evidente të emrit të Kosovës si shtet dhe partner i barabartë me mbi 200 vendet tjera që kanë të akredituar ambasadoorët e tyre në kryeqytetin e Italisë.

Ajo krijoi raporte të mira edhe me Parlamentin italian duke themeluar edhe grupin e miqësisë Itali-Kosovë me deputetë dhe senatorë, pastaj edhe krijimin e Odës ekonomike Itali – Kosovë. Kudo ku ishte e ftuar u mundua dhe arriti me sukses të ndikojë në krijimin e kushteve që Kosova të ketë bashkëpunim të favorizuar në raport me Universitete italiane, pastaj me Dhomat Regjionale të Tregtisë dhe të qyteteve të mëdha italiane. Kërkoi dhe siguroi mbështetje për ngritjen e Qendrës së studimeve të gjuhës italiane në Universitetin e Prishtinës, krijoi mundësi bashkëpunimi edhe për shoqatat kombëtare të shkencës dhe mjekësisë së Kosovës me ato italiane.

Në prill të vitit 2018 gjatë vizitës institucionale në qytetin e Padovës në mënyrë bindëse prezenton interesin dhe mundësitë potenciale të Kosovës në drejtorinë Dhomës speciale (Promex Padova) me rrjetin e fuqishëm informatik dedikuar aktiviteteve ekonomike internacionale themeluar me qëllim të përkrahjes së sistemit ekonomik të ndëmarrjeve padovane në raport me tregun global në zgjerimin e veprimtarisë në botën e jashtme, duke ndërlidhur potencialet dhe burimet e ndërrmarrjeve padovane dhe të veriut të pasur të Italisë me gjithë botën. Aty ajo shprehu interesimin e saj që sa më shpejt të fillojnë programet e bashkëpunimit mes realiteteve ekonomike –tregtare kosovare dhe padovane e më gjerë. Si rezultat i parë i këtij angazhimi brenda 2 muajsh u organizua Forumi ekonomik i biznesit Itali- Kosovë i cili u mbajt me 26 qershor 2018 me pjesëmarrjen e një delegacioni të lartë qeveritar të prirë nga ministri i atëhershëm i Tregtisë dhe industrisë, z. Bajram Hasani me bashkëpuntorë.

Në vazhdim të bashkëpunimit ekonomik të Italisë me Republikën e Kosovës, ambasadorja Alma Lama sivjet me rastin e jubileutt special të 100 vjetorit të themelimit,ishte e ftuar me 1 qershor 2019 në hapjen e Standit të Republikës së Kosovës, si dhe ishte e nderuar të mbante fjalë përshëndetëse në ceremoninë e hapjes së Panairit të madh internacional Fiera Campionaria di Padova bashkë me autoritete të larta shtetërore të Italisë që i bënë nder të veçantë Republikës së Kosovës. Meqenëse në pasditen e asaj dite ajo do të udhëtonte për në Romë ku ishte e ftuar në Takimin institucional të organizuar nga presidenti i Italisë Sergio Mattarella me rastin e festës së Republikës së Italisë, organizatori i ceremonisë në Panairin e Padovës iu drejtua me respekt ambasadores kosovare Alma Lama, me kërkesë që ajo ta përshëndeste kryetarin e Italisë edhe në emër të instituicioneve dhe autoriteteve të pranishëm me mesazhin se kishte parë që në Padovë po vazhdohet të punohet fort për rimëkëmbjen e ekonomisë italiane, zhvillimin e vendit dhe këmbimeve me vendet e shumta të botës.

Meqenëse sivjet është edhe 20 vjetori i përfundimit të Luftës së Kosovës dhe çlirimit të popullit të saj nga okupimi serb, Ambasada e Kosovës organizoi dy takime të rëndësishme në Romë. I pari u mbajt me 25 mars 2019 në Dhomën e Senatit të Parlamentit Italian, konferencë përkujtimore me titull ” Intervenimi humanitar i Natos në Kosovë – 20 vite pas luftës ” me praninë e disa prej personaliteteve italiane protagoniste të politikave ndërkombëtare të asaj kohe, si ish kryeministri Massimo D’Alema, ish- ministri Giulio Terzi di Sant’Agata, ish-ministri i ushtrisë Carlo Scognamilio Pisani, Emma Bonino, etj. Ish-kryeministri Italian Massimo D’Alema me këtë rast kujtoi se 20 vite më parë përkrah vendeve të Aleancës së Atlantikut Verior, Italia me forcat e saj të armatosura mori pjesë në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër Serbisë për të ndaluar luftën e pastrimin etnik që po kryente regjimi i Sllobodan Milloshevicit. Ai pasi kujtoi momente të rëndësishme vendimtare historike të asaj kohe, tha se nuk është penduar kurrë që ka nënshkruar dekretin e hyrjes së Italisë në luftë për çlirimin e Kosovës dhe se ndihet i përgjegjshëm dhe i vendosur në atë që ka kryer me qëllim të përfundimit të luftës në Kosovë.

Edhe pjesëmarrësit e tjerë duke kujtuar ato kohë gjatë fushatës ajrore së Natos në Serbi dhe Kosovë, nënvizuan rolin dhe rëndësinë si dhe përgjegjësinë e Italisë në operacionet luftarake si dhe në ndihmën dhënë refugjatëve kosovarë të larguar me dhunë nga Kosova nga ushtria dhe policia e Millosheviçit. Ata deklaruan se përkrahin Republikën e Kosovës në proceset e saj të zhvillimit demokratik si dhe punojnë për realizimin e shtetësisë së plotë të saj.

Takimi tjetër i rëndësishëm për të nderuar 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës ishte edhe edhe me 12 qershor 2019 në Centro Studi Americani në Romë, me ç’rast Ambasada e Kosovës mbajti ceremoninë e dhënjes së mirënjohjeve personaliteteve italiane të dëshmuara me përkrahjen dhe kontributin e tyre dhënë Kosovës për çlirimin e saj. Me këtë rast ambasadorja Alma Lama duke shprehur falenderimin në emër të qytetarëve të Kosovës iu ndau mirënjohje të merituara personaliteteve nga jeta institucionale, akademike, politike, pacifiste, religjioze, informative si dhe vëllezërve arbëreshë. Ishin shumë prekëse fjalët e sinqerta të falenderimit si dhe kujtimet e të nderuarve nga Vatikani, Ambasada Italiane e Paqes e hapur në Prishtinë disa vite para luftës, e sidomos nderimi i veçantë që i bëri ambasadores Lama, shtetit të Kosovës dhe të pranishmëve në sallë Zëvendësministrja e punëve të jashtme e Italisë, Sh.s. zonja Emanuela Del Re, e cila përsëriti përkrahjen e vazhdueshme të Republikës së Italisë në forcimin e shtetit të Kosovës, ruajtjen e paqes dhe të siguriosë në kuadër të Kfor si dhe dëshirën për ta ndihmuar Kosovën në proceset integruese në Unionin Europjan.

Në fund të javës që lamë pas, zonja Alma Lama , ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali, përmbylli me sukses mandatin e saj diplomatik të ngushtuar arbitrarisht me urdhër të ministrit të punëve të jashtme të Kosovës e me dekret të presidentit të Kosovës, duke vënë pikën një kapitulli të ndriquar të veprimit diplomatik dhe institucional, shembull i shërbimit me besnikëri e devotshmëri kushtetutës dhe shtetit të Kosovës.

Larginmi i saj nga pozita e ambasadores së Republikës së Kosovës ka lënë një zhgënjim të pallogaritur në institucionet italiane, si dhe në mesin e diasporës kosovare në Itali të cilën ajo e ka përkrahur vazhdimisht me pjesëmarrjen aktive të saj në manifestime të rëndësishme kulturore dhe integruese. Poashtu edhe në mesin e arbëreshëve , largimi i saj aspak nuk është pritur mirë sidomos për faktin që arbëreshë të shquar dhe organizata të rënësishme arbëreshe muaj më parë i janë drejtuar me letra të hapura ministrit të jashtëm dhe presidentit të Kosovës për ta rishikuar dhe anuluar vendimin për shkarkimin e ambasadores Alma Lama dhe përjashtimin e pasqaruar mirë dhe bindshëm të saj, nga puna në nga Ministrinë e punëve të jashtme të Kosovës.

Ambasadorja e nderuar e Kosovës Alma Lama, e kreu me sukses për aq kohë sa iu lejua misionin e saj diplomatik dhe historik duke bërë që veprimtaria e Ambasadës së Kosovës në Romë të bllokojë të gjitha iniciativat e politikës serbe të udhëhequr nga presidenti Vuçiq dhe ministri rrenacak dhe qaraman Ivica Daçiq. Edhe për peticionin aq të propaganduar nga ambientet filoserbe e filoruse në Itali e Serbi, që e kryen si detyrë shtëpie nostalgjikët e ish-Jugosllavisë dhe të ish Bashkimit Sovjetik, mund të thuhet lirisht që ishte previdenca e ambasadores Alma Lama dhe angazhimi i saj diplomatik qysh në nisje të tij para gjashtë muajsh ka bërë që ti priten mundësitë e procedimit për diskutim në parlamentin italian duke e kthyer në zero gjithë atë punë propagandistike të paguar majmë me rubla ruse dhe dinarë të Serbisë. Nuk do t’ju del asgjë nga ato nënshkrime të mbledhura, as nga ata tituj konzujsh e profesorash, sepse fati i Republikës së Kosovës është vendosur me 17 shkurt 2008 me shpalljen e Pavarsisë. Dhe është fat i mirë që pati kush ta mbrojë denjësisht pavarsinë e shtetit të Kosovës, i cili fatkeqësisht në këtë rast nuk diti dhe nuk deshi ta çmojë punën, sakrificën dhe mundin e njërës nga shërbyesit shembullorë të Republikës që nuk kërkoi asgjë më tepër se ti lejohet të vazhdojë të punojë në kryerjen e punëve të nisura deri në mbarim të afatit institucional të misionit si ambasadore e Kosovës në Itali, San Marino dhe në Maltë!/Botapress.net

Share: