Një operacion policor shumë ”sekret”, me emrin e koduar “Plazhi i lirë”. Angazhohen: Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik në Policinë Kriminale, Komisariati i Policisë Sarandë, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Fier, Bashkia Sarandë. Pritet krijimi SAPK-ut….
Rezultati: U hoqën 960 shezlongë, çadra e tavolina. Sepse 3 njerëz kishin zënë 4 mijë metra katrore hapësirë publike, në Ksamil.
Kam disa pyetje unë: Këta “pronarët” kur e zunë këtë hapësirën, gjatë natës dhe bashkia nuk pa gjë fare?
Përse u ndërhy në mes të sezonit, dhe pasi ata “pronarët” i kishin bërë ca investime?
Përse u ndërhy pasi këtë gjë e denoncoi media, bashkia nuk pa gjë fare, që katër mijë metra hapësire publike ishin pushtuar? E ku, në Ksamil, ku në një metër katrore bëjnë plazh 3 njerëz.
Këto janë turpe që nuk ndodhin në asnjë vend të botës, këto janë dëshmi të rrumpallës më të madhe të një shteti në Europë, që është edhe anëtar i NATO-s, që ia ka qejfi të hyjë edhe në BE.
Pale po i vënë edhe emër të koduar operacionit. Turp e faqaj e zezë, forcat elitë të policisë me shezlongë në kurriz për ti hequr nga plazhi.
Eshtë shumë më e thjeshtë. Se pari nuk duhej lejuar. Megjithate, pasi i vuri, pronari njoftohet ti heqë, siç i ka vënë ato çadra e shezlongë. Nëse nuk e bën, arrestohet e shkon në burg.
Po si nuk ndodh kjo gjë edhe në një shtet si Mali i Zi fqinj, ku askush nuk e çon ndërmend të vërë një shezlong në një hapësirë publike.
Të isha kryeministër, atë kryetar a ish kryetar bashkie, do ta vija ti mbante vetë ato shezlongët në kurriz, e pastaj do ta hidhja në det me gjithë lecka.