Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Si ia diskreditoi Edi Ramës propagandën bajate, njeriu i Kokëdhimajve majë kofanos!

Si ia diskreditoi Edi Ramës propagandën bajate, njeriu i Kokëdhimajve majë kofanos!

Nga Nikollaq Neranxi

Me siguri shumica nga ju, keni konstatuar se si pushteti ka qenë në të njëjtën linjë dhe frymë me opinionin publik, për të linçuar dhe dënuar Mihal Kokëdhimën! Madje edhe Gjykata e la në burg pa afat dhe nuk është aspak për tu çuditur që gjykatat tona janë shpesh në të njëjtën mendje me pushtetin.

Lind pyetja, pse e shkërmoqën në kohë rekord Mihalin, sa hap e mbyll sytë? Në një konflikt ku zakonisht janë dy palë në lojë, pala tjetër as u thirr për tu marrë në pyetje që të kuptonim nga të dyja palët çfarë kishte ndodhur? As nuk e morem vesh cfare emri kishte kompania turistike!

Madje pamë me këtë rast edhe një xhest servil dhe hipokrit nga ana e Ministrit Klosi duke i dhënë lule e duke iu kërkuar ndjesë turistëve spanjollë, ndërkohë që ne nuk e dimë se cili ka qenë roli i tyre në këtë konflikt? Madje edhe gazetarë afër pushtetit, nxituan ta nxjerrin Mihalin si njeri të çmendur që nuk di çfarë bën dhe me kaq u lanë duart!!!

Në fakt, problemi i vërtetë në këtë histori, nuk është një grindje banale klient-pronar për një faturë dreke, sepse jemi koshiente se kemi akoma shume rruge per te bere, per te arritur standartet e nje turizmi perendimor. Problemi ne kete rast eshte diku më thellë!

Historia e Mihalit mbi kofano, thjesht e nxorri atë në sipërfaqe dhe njerëzit mësuan më shumë se sa duhej!

Në kohën e mega propogandës mbi aksionet antinformalitet, ku askush nuk falet, ku vihen shirita nëpër lokale dhe hotele dhe bllokohen aktivitete edhe për një faturë që mungon në tavolinë, në kohën kur Kryeministri në faqen e tij i publikon me emra këto biznese, diçka totalisht e papranueshme dhe për mendimin tim ata biznese kanë të drejtë ta hedhin në gjyq Ramën për prishje imazhi, na del Mihali i cili ia shkërmoq këtë mega propagandë bajate, Mihali, i cili paska qenë monument i informalitetit në bregdet dhe që punon pa asnjë letër! Me siguri me urdhër nga lart, lokali u mbyll, çadrat u hoqën, në mënyrë që historia të harrohej sa më shpejt.

Pra në Shqipërinë e Edi Ramës, dikush ndërton pa leje në tokë publike, zapton plazhin me çadra me pagesë, ushtron me siguri biznesin pa liçencë, përderisa ia mbyllën dhe me shumë gjasa nuk lëshon as fatura tatimore.

Më informal se kaq nuk ka! Po si ka ndodhur kjo do thoni ju, si ia ka dalë Mihali? Natyrisht shumica prej jush vini në Himarë një herë në vit, disa ditë në verë dhe nuk arrini të kuptoni çfarë problematikash ka ai vend dhe çfarë mega korrupsioni bëhet aty nga pushteti lokal dhe qendror! Unë jam qytetar i Himarës, kam aty shtëpinë, pronat, bizneset dhe ju them me bindje se nëse doni të shihni fytyrën e vërtetë të maskaradës së këtij pushteti, shikoni se çfarë i kanë bërë bregdetit të jugut!

A është Mihali shembulli më tipik i kësaj maskarade? Deri diku po! Mihali është njeri i Kokëdhimave dhe ata, siç e dini, kanë ndërtuar edhe mbi rënë dhe askush nuk i ka penguar, Jorgo Goro as që bëhet fjalë. Mihali jeton në këtë atmosferë korrupsioni, ai do të punojë, të mbajë familjen, nuk është kriminel, nuk është tregtar droge, ka gjetur një mundësi për të korruptuar pushtetin dhe ia ka dalë, mbase ndan fitimet me dikë lart që ia ka mundësuar atë punë, sepse ndryshe është e pamundur. Unë psh që nuk e pranoj këtë kompromis, nuk arrij të bëj asgjë në tokën time në Porto Palermo të cilën e kam me çertifikatë pronësie. Kam kërkuar leje për ndërtim dhe nuk më ka dhënë njeri, por po të vija qoftë edhe një tullë pa leje siç bëri njeriu i Kokëdhimajve, me siguri do shkoja në burg. Dhe më qesharakja dhe absurdja, para dy vitesh, doja të mbillja ca pemë në tokën time, dhe mi sekuestroi policia bashkiake! As pemë nuk më lanë te mbillja!

Ndërkohë në Himarë janë dhënë leje ndërtimi ose është bërë një sy qorr për të ndërtuar edhe pa leje, në mënyrë të paligjishme, në toka që kanë një zot. Jo vetëm kaq, por gjithë aktiviteti i tyre është jashtë syrit të shtetit, sepse grabitësit dhe abuzuesit, janë vetë shteti.

Por pushuesit nuk arrijnë t’i kuptojnë këto problematika, shohin një hotel të bukur dhe kaq iu mjafton, pa e ditur se aty është grabitur djersa dhe gjaku i dikujt tjetër.

Prandaj pushteti i cili ka bërë zullumin më të madh në jug, me djallëzinë e vet, e la historinë e Mihalit në dimensionin e argëtimit të popullit të facebookut, dhe tani që ai është brenda dhe aktiviteti iu mbyll, njerëzit nuk kanë pse thellohen në analiza të tipit; pse Mihali i bënte karshillëk me nder aksioneve të Ramës, pse dikush që punon me ndershmëri e paguan taksat, persekutohet nga ky shtet, e dikush tjetër që ia gjen anën se si të korruptojë dikë e të bëjë kompromise, ia del të punojë pa asnjë letër.

Mihali është peshku i vogël që e nxorri në breg rastësia, peshqit e mëdhenj janë strategjikë, nuk bëjnë gabime që të hidhen mbi kofano, nuk bien në sy, thjesht punojnë paratë e pista në biznese të ngritura ne mënyrë të paligjshme, duke grabitur të pafuqishmit. Problemi është, me ata kush do merret dhe a do vendoset ndonjëherë drejtësi në këtë vend ku të trajtohemi të gjithë si të barabartë?

Share: