Home KRYESORE Përçarje brenda opozitës për zgjedhjet? Flet Endrit Braimllari

Përçarje brenda opozitës për zgjedhjet? Flet Endrit Braimllari

Megjithëse sot është dita e fundit e afatit për regjistrimin në zgjedhjet vendore të 13 tetorit, Partia Demokratike ende nuk ka dorëzuar në KQZ kërkesën e saj për tu regjistruar. Në lidhje me këtë fakt u pyet në dalje të ambienteve të KQZ, Sekretari i Përgjithshëm i LSI Endrit Braimllari, i cili dorëzoi kërkesën e partisë së tij. Ai nuk pranoi të komentojë nëse brenda opozitës ka qëndrime të ndara sa i përket datës 13 tetor dhe regjistrimit në zgjedhje me Ramën kryeministër.

“Unë kam ardhur në emër të LSI për të dorëzuar kërkesën për regjistrim. Ajo çka është e rëndësishme është se data 13 tetor është ditë e ligjshme zgjedhjesh për pushtetin lokal dhe është e respektueshme nga të gjithë.” tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI.

Braimllari bëri thirrje gjithashtu që anëtarët socialistë të KQZ të respektojnë dekretin e presidentit, në të kundërt do të mbajnë përgjegjësi penale.

“Zgjedhjet janë më 13 tetor, ka një dekret të Presidentit të Republikës dhe zgjedhjet janë të detyrueshme për këdo. Kush nga ‘kamikazët e Rilindjes’ në KQZ nuk respekton dekretin e presidentit, nuk respekton ligjet, do të mbajë përgjegjësitë e veta penale. Me sa duket këta e kanë marrë parasysh që të bëhen ‘kamikazë të Rilindjes”, u shpreh ai. /Opinion.al

Share: