Home KRYESORE Tre gjimnaziste nga Tirana fitojnë garën mbi teknologjinë në Kaliforni

Tre gjimnaziste nga Tirana fitojnë garën mbi teknologjinë në Kaliforni

Tre gjimnaziste nga Tirana ishin të enjten fitueset e vendit të parë në një konkurs të organizatës Technovation në San Francisco të Kalifornisë për zgjidhjen e problemve reale në komunitetet e tyre përmes teknologjisë. Çdo vit, ekipe vajzash nga e gjithë bota marrin pjesë në këtë garë. Vajzat nga Tirana paraqitën një aplikacion që u vjen në ndihmë grave dhe vajzave të dhunuara në shoqërinë shqiptare.

Ka qënë një rrugëtim emocional dhe mbresëlënës për këto tre gjimnaziste të Tiranës, që iu përgjigjën sfidës së organizatës Technovation duke gjetur zgjidhje për një problem mjaft të mprehtë të shoqërisë ku jetojnë – dhunës gjinore.

“Që në fillim donim që të ndihmonim në një farë mënyre gratë shqiptare dhe duke marrë parasysh mentalitetin shqiptar, menduam që të trajtonim një temë si dhuna me bazë gjinore, që do të ishte mënyra më e mirë për t’u ardhur në ndihmë”, thotë 15 vjeçarja Jonada Shukarasi.

Aplikacioni i ndërtuar prej tyre, përmbledh në një menu shumë të thjeshtë të gjithë numrat telefonikë që mund të marrin gratë në një situatë të caktuar. Një zgjidhje praktike e cila vjen edhe me një numër këshillash për të gjetur zgjidhje në situata delikate.

“Ne jetojmë në një shoqëri patriarkale. Kemi dalë nga komunizmi dhe sigurisht që ka një dominancë të gjinisë mashkullore në shoqëri dhe një mentalitet shumë të prapambetur që gratë nuk mund të jenë të pavarura dhe nuk mund të shkollohen, të bëjnë përpara në jetë, të kenë financat e tyre dhe e gjithë kjo reflektohet edhe në rininë e sotme, edhe pse ka shumë ndryshime. Ne shohim shenja të hershme të kësaj dhune që reflektohet në marrëdhëniet e miqve tanë sot”, thotë Dea Rrozhani.

Programi ka qënë shtysa e duhur drejt teknologjisë për këto vajza në një shoqëri të dominuar nga mentaliteti se djemtë janë më të prirur për të qënë të aftë në fushat inxhinierike.

“Për djemtë ka qënë gjithmonë më e thjeshtë që të futen në teknologji. Që të vegjël i shtyjnë tek lojrat kompjuterike ndërsa vajzat i mënjanojnë nga kjo pjesë sepse është pikërisht ai mentaliteti maskilist, patriarkal që do t’i ngrerë djemtë më lartë se vajzat. Gjithmonë ka patur një mentalitet të gabuar për vajzat në teknologji apo edhe në fusha të tjera siç është biznesi”, thotë Arla Hoxha.

Megjithë përpjekjet për të ndryshuar këtë tendencë dhe për të inkurajuar brezin e ri drejt në qasje më të drejtë të barazisë gjinore, vajzat thonë se mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

“Edhe nëpër shkollat tona ne bëjmë IT dhe nga vetë mësuesit e IT-së vajzat nuk marrin aq mbështetje. U jepet prioritet djemve dhe vajzat lihen mënjanë, anashkalohen duke menduar se ato nuk do të bëjnë karrierë në atë fushë më vonë, gjë që nuk është e drejtë”, thotë Jonada Shukarasi.

Përvoja e këtyre vajzave në këtë program të financuar nga kompani të mëdha të teknologjisë në Silicon Valley do të ketë një efekt të fuqishëm në jetën e tyre shumë kohë pas përfundimit të këtij programi.

Të frymëzuara nga kjo fitore ato kanë fituar besimin se kanë aftësinë të zgjidhin probleme të komunitetit dhe të ndihmojnë në thyerjen e barrierave gjinore për të çuar përpara shoqërinë shqiptare. /Burimi: VOA

Share: