Home KRYESORE “Plazh i lirë”/Procedim penal për nënkryetarin e Bashkisë Sarandë

“Plazh i lirë”/Procedim penal për nënkryetarin e Bashkisë Sarandë

Aksioni për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme ka vijuar në Ksamil, Himarë, Vlorë dhe Divjakë.

Policia njofton se si rezultat janë liruar 10 mijë metra katrorë hapësirë publike për plazh në Ksamil e cila ishte zaptuar në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu bëhet me dije se është proceduar penalisht nën kryetari i Bashkisë së Sarandës, Th. Mitro pasi nuk kishte ekzekutuar vendimin e kryetarit të Bashkisë për lirimin e një sipërfaqeje prej 600 m2 në Ksamil i cili shfrytëzohej pa lejen e bashkisë nga shtetasi F. P. Në Ksamil gjithashtu është proceduar penalisht shtetasi K.I, 35 vjeç pasi biznesi i tij operonte duke mos deklaruar të ardhurat.

Kontrolli në Jalë, Vlorë dhe Divjakë rezultoi në procedimin e 5 shtetasve të cilët zotëronin subjekte biznesi ku nuk lëshonin kupon tatimor

Në total policia procedoi penalisht 6 pronarë subjektesh, 5 në Qarkun Vlorë dhe një në Divjakë, nga të cilët 5 për “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 për “Zënia e hapësirave publike”.

Bëhet me dije se operacioni “Plazh i lirë” do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin dhe për të ndëshkuar evazionin fiskal, në biznes, hidrokarbure, ndërtim etj. /Opinion.al

Share: