Home Gjeo-Ekonomia Ekspertja: Ndryshojnë politikat e zgjerimit të BE, ndikohet Ballkani perëndimor

Ekspertja: Ndryshojnë politikat e zgjerimit të BE, ndikohet Ballkani perëndimor

Një ndryshim i heshtur, por thelbësor, po i bëhet politikave të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Me afrimin e mbarimit të mandatit të Komisionit aktual Evropian, duket se çdo plan për zgjerimin e unionit po ndjek të njëjtën rrugë. Zgjerimi po kthehet në politikën që nuk duhet të përmendet – të paktën, në mbledhjet bashkiake dhe parlamentare në Evropën perëndimore.

Nuk është sekret që shumica e qytetarëve evropianë janë kundër zgjerimit. (Në mënyrë të habitshme austriakët dhe gjermanët, të cilët kanë përqindjet më të mëdha të diasporave të Ballkanit, janë ndër më skeptikët në lidhje me zgjerimin.

Por ashtu si tregon Eurobarometri, ky nuk është një trend i panjohur. Ajo që ka ndryshuar është angazhimi i politikëbërësve për të mos devijuar nga pritshmëritë e qytetarëve të tyre për çështje periferike siç konsiderohet zgjerimi.

Një deputet gjerman tha së fundmi se: “për shkak të frikës nga migracioni, zone stij elektorale po e ndjek me vëmendje një vendim të mundshëm për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, edhe pse ky do të ishte vetëm një hap i vogël, larg anëtarësimit, ai do të perceptohet negativisht nga publiku në këtë moment.

Sigurisht, arsyet e kësaj sjelljeje shkojnë përtej krizës së migracionit. Ato kanë të bëjnë me zhvillimet ndër vendet anëtare, me problemet e Rumanisë dhe Bullgarisë, me mangësitë në sundimin e ligjit në Poloni dhe Hungari dhe me mungesën e ndikimit të BE-së ndaj këtyre vendeve.

Më e rëndësishmja, frika e evropianëve për qëndrueshmërinë e BE-së – me një shumicë të qytetarëve që besojnë se ekziston një mundësi reale që BE-ja të shpërbëhet në 20 vitet e ardhshme –  duket se tregon për një drejtim tjetër, të forcimit të lidhjeve mes vendeve anëtare më shumë se sa të shtimit të numrit të tyre.

Me fjalë të tjera, qëndrimi francez pro frenimit të zgjerimit ka të bëjë pak me Ballkanin Perëndimor se sa me dëshirën për t’i dhënë përparësi cilësisë së integrimit.

Megjithatë, vizita e fundit e Macron në Beograd dukej se po shkëputej nga ky model. Për herë të parë në dekada, një president francez i kushtoi kohë dhe kapital politik një vendi të Ballkanit Perëndimor.

Në konferencën për shtyp me Vuçiç, Macron mbajti një qëndrim miqësor ndaj vendeve të rajonit (gjë që herë pas here i nxiti të pranishmit ta ndërpresin me duartrokitje). Por ai nuk përmendi procesin e anëtarësimit, përkundrazi u përqëndrua në bisedimet Serbi-Kosovë.

Macron premtoi se do të ndihmonte në rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, duke riafirmuar angazhimin e Francës për formatin e përbashkët me Gjermaninë, format të cilin ai ndihmoi të krijohej në Berlin në muajin prill.

Qeveria gjermane e mblodhi takimin e Berlinit për të prerë bisedimet prapa-skene midis Vuçiçit dhe Thaçit, mbi një marrëveshje të mundshme të shkëmbimit të territorit.

Kancelarja Merkel ftoi liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor të shprehin shqetësimet e tyre rreth një reaksioni zinxhir që një marrëveshje e tillë mund të shkaktonte – dhe të bindte Macronin që të ndihmonte atë për të riadresuar bisedimet mes Vuçiç dhe Thaçit.

Takimi gjithashtu dha mundësi për të theksuar faktin se negociatat e kishin nxitur kryeministrin (e dorëhequr) të Kosovës, Haradinaj, të vendoste një taksë 100% për mallrat serbe.

Që atëherë nuk ka ndryshuar shumë. Edhe pse Haradinaj është detyruar të japë dorëheqjen, pasi është thirrur nga prokurorët e krimeve të luftës në Hagë, Kosova nuk ka lëshuar ndaj presioneve për të shfuqizuar taksën. Diplomatët francezë shpresojnë që një qeveri e re në Prishtinë do të përpiqet të heqë barrierat me Beogradin.

Parisi do që Kosova dhe Serbia të fillojnë një proces që do të lehtësojë tensionin politik dhe do të përmirësojë sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Edhe Berlini e dëshiron këtë. Por ai gjithashtu dëshiron të rishfaqë kontrollin mbi dialogun midis vendeve – të cilin Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE-së, e drejtoi me pak transparencë drejt shkëmbimit t propozuar të territoreve.

Mesazhi i Francës dhe Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor është i qartë: vendet në rajon duhet t’i japin përparësi përpjekjeve për të treguar nivel të mjaftueshëm të politikave qeverisëse – atyre do t’u lejohet të nisin proceset e integrimit vetëm pasi ta kenë arritur këtë. Kështu është ende herët për t’u thënë nëse vendet e Ballkanit Perëndimor po shkojnë drejt anëtarësimit në BE apo thjesht po bashkojnë disa sektorë të ekonomive të tyre me tregun evropian.

Me Komisionin e ardhshëm Evropian që zor se do të ketë zgjerimin në axhendë, përfaqësuesi i ardhshëm i BE-së për politikën e jashtme do të ketë mjaftueshëm ndikim në rajon. Kur Josep Borrell të lërë postin e tij si Ministër i Jashtëm në Spanjë dhe të marrë detyrën e re, do t’i duhet të tregojë europianizëm në Ballkanin Perëndimor.

Me largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja – dhe tkurrjen e aktivitetit diplomatik të saj në rajon – Borrell, në dialogun Kosovë-Serbi, do të detyrohet të rreshtohet me Berlinin dhe Parisin. Për të prodhuar zgjidhje të qëndrueshme, çdo marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës do të duhet të përfshijë aspekte të gjera politike të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Krijimi i një të ardhme të përbashkët për komunitetet e veriut të Kosovës dhe juglindjes së Serbisë do të duhet një pamje afatgjatë se sa thjesht një demarkacion territori.

Dakordësitë komplekse mes rajoneve përbërëse të Spanjës sjellin një shembull të mirë se si vendet mund të arrijnë një marrëveshje që tejkalon ndarjet etnike.

Ka shembuj të mirë të kësaj edhe në Ballkanin Perëndimor: marrëveshjet mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe ajo mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë saktësisht ai lloj gjesti politik që tregon se vendet janë të gatshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet afatgjata. Forcimi i vullnetit politik për të arritur marrëveshje të tilla, dhe dhënia ndihmë qytetarëve për t’i kuptuar ato, ka për të qenë shqetësimi kryesor i përfaqësuesit të ardhshëm më të lartë të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa BE rikalibron politikat e saj për Ballkanin Perëndimor, fuqi të tjera po rrisin lojën e tyre atje. Rajoni ka qenë për mjaft kohë në fokus të përpjekjeve të Kinës për të zgjatur nismën e saj të rrugëve në Evropë. Ka një prani të dukshme kineze në pothuajse çdo cep të rajonit. Ndërkohë, bashkëpunimi ushtarak midis Beogradit dhe Moskës po lulëzon – për të “ruajtur integritetin territorial të Serbisë”, siç thotë Vuçiç. Qyteti jugor serb pret “Qendrën Humanitare Ruse-Serbe”, e cila vlerësohet gjerësisht si themel i mundshëm për prani ushtarake ruse në Serbi.

BE nuk duhet të presë për shumë kohë para se të shkojë drejt një qasje më të afërt për çështjet ekonomike, migracionin, dhe çështjet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Teksa rikalibron mjetet e saj të politikave, BE duhet të sqarojë se vëmendja është te vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të veprojë me përgjegjësi.

Pjekuria dhe zgjedhjet e tyre politike – jo kurdisjet burokratike që karakterizojnë procesin e pranimit – do të vendosin tonin e marrëdhënies së tyre me BE më tepër se në dhjetëvjeçarët e fundit.

Vessela Tcherneva është zv/drejtore e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe shefe e zyrës së Sofjes, raporton Dita duke iu referuar mediave nderkombetare.

e.ll./dita

Share: