Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Kur problem është Drama dhe jo Teatri. (Militante te semure, qendroni larg...

Kur problem është Drama dhe jo Teatri. (Militante te semure, qendroni larg ketij shkrimi)

E kuptoni vërtet që problemi nuk është as fare Teatri?

Nga Amarildo Pregapuca

Problemi kryesor është drama e madhe, e cila po luhet në çdo hap tonin, drama që “ne” nuk jemi më “tanët”.

Diskutimi mbi vetë teatrin do të ishte i thjeshtë,produktiv dhe cilado të ish rezultantja, në fund do të kishim një Teatër Kombëtar tonin, të gjithe ne shqiptarëve.

Po kemi një Teatër “tyrin”, një “tonin”, një as “tyrin” dhe as “tonin”, si gjithçka tjetër. Kjo dramë është aq e përhapur dhe aq e mirëushqyer (s’dihet apo dihet nga kush dhe ku), sa na duket më se normale, madje disa nxitojnë ta quajnë pikërisht këtë dramë, me titullin e nderit “Sukses të Demokracisë”.

Duket më se normale, që nëse “ne” mendojmë të ndërtojmë diçka, “ata” duhet me doemos ta kundërshtojnë me të gjitha format dhe mënyrat, nga “forca” te shpifjet, manipulimet, ekzagjerimet, keqinterpretimet, akuzat, sharjet… dhe vice-versa, nëse “ata” duan të ndërtojnë.

E keni vënë re me mikun, shokun apo shoqen tuaj, apo dhe njeriun tuaj (në jetë apo rrjete sociale)?

Shkoni mirë, pëlqeni mendimet apo krijimet e njëri-tjetrit, mezi ç’prisni të takoheni dhe të pini një kafe apo të hani një drekë a darkë së bashku dhe t’ia shtroni gjerë e gjatë bisedave dhe shakave…

Ai apo ajo fillon t’ju tregojë se ka ndërmend të hapë një biznes dhe flet mbi idenë dhe ti i thua se ideja është e bukur dhe i sugjeron gjithçka di dhe mundesh rreth idesë…

Ti i thua se ke ndërmend të blesh një shtëpi dhe ai apo ajo, pasi të dëgjojnë me vëmendje, të ofrojnë tërë arsenalin e njohjeve të tyre rreth shtëpive, madje dhe numra kontakti për ndonjë ndërtues apo mobilier… dhe një “Gëzuar” e përplasni gotat për të festuar momentin; por nëse biseda mund të bjerë rastësisht rreth “Sheshit” apo rreth “Amfiteatrit te Liqeni”… pasi një koncert apo aktivitet do të zhvillohet aty… apo ndaj çdo investimi publik, atmosfera ndryshon.

Për çdo diskutim pas kësaj, gjendet një ton dhe logjikë totalisht asgjësuese, jo vetëm për personin apo grupimin që ka iniciuar atë ndërtim, por dhe për vetë ndërtimin.

Fjalët: “korrupsion”, “mafie”, “para droge”, “abuzim”, “diktaturë”, do të jenë pjesa dërrmuese e ndërtimit të fjalisë, pavarësisht gjatësisë së saj.

Idetë miqësore, improvizuese apo ndihmuese që shkëmbyet vetëm disa minuta më parë, nuk ekzistojnë më, duket se janë gëlltitur me ushqimin apo tretur me pijen dhe kaluar nga aparati i tretjes drejt aparatit të jashtëqitjes, që është dhe gjuha logjike që mbizotëron tashmë komunikimin.

Ju, miku apo mikja juaj, pësoni metamorfozën “normale” dhe shumë “të kuptueshme”, tashmë nga të gjithë, kur flitet “për politikë”.
Ju as nuk folët për politikë.
Ju folët thjesht për një investim publik, të përbashkët, që ju shërben bashkërisht njëlloj…

-Pavarësisht, do të pëshpëriste logjika “normale” tashmë, e pranimit të anormalitetit…- Ka lidhje me politikën, ndaj anormaliteti është normal.

Dikush apo disa, na kanë bërë ta pranojmë si “tepër normale” këtë Dramë të anormalitetit logjik, shoqëror dhe mbi të gjitha social, duke na ndarë në “Ne” dhe “Ata” për gjëra totalisht tonat.
Problemi është pikërisht kjo Dramë dhe jo Teatri.

Nëse problemi do të ish Teatri, së pari do të dëgjonim arkitektët dhe urbanistët të flisnin mbi vlerat e arkitekturës së objektit, vendndodhjes dhe krahasimet me pamjen dhe strukturën e objekteve të vjetra që mbartin vlera reale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, pavarësisht ose pikërisht vjetërsisë së tyre.

Pas këtij konkluzioni, që s’do shumë mend apo kalem, do të kalonim te vlerat historike dhe shpirtërore të objektit. Këndvështrimet në dukje tepër të vështira për t’iu dhënë një përgjigje ekzakte, pasi mbartin emocion, do të vlerësoheshin duke marrë si njësi matëse, numrin e të interesuarve për të vizituar objektin, thjesht si një shenjë atraksioni apo vendi historik, apo vend me vlera emocionale që lidhen me një komb… (nga të huaj apo vendas, individë apo shoqata) siç bën dhe bota.

Do të dilnim në një përfundim besoj të pranueshëm, ku, pavarësisht se objekti në fjalë i ndërtuar nga Italia fashiste në ‘39-n, si një vend argëtimi i domosdoshëm për kohën, të një qyteti mesjetar dhe shumë të prapambetur (aspak krenari kjo) dhe i transformuar në vitet ‘50 me kushtet dhe mundësitë e atyre viteve (as kjo), si salla e krijimit të “Teatrit Kombëtar Shqiptar”, gjë që Shqipëria e vuajtur s’e kish patur fat në historinë e dhimbshme të saj të mëparshme, si simotrat në vendet e tjera të botës dhe duke vlerësuar gjithë mundin dhe sakrificën e atyre artistëve heronj, që dhanë aq shumë për artin dramatik, duke sjellë me jo pak potencë artistike, vepra me famë botërore, por edhe shqiptare dhe me po atë nivel, që vunë gurë të rëndësishëm në tabanin kulturor të gjithë shoqërisë, s’ka se si të mos mendosh për vlerësimin deri në përulje të asaj plejade me një obelisk-muze. Ndoshta nje “Golden Gate”; një pjesë murale e fasadës me një “rrugicë-shëtitore” ku emrat e tyre të gdhendeshin në ar apo një dhomë muzeale…

Kjo varet thjesht nga këndvështrimi dhe kushtet për të cilat përsëri vendosin specialistë të fushës; dhe nga shtjellimi i kësaj pjese emocionale të problemit, do të lindnin edhe pyetje, edhe përgjigje që dhembin jo pak.

Çfarë vlerësimi kanë marrë ata artistë, skenografë, dramaturgë e me radhë për çfarë i kanë dhënë artit shqiptar?! Si janë kushtet e tyre sot? Cili është pensioni i tyre dhe statusi shoqëror?
Apo pyetje te tipit: “Si u bë i mundur degradimi, i atij odeoni të artit, nga ku çdo shfaqje e tij, mbushte sallën dhe gati çdo natë, linte njerëz të pakënaqur jashtë për mungesë vendi… në një sallë gjysmë apo më shumë bosh, pavarësisht se çmimi i biletës është më pak se dy qofte…?”

Përpara se t’u jepnim përgjigje pyetjeve të mësipërme, besoj se jemi në fazën e një konkluzioni teknik.

Ndërtesa nuk ka vlerë arkitekturale, aspak vlerë teknike, apo kushte për të zhvilluar artin kompleks të dramës dhe aq më pak t’i përgjigjet kohës.

Ka vlera emocionale natyrisht dhe duhet një zgjidhje për to… dhe janë, le të themi 9000 m2 sipërfaqe pronë publike, pra jona.

Dhe nëse problemi do të ishte Teatri, përsëri do të duhej të flisnin dhe vendosnin arkitektët dhe urbanistët më të mirë të mundshëm… si dhe ekonomistët.

Nuk jam aspak ekspert i fushës së arkitekturës apo asaj urbane, thjesht një dashamirës dhe admirues i magjisë së artit të tyre. Pa frikë, një nga artet më dominuese (pas politikës), në ndikimin e sjelljeve të shoqërisë dhe individit dhe aq i fuqishëm, sa krijon revolucion kulturor më të shpejtë dhe më direkt, se dhe vetë arsimi apo libri, transformon gjendje emocionale dhe shpirtërore duke ndikuar në shëndetin mendor, madje dhe në nivelin e sëmundjeve që kanë të bëjnë me stresin dhe depresionin. Sot në botën moderne, shërben edhe si një motor tepër, tepër i fuqishëm i ekonomisë.

Mendoni për një çast të vetëm, se ç’do të ishte Londra, Parisi, Milano, New York dhe me radhë, pa arkitekturën? Sa do ta zgjonin interesin apo respektin tuaj këto vende për t’i vizituar? E keni vënë re se si ndryshon sjellja juaj brenda një restoranti apo ambienti luksoz?! Janë pikërisht ata pra, që bëjnë dhe përzgjedhjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme, jo vetëm për Teatrin si sallë, por për gjithçka tjetër që ndikon në thithjen, përqasjen, kulturën dhe vlerën që do të transmetojë te njerëzit, qyteti, dhe si rrjedhojë, edhe në nivelin artistik me të cilin do të jenë të “detyruar” t’u shërbejnë artistët këtyre spektatorëve “të rinj”, të cilët nga ana e tyre, natyrisht do të ndihen të vlerësuar si ç’i takon klasit të tyre (minimum ky i mundshëm për nivele të larta).

Nëse problemi do të ishte Teatri… Çështja që do të shtrohej në fund, do të ishte si dhe qysh do të ndërtohej, ku do të gjendeshin paratë e investimit për një vepër të nivelit botëror si Teatri?! A i ka shteti këto para dhe nëse po, nga do t’i marrë?!

Nuk e besoj, se dikush që ka arritur të lexojë deri në këtë pikë, nuk e ka parë diku ku demaskohet qeveria për këtë vjedhje korruptive, tek ato qindra e qindra faqe patriotësh, që u dhimbset prona e përbashkët… Ata që duan mbështetjen tuaj të votoni ata, se janë ndryshe, të pastër, të dëlirë dhe në zemër kanë interesin tuaj… apo jo?! Nëse vërtet po, përveç përllogaritjeve të bëra se sa metra katrorë i fal shteti Oligarkut për të bërë atë ndërtesë, do të kishte me patjetër dhe një përllogaritje të thjeshtë… se sa para, kulturë, art, sa përfitim të çdo lloji ka patur, jo vetëm qytetari i Tiranës, por dhe gjithë Shqipëria, në plot 28 vite, nga le të themi 9000 m2 sipërfaqe në mes të Tiranës? Apo sa ka humbur, duke e lënë atë dhe artin në degradim total?

Hmm…
Përllogaritjet e fitimit në një biznes, për një ndërtim të këtij kalibri, nuk janë aq të thjeshta sa çdo “Patriot-rrogëmarrës”, “Liridashës-rrogëmarrës” apo dhe ne qytetarët e thjeshtë, mund t’i bëjmë sa hap e mbyll sytë, madje as ekonomistët e çdo lloji, sado të mirë të jenë në shifra. As unë, jo e jo.

Më lini t’ju jap një shembull: “Kalaja e Tiranës”.
Nuk e kam idenë kush ka investuar, në atë dikur “vrimë” të panjohur të Tiranës.

Si fiton ti qytetar që s’ke qenë kurrë dhe ndoshta s’do të shkosh kurrë aty, nga ai biznes privat, në të cilin po këta patriotë, ngritën zërin të mos bëhej (si në gjithçka tjetër)?! Po pazari i rindërtuar i Korçës, apo ai i Tiranës?!

Paga punëtorësh, taksa biznesi, tatim mbi fitimin, taksa bashkie, taksa doganore, taksa mbi qiratë, nxitje prodhimi me më shumë të punësuar, pikë turistike çlodhjeje, energji dhe kulturë, njohje etj. Po në 9000 m2, qoftë duke i marrë një “Oligark” që ka korruptuar qeverinë e korruptuar, me kryeministrin e korruptuar, por ndërton një Teatër modern?!

Le të jemi të qartë!

Idealja do të ishte të kishim një shtet të pasur dhe të fortë, që t’i kishte këto para për këtë investim, por nuk do të thotë të përjashtohet çdo bashkëpunim dhe të përzgjidhet ai më i miri i mundshëm.

Të jem i qartë!
Jam ai qytetar, i cili mbështet me tërë forcën e mundur, gjykimin e çdo abuzimi faktik (jo alegorik), që i dërgohet organeve të drejtësisë… dhe nëse do të duhet të protestohet për këtë… do të jem aty, pa asnjë mëdyshje; dhe nëse do të duhej t’iu drejtoheshim organizmave ndërkombëtare të drejtësisë, për çdo mbështetje dhe kontribut, jam me gjithë mundësinë time aty.

Por problemi nuk është Teatri, madje as abuzimi me të, as dashuria për pronën, urrejtja për shfrytëzimin etj, etj.., që dalin nga goja dhe dora e pikërisht atyre që paguhen majmërisht nga Oligarke dhe ndoshta dhe vetë krimi…

Problemi është manipulimi i ndjesisë qytetare, manipulimi i atij patriotit të vërtetë… manipulimi i atij qytetari idealist që do më të mirën për vendin dhe jetën e tij… për ta ndarë në “Ne” dhe “Ata” dhe për gjëra që na takojnë të gjithëve.

Duhet të marrë fund Drama me titull “Anormaliteti është diçka normale”! Normal është ai diskutim që pranojmë si të tillë, në familje, mes shokësh dhe shoqesh dhe mes miqsh. Kur “Ne” të kuptojmë se jemi “Tanët”, çdo problem, ka një vijë logjike zgjidhjeje, sado i vështirë në dukje.

29 July at 08:44 ·
P.S

Nese vertet e kuptove dhe nese vertet je kunder kesaj “Drame”, shperndaje

Share: