Nga Dr. Enriko Ceko
Ditët e fundit kanë qenë të mbushura me ngjarje të ndryshme, për të cilat do flasin disa të tjerë sot, por unë dua që të flas për bllokun e ndërtesave të ministrive në qendër të Tiranës, në Sheshin Skënderbej, për historinë dhe të tashmën e tyre, lidhur edhe me Teatrin Kombëtar, sepse pa njohur historinë e këtyre ndërtesave ne nuk mund t’i mbrojmë ato. Nëse e njohim mirë historinë ne do jemi në gjendje t’i bëjmë ballë shkatërrimit të tyre dhe t’i mbrojmë me dinjitet ato.
Zyrtarisht, ndërtesa e parë e ndërtuar në territorin e qendrës së Tiranës, në bulevardin e sotëm është ndërtesa ku sot gjendet Teatri i Kukullave. Në fillim është ndërtuar pjesa e kësaj ndërtese që është paralel me Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Kjo ndërtesë është ndërtuar nga ushtria austriake që erdhi në Tiranë nga veriu i vendit dhe që drejtohej nga inxhineri dhe ushtaraku austriak Steinmetz, i cili erdhi në Tiranë me rreth 1000 ushtarë austriakë në kuadër të Luftës I Botërore. Ai ndërtoi një kazermë një katshe, në të cilën u vendos shtabi i ushtrisë austriake, ndërtesë e cila shërbente edhe si mencë për këta ushtarë. Steinmetz ishte i pari që hodhi një skicë se ku do ishte rruga kryesore e qytetit të Tiranës dhe e paraqiti këtë pranë qeverisë austrohungareze në vitin 1917, por me mbarimin e Luftës I Botërore, Ushtria e Perandorisë Austro-Hungareze u largua nga Ballkani duke i lenë vendin Italisë, e cila krahas disa territoreve të tjera në Afrikë dhe Amerikën Latine, e morri edhe Shqipërinë praktikisht nën një formë protektorati të drejtpërdrejtë, së bashku me shumë vende të tjera.
Në vitin 1920 Tirana shpallet kryeqytet dhe planet e Steinmetz i morrën në dorë katër urbanistë, që vazhduan punën me planimetrinë e qendrës së kryeqytetit. Këta urbanistë ishin Eshref Frashëri, një ndër urbanistët më të mirë shqiptarë të kohës, urbanisti italian Castellano dhe dy urbanistë austriakë Weiss dhe Kohler. Këta skicuan me detaje bulevardin, vendin ku do ishin ndërtesat kryesore në të dy anët e tij si dhe rrjetin e ujësjellës kanalizimeve, etj.
Puna për ndërtimin e bulevardit dhe ndërtesave kryesore në të dy anët e tij iu besua disa prej arkitektëve më të mirë italianë të kohës, ndër të cilët, ai që u morr me ndërtesat e ministrive të Sheshit Skënderbej ishte Armando Brasini. Ky ishte një arktekt ndër më të njohurit në Itali dhe në arenën ndërkombëtare. Pas dy vitesh pune, në periudhën 1927 – 1929, në fund të së cilës detajoi ndërtesat e ministrive, Brasini largohet nga Shqipëria për të vazhduar punën në Itali dhe në vende të tjera. Një nga punët më të njohura të Brasinit në Itali është Pallati Qeveritar në Romë.
Gjatë periudhës së qendrimit të tij në Shqipëri, Brasini është thirrur të paktën dy herë në audiencë nga qeveria italiane e kohës dhe nga vetë Benito Musolini, për të dhënë spjegime në lidhje me ecurinë e investimeve në qendrën e kryeqytetit të Shqipërisë, investime që realizoheshin me financimin e qeverisë italiane, me anë të një kredie për zhvillimin e Shqipërisë.
Pas Brasinit, punën në Tiranë e vazhdon arkitekti i talentuar Florestiano Di Fausto, arkitekt i shkollës neoklasike, në atë kohë edhe drejtues i Institutit Urbanistik të Firences, që është një ndër institucionet më të rëndësishme të shkollës italiane të arkitekturës, shkollë që ka vulën e Leonardo da Vinçit dhe Mikelanxhelos, vazhdues i denjë i të cilëve konsiderohet Di Fausto edhe sot.
Florestano Di Fausto pasi studio me kujdes dizenjot e Brasinit vendosi që ndërtesat t’i realizonte me dy kate e gjysëm, pra edhe me një kat gjysëm nën tokë e gjysëm mbi tokë, kati i cili shërbente për magazina, arkivë, shaptilograf, etj. Kjo sepse financimet ishin të mirëpërcaktuara dhe nuk kishte shumë mundësi financiare për shtesë katesh. Për t’u dhënë edhe më shumë madhështi ndërtesave, ai vendosi që të hapte një gropë të madhe midis tyre, për të patur atje në mes një lulishte, e cila do bënte të mundur nga ana vizuale që ndërtesat të dukeshin edhe më të larta. Në këtë lulishte deri vonë ka patur disa pemë kedri libanez mjaft të bukura që shkonin shumë mirë me klimën e Tiranës.
Në fakt, Di Fausto kishte planifikuar dhjetë ndërtesa që formonin një hark midis tyre, ndër të cilat gjashtë janë ato pesë të ministrive dhe ndërtesa e Bashkisë së Tiranës. Ndërtesa e shtatë ka qenë ajo e ish – Komitetit Ekzekutiv, që u shkatërrua nga regjimi komunist. Tre të tjera do ishin një ndërtesë për policinë e shtetit, një tjetër për postën kombëtare dhe tjetra për ndërtesën e parlamentit, por me kapitullimin e Italisë dhe tërheqjen e trupave të ushtrisë italiane nga territori i Shqipërisë, për këto ndërtesa nuk u arrit që të fillonin kurrë punimet.
Plani i Di Faustos ishte që qendra e Tiranës të ngjante me një diell me rreze të shumta që do ishin bulevardi nga jugu, rruga Myslym Shyri, Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit dhe rruga Mine Peza nga perëndimi, Bulevardi Zogu I nga veriu dhe rrugët që lidhin nga lindja e qytetit, Pazarin e Ri me Unazën, rrugë me hapsira të mjaftueshme që dielli të ndriçonte në mënyrë natyrore mjedisin në qendër të kryeqytetit, por mesa duket Edi Rama dhe Erion Veliaj as që e kanë idenë nga urbanistika dhe arkitektura e qytetit, por e kanë mendjen vetëm te kullat shumëkatëshe.
Ishte vetë Di Fausto që insistoi që sheshi në qendër të kryeqytetit të emërtohej Sheshi Skënderbej dhe ishte ai që ndikoi te arkitekti Berte dhe te institucionet shqiptare të kohës që edhe në ndërtesën e Teatrit Kombëtar të instalohej organizata rinore “Skënderbej”, për të realizuar një lidhje edhe midis ndërtesave. Di Fausto, përpara se të fillonte punën për ndërtimin e ansamblit monumental, bëri përpjekje që të njihte mirë historinë, traditat dhe kulturën e popullit tonë dhe kjo është arsyeja që edhe fasadat e ndërtesave, që ai së bashku me Brasinin projektuan, të kishin simbolet e Aleksandrit të Madh dhe të Skënderbeut.
Florestiano Di Fausto pas Luftës II Botërore ka qenë deputet i Partisë Demokristiane në Parlamentin italian deri në vitin 1953 dhe më pas themeli Partinë Monarkiste Italiane.
Të tre arkitektët që kanë vënë firmën, shpirtin dhe zemrën e tyre për ndërtimin e qendrës së Tiranës (Brasini, Marpurgo dhe Di Fausto) kanë vdekur në pothuajse në të njëjtën kohë, në vitet 1965 – 1966, por Di Fausto, ka vdekur në ditën e Festës së Republikës së Shqipërisë, në datën 11 Janar 1965, si për të treguar lidhjen e tij të madhe shpirtërore me Shqipërinë. Di Fauston dy herë e ka thirrur vetë Musolini në Romë për ecurinë e punimeve në Tiranë dhe po dy herë ai i kërkoi qeverisë shqiptare pas luftës që të vinte të shikonte ndërtesat e projektuara prej tij, kërkesë që nuk ishte e mundur të realizohej.
Po ç’farë ndodh sot me këto ndërtesa.
Ish –Komiteti Ekzekutiv u hodh në erë në verën ë vitit 1980.
Në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit gëlon korrupsioni. Vetë ministri është i përfshirë në shkatërrimin e mjedisit të maleve rreth Poliçanit, që kthehen në gurore, kur dikush tjetër me fuqi në shtet shkatërron Malin e Tomorrit dhe dikush tjetër shkatërron malet e jugut të vendit. I kanë ndarë malet me parcela partiake. Janë punonjësit e këtij dikasteri që janë përgjegjës për shkatërrimin e burimeve natyrore të vendit.
Në Ministrinë e Bujqësisë ka korrupsion me fondet për zhvillimin rural. Nga informacioni që kam, atyre që aplikojnë për fonde u kërkohet që në fillim që të parapaguajnë, para në dorë, nën dorë, deri në 40% të shumës që kërkojnë për financimin e projekteve, duke paguar pastaj të tërë shumën që marrin kredi së bashku me interesat. Është ky dikaster përgjegjës për cilësinë, sigurinë dhe garancinë ushqimore, kimikatet që përdoren në bujqësi e blegtori, etj dhe ne e dimë fare mirë se si është gjendja në këtë sektor.
Ministria e Mbrojtjes, një ndër dikasteret më pak transparente. Aleanca e Atlantikut i ka kërkuar Qeverisë Shqiptare që t’i përmbahet angazhimit si vend anëtar i NATO-s, që të alokojë në buxhetin e shtetit 2% për mbrojtjen, që në fakt në këto 6 vitet e fundit asnjëherë nuk është realizuar. Mbrojtja në këto 6 vite ka patur vetëm 1 – 1.3% të buxhetit të shtetit dhe kjo ndikon për keq në cilësinë e produkteve dhe shërbimeve që i duhen ushtrisë shqiptare, që në fakt është shumë e pakët në numër, dhe me më pak mbështetje financiare dhe materiale, krahasuar me vendet e tjera.
Ministria e Rendit, gjithashtu një ndër institucionet më pak transparente. Ne të gjithë e dimë fare mirë se ç’farë personifikon ky dikaster për ne dhe unë nuk kam ndër mend që të merrem me këtë, por mjafton që të përmendim faktin se prokurimet publike të këtij dikasteri janë korruptive, duke filluar që nga veshja dhe këpucët e policisë së shtetit, që nuk janë cilësore dhe shumë të dobëta.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, një dikaster që abuzon me licencat e hidrocentraleve dhe pikat e shpërndarjes së karburanteve, etj. Konkretisht ne kemi parë vetë se si Ministrja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, së bashku me Zv/Kryeministrin u janë lëshuar anë e mbanë vendit pikave të shitjes së karburateve dhe ushtrojnë kontroll të jashtëligjshëm mbi to. Detyra e ministrit është hartimi i politikave të sektorit që i është besuar dhe kontrolli i zbatimit të këtyre politikave dhe jo ushtrimi i kontrolleve në subjektet private.
Dhe në fund, qershia mbi tortë, Bashkia Tiranë, që drejtohet nga Erion Veliaj, që për mua personalisht është personi më i korruptuar i administratës publike në Shqipëri, pas kryeministrit Edi Rama. Grupi i ndërtesave të ministrive në vitin 2000 është shpallur Ansambël Monumental, por kryetari i Bashkisë Tiranë, me vendime personale dhe vendime të Këshillit Bashkiak, ka shkatërruar lulishten midis dikastereve, pjesën fundore të Bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe pjesë të tjera të kësaj pjese shumë të rëndësishme të kryeqytetit, për të cilat mban përgjegjësi ligjore.
Ju faleminderit.