Home Ja Pse Shqipëria nuk behet si Zvicera “Ligj Censure”! Shoqatat e medias i kërkojnë Ramës të tërheqë nismën antishpifje

“Ligj Censure”! Shoqatat e medias i kërkojnë Ramës të tërheqë nismën antishpifje

Dhjetë organizata shqiptare të medias, përfaqësues të gazetarëve apo organizata të të drejtave të njeriut, publikuan një deklaratë kritike ndaj nismës së kryeministrit Edi Rama për “disiplinimin” e medias online, duke i quajtur projektligjet një mjet censure dhe duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të tyre

Autor: Gjergj Erebara | BIRN |

Projektligjet e propozurara nga kryeministri Edi Rama për “disiplinimin” e medias në internet u publikuan të enjten në faqen e Kuvendit të Shqipërisë duke shënuar nisjen e shqyrtimit parlamentar, por dhjetë organizata shqiptare publikuan një kritikë të ashpër të nismës duke kërkuar “tëheqjen e menjëhershme të tyre”. Organizatat BIRN Albania, Civil Rights Defenders, Instituti Shqiptar i Medias, Instituti Shqiptar i Shkencave, Këshilli Shqiptar i Medias, Qendra Res Publica, Qendra Shqiptare MediaLook, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë thonë se projektligjet në fjalë, jo vetëm që janë të paprecedenta si nisma ligjore në vendet e botës demokratike, por edhe të gabuara në thelb, të tilla që rrezikojnë vendosjen e një regjimi cenzure për fjalën e lirë në internet. “Projektligjet në mënyrë të paprecedentë në vendet demokratike, synojnë të krijojnë një regjim kontrolli administrativ mbi median online,” shkruhet në deklaratë. “Projektligjet i japin fuqi një enti administrativ shtetëror për të rregulluar përmbajtën e mediave online, ndërkohë që nuk adresojnë problemin e gjithpërhapur të propagandës së kamufluar si informacion dhe dizininformimit të sponsorizuar nga qeveria, njësitë e qeverisjes vendore dhe partitë politike,” vijon më tej deklarata. “Ne inkurajomë Qeverinë Shqiptare të tërheqë dy projektligjet si dhe i bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të mos i miratojë ato,” shkruhet në deklaratë. Kryeministri Edi Rama ka nisur prej kohës një fushatë denigrimi ndaj medias, shpesh duke akuzuar median si përgjegjëse për skandalet e ndryshme që kanë shpërthyer përreth qeverisë së tij. Kjo është nisma e pestë ligjore përgjatë një periudhe pesëvjeçare, përmes të cilave është synuar krijimi i një regjimi kontrolli ndaj “komenteve online”, medias në internet apo lirisë së shprehjes. Të katër nismat e mëparshme, të njohura si “Nisma Rama” për kriminalizimi i shpifjes ndaj zyrtarëve të lartë, Amendamenti “Bregu” kundër komenteve online, “projektligji Harito” për tregtinë elektronike dhe “propozimi Balla” për regjistrimin e portaleve në kohë zgjedhjesh, kanë dështuar të miratohen pas protestave vendëse dhe ndërkombëtare. Por asnjë nga këto nisma nuk mbërriti deri në fazën e dorëzimit si projektligj në parlament, siç është rasti i dy projektligjeve të fundit.

Në relacionet e projektligjeve [link] qeveria përpiqet të argumentojë nevojën për nisma të tilla me një gjuhë thuajse oruelliane, ku disa shqetësime konkrete për gjendjen e medias, të tilla si përqendrimi i industrisë së televizioneve në pak biznese, përdoren për të justifikuar krijimin e një regjistri kontrolli për të gjitha publikimet në internet, nga faqet e mediave konvencionale deri te blogjet personale të qytetarëve.

“Miratimi i këtyre projektligjeve në formatin aktual apo me ndryshime kozmetike do të ishte një hap pas për demokracinë dhe liritë themelore në Shqipëri dhe procesin e integrimit të vendit në familjen evropiane,” shkruajnë organizatat.

Kliko këtu për të lexuar deklaratën të plotë në shqip dhe anglisht

Kliko këtu për të lexuar projektligjet dhe argumentet e qeverisë për to.

Share: