Nga Ani Ruci, DW
Një kërkim shkencor i Prof. Daniel Ursprung arrin në përfundimin se media dhe shoqëria civile në ish vendet komuniste nuk duhet të lejojnë një lider të vetëm të bëhet shumë i fuqishëm dhe të ushtrojë të gjitha pushtetet.
Daniel Ursprung ka zgjedhur argumenta origjinale për këtë konkluzion të njohur. Ai ka studiuar se si shfaqet kulti i individit përmes fotove tek tre ish diktatorë komuniste: Stalinit, Nikolai Çausheskut dhe Enver Hoxhës. E përbashkëta e tyre: legjitimi i pushtetit përmes krijimit të një imazhi të idealizuar për veten e tyre.
Duke paraqitur rezultatet e këtij studime ai thotë për programin shqip të DW: “Që të tre i jepnin shumë rëndësi shfaqjes së personalitetit të tyre: në çdo institucion zyrtar, në gazeta, TV etj duke synuar të idealozonin imazhin e popullit për ata.”
Por në këtë synim të përbashkët studiuesi Daniel Ursprung ka gjetur edhe ndryshimin mes kultit teë individit tek Stalini, Çaushesku dhe Hoxha: “Në rastin e Enver Hoxhës ai ishte i interesuar të paraqitej si një lloj babai i kombit, të kishte shumë kontakte me njerëzit e thjeshtë në të gjithë Shqipërinë, të takonte fshatarë, punëtorë të fabrikave, gjë që duket qartë në fotot që kam studiuar. Ndërsa në rastin e dikatatorit komunist rumun, Nikolae Çaushesku në foto është vetëm ai, udhëheqësi dhe i pashoqëruar nga rumunët e thjeshtë. Diktotori komunist Hoxha e mori së pari modelin e ndërtimit të kultit të individit ngsa Stalini. Por me kalimin e kohës kulti i tij mori një lloj tradite kombëtare duke u lidhur me çështje të realitetit shqiptar, figurave kombëtare si Skëndërbeu apo luftëtarë si Çercis Topulli.” thotë Z. Ursprung.
Legjitimim i pushtetit në mungesë të zgjedhjeve të lira
Studimi fotografive të Stalinit, Çausheskut dhe Hoxhës e ka çuar Daniel Ursprung në konkluzione që i vlejnë së sotmes dhe fateve të demokracisë në vendet ish komuniste të Europës Jug- Lindore. “Komunistët erdhën në pushtet duke shkatërruar shoqërinë e vjetër dhe u përpjekur për të legjitimuar pushtetin e tyre në kushtet e mungesës së zgjedhjeve të lira. Prandaj u duhej kulti i individit, një formë karizmatike e lidershipit, ku lideri paraqitej pothuajse si një lloj shenjtori. Kjo duket qartë në rastin e Shqipërisë kur në çdo shtëpi në kohën e diktaturës komuniste kishte një fotografi të diktatorit Hoxha gjë që nuk ishte në Rumani psh.”
Mësimet nga e kaluara i shërbejnë të sotmes
Pasojat nga kulti i individit dhe përqëndrim i të gjitha pushteteve tek një njeri shërbejnë si mësime nga historia. Nuk mund të ndërtosh të ardhmen pa njohur të shkuarën përsërit Daniel Ursprung. “Mësimet nga e kaluara? Kurrë nuk duhet lënë një lider që të bëhet shumë i fuqishëm. Duhet ushtruar parimi i demokracisë “check and balance” – kontroll dhe ekuilibër. Nuk ka një person apo një institucion të vetëm që të ketë të gjitha pushtetet. Përkundrazi, në demokracui pushtetet nuk i ushtron një njeri i vetëm dhre as një institucion i vetëm. Është shumë i rëndësishëm roli i shoqërisë civile dhe i medias për të vëzhguar se çfarë po bën qeveria, për të kritikuar në kuptimin pozitiv të fjalës kultin e individit. Pikërisht ky ështe mësimi i madh që jep e kaluara,” thotë Z. Ursprung.
Në Shqipëri -shumë pak studime për diktaturën komuniste
Ky mësim përftohet dhe transmetohet në shoqëritë e sotme postkomuniste përmes kërkimeve shkencore për periudhën e diktaturës komuniste. Për fat të keq në Shqipëri të tilla studime janë të pakta. “Është shumë e rëndësishme të bëhen më shumë kërkime për periudhëm e komunizmit. Kam mbetur vërtet shumë i habitur që në Shqipëri ka shumë pak studime për periudhën e Hoxhës ndërkohë që në Rusi janë shkruar qindra mijra libra për Stalinin, po kështu edhe në Rumani për Çausheskun, kurse për Enver dhe periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri ka shumë pak. Dhe kjo është disi e çuditshme sepse Hoxha ishte në pushtet 40 vjet ndryshe nga Çaushesku që ishte vetëm 25 vjet,” thotë Daniel Ursprung.
Por ai beson se kjo është çështje kohe. Shembulli i studimit të periudhës se nazizmit ne Gjermani është një argument në favor të optimizmit të tij: ”Nëse shikojmë se çfarë ndodhi në Gjermani në 1945…u deshën rreth 20 vjet që të fillonin vërtet studime historike shkencore për periudhën e nazizmit. Më parë kishte shumë pak dhe jo kërkime të mirëfillta shkencore për atë periudhë. Edhe sot e kësaj ditëe në Gjermani zbulohen çështje të reja mbi periudhën e nazizmit, që kanë qenë krejt të panjohura. Mendoj se pas periudhash të gjata diktature njerëzve u duhet kohë që të distancohen prej tyre dhe vetëm pas kësaj studiues të rinj tregojnë interes për të zbuluar një periudhë ku ata nuk jetuan por që e kanë dëgjuar nga prindërit dhe gjyshërit e tyre. Jam optimist që në te ardhmen do të ketë më shuëm studime për periudhën e diktaturës komunsite në Shqipëri,” përfundon ai.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Aida Cama