Home KRYESORE Kur do të rikthehet vala e të nxehtit, parashikimi

Kur do të rikthehet vala e të nxehtit, parashikimi

Java e dytë e muajit korrik dhe nisja e javës së tretë po karakterizohet nga temperatura të ulëta dhe moti i freskët.

Temperaturat pësuan një rënie të beftë prej 10-12 gradë celsius.

Pritet që edhe ditët në vijim të jenë të freskëta duke u karakterizuar nga një rritje e lehtë temperaturash prej 1 apo 2 gradësh ku mëngjesi dhe mbrëmja do të jenë të freskëta dhe orët e drekës apo mesdita pak më të ngrohta.

Sipas Institutit Meteorologjik, Meteoalb, deri në mesjavë moti do të jetë i freskët dhe i karakterizuar nga rrebeshet e shiut, i cili do të përfshijë kryesisht zonat e jugut të vendit

“Deri në mesjave, moti mbetet i paqëndrueshëm ku vranësirat dhe shirat do të jenë të pranishme, më të theksuara në zonat Jugore – Juglindore, herë pas here në formë rrebeshi.

Që nga dita e enjte dhe në vijim pritet përmirësim i kushteve atmosferike duke sjellë motin e kthjellet dhe të nxehte” thuhet në njoftimin e Meteoalb.

Pas të enjtes së kësaj jave, temperaturat do të pësojnë rritje duke sjellë në ditët në vijim një tjetër valë të nxehti, e cila do të vijojë deri në fund të muajit korrik por edhe gjatë muajit gusht.

Temperaturat maksimale pritet të jenë nga 35 deri 37 gradë celsius. Megjithatë masat ajrore afrikane mund të nxisin një rritje edhe më të lartë temperaturash.

Parashikohet që edhe muaji Gusht të jetë përgjithësisht me mot të kthjellët dhe i karakterizuar nga temperatura të larta por jo ekstreme siç ishin ato të fund qershorit që shënuan një nga rekordet më të mëdha ku temperaturat shkuan deri mbi 41 gradë celsius

l.h/ dita

Share: