Home KRYESORE Mes tensioneve për Teatrin, flet Gaz Paja: Ja përse e mbështes shembjen...

Mes tensioneve për Teatrin, flet Gaz Paja: Ja përse e mbështes shembjen e tij

Aktori i njohur i humorit Gazmend Paja ka folur së fundmi për çështjen e Teatrit Kombëtar. Në një intervistë ekskluzive për “Mapo”, Paja ka argumentuar qëndrimin e tij pro shembjes së godinës aktuale të teatrit dhe jo vetëm. Ai është shprehur se marrëveshja e nënshkruar mes Partisë Demokratike dhe artistëve që e kundërshtojnë ndërtimin e një godine të re, ka veçse karakter të pastër politik. Ndërsa pyetjes se si e parashikon një përplasje finale qeveri-aktivistë, Paja i është përgjigjur se nuk do ta dëshironte kurrsesi një të tillë.

Është bërë një vit e gjysmë që protestohet përpara godinës së Teatrit Kombëtar, për projektin që thuhet se do të marrë jetë. Madje, mëngjesin e së mërkurës, pati edhe përplasje mes forcave policore dhe aktivistëve. Si mund ta përkufizoni ju këtë betejë jetëgjatë?

Po, është e vërtetë që fatkeqësisht ka një vit e gjysmë që protestohet dhe pengohet një proces kaq i rëndësishëm për ne, për qytetin, për brezat e ardhshëm. Unë jam pjesë e komunitetit artistic dhe kam pasur nderin të luaj në disa premiera në skenën e Teatrit Kombëtar. Pra, kam pasur mundësinë ta prek fizikisht skenën dhe çdo ambient të teatrit. Tashmë jam i bindur që ky teatër i nderuar është plakur deri në pikën që nuk ofron dot më as kushtet minimale që një artist të shpalosë artin e vet në të. Një Teatër i ri do të na jepte mundësinë të përfaqësohemi me dinjitet e profesionalizëm përballë kolegëve tanë nëpër botë. Ju siguroj me bindje që Shqipëria ka shumë artistë të zotë dhe ka nevojë për një teatër dinjitoz.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nënshkroi mëngjesin e së enjtes marrëveshjen me artistët, se sapo të jetë në mazhorancë do të anulojë ligjin që parashikon prishjen e Teatrit Kombëtar.Gjithashtu, PD-ja mori përsipër që Teatrin Kombëtar ta shpallë monument kulture, duke e ndalur përgjithmonë prishjen e tij, për t’i hapur rrugë vetëm restaurimit. Çfarë mendoni për këtë pakt me opozitën?

Është për të ardhur keq që këto marrëveshje të cilat bëhen për interesa të pastra politike, po tentojnë të lënë pas një projekt që do të nderojë secilin nga ne, madje dhe ata që po luftojnë ta pengojnë sot. M’u dha mundësia të kem opinionin dhe vendimin tim në të mirë të qytetit. Me këtë rast dua të sqaroj pozicionin tim të qartë në këshillin bashkiak. Jam aty, sepse besoj në projektin dhe vizionin e Erion Veliajt për Tiranën dhe Teatri i ri Kombëtar është një nga projektet e tij në mandatin e dytë. E di që fjalët e mia do keqpërdoren, por nuk jam unë i rëndësishëm, është projekti për Tiranën.

Aktivistët kërkuan ditën e mërkurë mbështetje politike, institucionale, morale dhe njerëzore në mbarë hapësirën europiane, që projekti i qeverisë të ndalet një orë e më parë. Mendoni se do ta gjejnë një mbështetje të qenësishme?

Në shumë vende të botës teatrot janë në zemër të qytetit, pra bota e ka dhënë në një farë mënyre përgjigjen e saj.

Një përplasje finale, si dhe kur e shihni?

Si fillim nuk mendoj se do të ketë përplasje, nuk dua të ketë përplasje. E vetmja përplasje midis nesh duhet të jetë ajo skenike. Unë kam energji dhe dua ta shpërndaj artin tim si shumë artistë të tjerë. Ky është shansi./faxnews.al

Share: