Ashraf 3, Shqipëri, 12 korrik – Udhëheqësja e opozitës iraniane, Maryam Rajavi, u zotua të premten se Irani ndodhet pranë një kthese historike dhe fitorja e popullit dhe rezistencës iraniane kundër regjimit teokratik është e sigurtë.
Maryam Rajavi, e cila është Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ishte folësja më e spikatur në një konferencë në Ashraf-3, ku banojnë mijëra anëtarë të grupit kryesor opozitar iranian, Mujahedin-e Khalq (MEK).
Ky ishte evenimenti i parë i këtij lloji në Ashraf-3, i cili është ndërtuar gjatë 18 muajve të shkuar nga opozita iraniane duke përdorur burimet e veta, në afërsi të Manzës në Shqipëri, 30 km larg kryeqytetit shqitar, Tiranës.
Disa dhjetëra ish-zyrtarë të lartë nga të dyja anët e Atlantikut, duke përfshirë Kryebashkiakun Rudy Giuliani që është avokati personal i Presidentit Trump, Senatorin Joseph Lieberman, Sekretarin Tom Ridge, Drejtorin Louis Freeh, Gjeneralin George Casey, Gjeneralin James Conway, Michelle Alliot Marie, ish-Ministre e Jashtme dhe e Mbrojtjes e Francës, Ingrid Betancourt, ish-kandidate presidenciale në Kolumbi, e cila ka qenë e mbajtur peng; nga SHBA dhe Europa morën pjesë në konferencë.
Konferenca u mbajt në një sallë gjigante të ndërtuar së fundmi, e cila është kthyer në një ekspozitë të veçantë, ku shfaqet në 3D lufta 120-vjeçare e popullit iranian për liri e demokraci.
Në një pjesë të fjalimit të saj, Znj. Rajavi tha, “Sot në Ashraf 3, jemi mbledhur në një Ekspozitë ku shfaqen 120 vite të luftës së popullit iranian për liri. Një luftë me ulje e ngritje të panumërta, me shumë disfata e triumfe, së cilës i kanë dhënë jetë lotët dhe buzëqeshjet e një kombi të lidhur me zinxhirë e të shtypur nga dy diktatura, monarkia e mëparshme dhe pas saj një regjim fetar e tiranik. Por ne jemi duke çarë përpara në rrugën drejt fitores së sigurtë.”
“Një nga hallkat që mungonte në lëvizjet e mëparshme të popullit iranian ishte organizimi koherent dhe përpjekja e organizuar, së bashku me një forcë të vendosur e të rexhur nga betejat, e cila të ishte e përgatitur për të bërë çfarëdo sakrifice që të nevojitej. Si rezultat, përpjekjet e mëparshme të popullit nuk kanë patur sukses pavarësisht gjithë sakrificave. Dhe sot, Ashraf 3 mishëron rezistencën e organizuar të popullit të Iranit për liri,” shtoi ajo.
Duke iu referuar përparimeve të bëra nga Rezistenca Iraniane, znj. Rajavi theksoi, “Sot, kemi arritur një pikë kthese historike. Një Ashraf i cili është ngritur edhe një herë, krenar dhe i fuqishëm, duke shdritur në zenitin e kësaj Rezistence. Ky Ashraf është riprodhuar 1000 herë në formën e njësive të rezistencës në mbarë Iranin. Dhe një shoqëri shpërthyese e cila nuk ka ndërmend t’i durojë më mullahët, me dëshirën për t’i përmbysur ata…. Populli iranian dhe historia e tyre po çajnë përpara në rrugën drejt fitores së sigurtë.”
Duke iu referuar ekspozitës së 120 viteve të Luftës për Liri, Kryebashkiaku Giuliani tha, “Është një gjë të dëgjosh emrat dhe numrat, por është krejt ndryshe të shohësh fytyrat e 120,000 njerëzve të vrarë—martirë që kanë humbur jetën sepse gjithçka që donin ishte ajo që na takon të gjithëve si qenie njerëzore: Liria.”
Senatori Lieberman shtoi, “Ju na keni dhënë mundësinë të jemi besnikë ndaj parimeve tona kombëtare, siç thotë deklarata jonë e pavarësisë, ‘të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë nën Zotin.’ Po këto të drejta i janë dhënë çdo fëmije e çdo të riu jeta e të cilit është këputur nga ky regjim brutal.”
Gjatë konferencës, personalitetet dëgjuan dëshmi nga anëtarë të MEK të cilët kanë duruar personalisht disa vite torture në burgjet e regjimit, duke përfshirë të mbijetuarit e masakrës së 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën në Iran, apo kanë qenë viktima të sulmeve terroriste nga proksit irakenë të regjimit iranian.