Home KRYESORE Teatri Kombëtar, pjesë e dinjitetit kombëtar dhe qytetarisë shqiptare

Teatri Kombëtar, pjesë e dinjitetit kombëtar dhe qytetarisë shqiptare

Nga: Dr. Enriko Ceko

Dinjiteti është e drejta e individit dhe e grupeve të ndryshme shoqërore për t’u vlerësuar, respektuar e trajtuar në mënyrë etike. Tashmë dinjiteti si koncept trajtohet në shkencat ligjore, etike, të moralit si një vazhdimësi e denjë e ideve të Rilindjes evropiane, si një e drejtë e pamohueshme. Gjithashtu, termi merr edhe përdorimin e të sjellurit me dinjitet ga ana e individëve dhe grupeve shoqërore.

Në ditët tona termi “dinjitet” përdoret në politikë për kritikën që i bëhet trajtimit të grupeve të caktuara të popullsisë apo shtresave vulnerabël, duke u mohur të drejtat dhe pritshmëritë e tyre. Pra, termi lidhet me respektin dhe statusin qytetar.

Dnjiteti mund të dhunohet në mënyra të ndryshme, që janë poshtërimi, instrumentalizimi, degradimi, dehumanizimi, varfërimi, etj.
Poshtërimi, ka të bëjë me poshtërimin dhe uljen e individëve, shpesh duke përdorur edhe dhunën, gjë që sjell vetëvlerësim të ulët të personit apo grupit. Për shembull, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj përdor së fundmi termin “histerikët” për ata që prostojnë për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, apo Kryeministri Edi Rama përdori termin “ngelës” për studentët që protestuan në dhjetor të vitit 2019 kundër Ligjit 60/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

Instrumentalizimi, ka të bëjë me përdorimin e individit apo një grupi njerëzish për arritjen e disa qëllimeve të caktuara. Për shembull, javës që shkoi, disa gra u përdorën nga ane qeverisë për të grabitur materialet nga magazine e Teatrit Kombëtar dhe së bashku me to, edhe e disa punonjësve të rendit publik.

Degradimi, është dhunimi i dinjitetit të njeriut me akte që degradojnë vlerat e qenieve njerëzore. Këto akte, edhe nëse nuk bëhen me qëllim, kanë në vetvehte mesazhe që ulin apo pakësojnë rëndësinë e vlerave që kanë qeniet njerëzore. Kryerja e akteve të tilla konsiderohet e papranueshme nga shoqëria moderne. Mos ofrimi i shërbimit cilësor shëndetsor në spitalet publike gjatë qeverisjes së këtyre viteve të fundit është një shembull tipik i degradimit të qenies njerëzore.
Dehumanizimi, ka të bëjë me akte që çveshin njeriun nga karateristikat humane. Kjo përfshin edhe trajtimin e njerëzve si kafshë apo si një tip i ulët i qenies njerëzore. Rasti i shtimit të numrit të atyre që e sigurojnë jetësën me metoda anti humane dhe rritja e numrit të atyre që duan të largohen nga Shqipëria është rast tipik i tendencës për dehumanizim në Shqipëri.

Disa nga praktikat e çvlerësimit të dinjitetit të njeriut përfshijnë edhe torturën, dhunimin, përjashtimin social, përjashtimin nga puna, etj.
Edhe varfëria relative dhe varfëria absolute konsiderohen tashmë si dhunim i dinjitetit njerëzor, duke përfshirë këtu edhe padrejtësinë sociale që shoqëron këto kushte. Kj bën që ata që jetojnë në varfëri absolute dhe relative të kenë mangësi në veshje, ushqim, ngjarje sociale, edukim, etj në krahasim me qytetarët e tjerë dhe kjo sjell rënie të vlerave morale dhe përjashtim social, margjinalizim dhe humbje të vetërespektit.

Në Shqipëri rreth 25% e popullsisë jeton vetëm me 100 lekë në ditë, rreth 25% tjetër e popullsisë jeton vetëm me 300 – 500 lekë në ditë dhe rreth 20% tjetër e popullsisë jeton me vetëm 700 lekë në ditë. Pra, rreth 70% e popullsisë së vendit është në varfëri absolute dhe varfëri relative, duke bërë që dinjiteti i shqiptarëve të ketë shkuar në fund të dyshemesë. Kjo është dhurata më e madhe që i ka bërë kjo qeverisje Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Emanuel Kanti e lidhte dinjitetin me atë që ai e quante “vullneti i lirë”, që sipas tij është esencial për qytetarinë, e cila duhet të zgjedhë veprimet e veta në liri dhe me vullnet të lirë. Filozofët e shekullit XX, Mortimer Adler dhe Alan Gewirth, argumentojnë se nëse ekziston dinjiteti, atëhere qytetarët janë në gjendje të synojnë, të arrijnë dhe mirëmbajnë mirëqenien.

Në aspektin religjioz, dinjiteti i qenies njerëzore i ka rrënjët në krijimin e njeriut sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë (kristianizmi), lëmosha nuk duhet të jepet në sytë e publikut për të mos ofenduar të varfërit (judaizmi), besimi i vërtetë është garancia për arritjen e dinjitetit drejt perfeksionit njerëzor (islamizmi), zgjedhja e rrugës drejt perfeksionit është e drejtë e gjithkujt (budizmi).

Mbështetur në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, të tëra qeniet njerezore kanë lindur të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta. Njerëzit janë të pajisur me arsye dhe koshiencë dhe duhet të veprojnë me të tjerët me shpirtin e vëllazërisë, pa dallim race, ngjyre, gjinie, besimi fetar, opinionesh politike, origjine, përkatësie sociale, prone, apo gjendje të tjera.
Në Bashkimin Evropian, Neni 1 i Kartës së të drejtave themelore të BE-së konfirmon padhunueshmërinë e dinjitetit njerëzor.

Në Shqipëri, edhe pse ligjet janë të shkruara bukur, dinjiteti i qytetarit nëpëkëmbet në kufijtë e poshtërimit më të rëndomtë.

Për shembull, në administratën publike të Shqipërisë rreth 70 e të punësuarve janë me arsim nëntëvjeçar dhe të mesëm, duke ulur e nëpërkëmbur dinjitetin e atyre që kanë më shumë shkollë dhe duke e kthyer administratën publike në vegël në duarte një grupi njerëzish të korruptuar, të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, që kanë marrë të tëra karakteristikat e një organizate kriminale në pushtet.

Pakësimi i financimit me anë të buxhetit të shtetit të sektorëve si shëndetsia, arsimi, bujqësia dhe ushqimi, rendi publik, ushtria, etj, janë tregues se sa pak vlen jeta e qytetarëve dhe dinjiteti i tyre në Shqipëri.

Sjellja arrogante dhe mendjemadhe e niveleve të larta të pushtetit me qytetarët dhe me pronën publike tregon fare mirë se koncepti i dinjitetit është nëpërkëmbur rëndë.

Shkallmimi i pronës publike në favor të interesave të caktuara klienteliste, mbështetur me ligje speciale, që hartohen për grupe dhe individë të caktuar, me synim glabërimin e pronës publike, duke u dhënë mundësi disave në dëm të interesave të publikut, është në mënyrë të drejtpërdrejtë shkelje e dinjitetit të qytetarisë dhe kryesisht e dinjitetit të shtresës së mesme në vend.

Rasti i tentativës për kalimin e pronësisë së pronës publike të Teatrit Kombëtar si në lidhje me ndërtesën ashtu dhe në lidhje me truallin poshtë këtij teatri, nëpërkëmb dhe ul shumë poshtë jo vetëm dinjitetin e disa artistëve dhe qytetarëve, që protestojnë kundër shkatërrimit të kësaj vlere të pakrahasueshme të artit, kulturës, traditës, historisë së kryeqytetit, por në radhë të parë nëpërkëmb dhe ul shumë poshtë dinjitetin e tërë banorëve të kryeqytetit dhe të tërë Shqipërisë.

Ngjarja e Teatrit Kombëtar, ku prej më shumë se 18 muajsh protestohet çdo natë, tregon fare mirë se kjo qeveri është tërësisht e pamoralshme dhe e palogjikshme. Tentativa për dëmtimin dhe shkallmimin e kësaj prone publike nuk është thjesht për përfitime materiale të disa personave afër niveleve të larta të qeverisjes, por është një tentativë për shkallmimin dhe dëmtinin e dinjitetit të qytetarisë shqiptare dhe të së ardhmes së saj.

Më shumë dinjitet të nderuar qytetarë të kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë, për të mos lejuar askënd që të marrë nëpër këmbë të drejtat, vlerat dhe shpresat tona për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.

Më shumë dinjitet të nderuar qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, jo vetëm për vehten tonë, por më shumë për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

Më shumë dinjitet të nderuar. Më shumë dinjitet. Në fund të fundit, ajo që mbetet nga e tërë jeta jonë është dinjiteti. Me vehte nuk marrim as paratë dhe as lavdinë. Por me vehte marrin në varr vetëm dinjitetin, dhe është pikërisht po ky dinjitet që u lemë pas fëmijëve, nipave tanë dhe mbesave tona.

Më shumë dinjitet për Shqipërinë.
Më shumë dinjitet për shqiptarinë.
Më shumë dinjitet për sejcilin prej nesh.

Ne jemi tashmë çdo natë me njëri tjetrin për të mbrojtur Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Eksperimental dhe kjo mbrojtje që i bëjmë këtyre dy teatrove është pjesë e ringritjes tonë kombëtare, është pjesë e dinjitetit tonë kombëtar dhe e dinjitetit të artistëve tanë që i duam pa asnjë kusht, sepse ata na kanë dhuruar dhe na dhurojnë një pjesë të shpirtit të tyre për të përmirësuar shpirtin tonë. Është arti ai që përmirësin shpirtin e qytetarëve dhe teatri është një lloj shumë i veçantë arti, që ndikon në mënyrë të padiskutueshme pozitivisht në shpirtin e sejcilit prej nesh.

Ju ftoj të gjithëve që të vendosim sadopak nga shpirti ynë, për të mbrojtur Teatrit Kombëtar dhe atë Eksperimental, që tashmë janë kthyer në shpirtin e kryeqytetit. Tashmë të gjithë që njoh më pyesin: “Ç’bëhet te teatri?” dhe unë u përgjigjem se nëse Teatri Kombëtar bie, atëhere ka rënë edhe shpirti i dhunuar i kryeqytetit dhe kjo është në fakt pikërisht ajo që kërkon Edi Rama. Ai nuk kërkon thjesht tokën dhe ndërtesën e teatrove. Ai kërkon që të na dhunojë shpirtin. Por kjo nuk ka për të ndodhur kurrë, sepse ne jemi qytetarë me dinjitet, me vlera, me respekt për vehten tonë dhe për të ardhmen tonë të përbashkët në këtë vend që i themi Shqipëri.

Share: