Home KRYESORE Teatri Kombëtar, Rama: Çështje politike (ironizon Metën)

Teatri Kombëtar, Rama: Çështje politike (ironizon Metën)

Asnjë shenjë tërheqje! Kryeministri Edi Rama tha se plani për të ndërtuar një teatër të ri do të vazhdojë. Pavarësisht protestave të vazhdueshme kundër shembjes, Rama tha se godina aktuale është e pamundur të rikonstruktohet.

“Nuk mund të rikonstruktohet. Çështja është politike, mediokritet dhe kapu pas asgjësë për të bërë zhurmë. Nuk kemi ne asnjë interes për të bërë zhurmë nëse nuk kemi bindjen që e ardhmja ndërtohet sot dhe sot nuk mund të bëjmë diçka që të mos i vleje të ardhmes. I respektoj ata që janë kundër, por nuk mund të jemi të gjithë dakord”, tha Rama.

“Është përhapur fjala se trualli do të përdoret për zhvillim privat. Është e pavërtetë. Asnjë centimetër i truallit nuk do të përdoret për zhvillim privat. Zhvillimi privat vjen pas murit rrethues të teatrit. Nëse ne do të ishim të interesuar për zhvillimin privat, jo për teatrin, do ta kishim të lehtë që t’i qetësonim të gjithë këta. Do të bënim kopjen e teatrit ekzistues në të njëjtët kufij dhe do të ishim në rregull. Me projektin e ri kërkojmë shumë më tepër fond nga privati për ta këmbyer me një truall që është mbrapa teatrit ku sot ka ferra, mbeturina dhe teneqe”, tha më tej Rama.

I pyetur përse Qeveria nuk pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku Presidenti i Republikës ka ankimuar ligjin për teatrin, Rama ironizoi: “Nuk presim dot tërmetin për të marrë vendime të tjera…”/ Opinion.al

Share: