Tërësia e procesit që aftëson njeriun për jetë është mjaft e ndërlikuar dhe nonshalanca prindërore për t’u dukur sa më komod në raport me fëmijën që nuk e sheh me orë të tëra në shtëpi, paraqet thelbin e keqedukimit prindëror
Edukimi si fazë fillon në shtëpi, kurse edukata vazhdon dhe thellohet në shkollë. Si të përbashkëta, edukimi dhe edukata/ arsimimi, përbëjnë një proces kompleks dhe të kombinuar, dhe të gjithë ata prindër që kërkojnë nga arsimtarët t’ua edukojnë fëmijët e tyre, e kanë gabim. Madje disa prej tyre i ngatërrojnë nocionet duke menduar se është e njëjta gjë – edukata dhe edukimi. Ky ngatërrim nocionesh po vije në shprehje gjatë praktikës së përditshme shkollore, ku po manifestohen lloj-lloj problemesh më tepër të edukimit të nxënësve (‘terbijes’).
Është bërë mirë që nga shkollat tona është përjashtuar dhuna, që përdorej dikur nga ana e mësimdhënësve, por ama prindërit duhet të punojnë më tepër me fëmijët e tyre që ata të mos jenë barrë e mësimdhënësve. Sjelljet jo të mira të nxënësve, mungesa e disiplinës, ikja nga orët mësimore, ardhja në shkollë të papërgatitur, përbëjnë një korpus delikat mangësish që po manifestohen gjatë procesit edukativo-arsimor, ndërkohë që mësimdhënësve pa të drejtë iu atribuohen përgjegjësi që jo detyrimisht prekin fushëveprimin e tyre.
Nëse ndokush pret që mësimdhënësit të jenë edhe prindër edhe pedagog, edhe orientues profesional edhe këshillues jetësor, duhet thënë se me këtë atyre iu bëhet një padrejtësi e madhe. Nëse prindi pret që fëmijën e tij ta edukoj mësimdhënësi, kurse ai të shkarkohet nga përgjegjësia prindore, kjo i bie që mësimdhënësi të braktis misionin tij pedagogjik e didaktik dhe të bëhet njëfarë “dadoje” e fëmijëve të lagjes, pa patur kurrfarë mundësie që të bart te nxënësit njohurit dhe shkathtësitë e nxënies.
Detektimi i problemeve në procesin edukativo-arsimor është fushë mjafte gjerë, por komuniteti i prindërve, bashkë me shkollat janë hallkat kryesore që mbajnë të lidhur mbarëvajtjen e këtij procesi. Nëse ndonjëra nga këto hallka mungon, janë të vogla shanset që të kemi proces efikas edukativo-arsimor. Mjaft prindër madje janë vetëpërjashtuar vullnetarisht nga ky proces, duke deleguar padrejtësisht shumë përgjegjësi prindërore tek shkollat. Por kjo është e pamundur të funksionojë në një shoqëri moderne ku arsimi është pasqyrë e edukimit në familje dhe anasjelltas. Një familje që nuk kujdeset për sjelljet e fëmijës në shkollë, por kujdeset vetëm atëherë kur fëmija ndëshkohet nga arsimtari, atëherë mund të themi se familjet e tilla duhet t’i nënshtrohen një procesi serioz të rishqyrtimit të rolit dhe kontributit të tyre në shoqëri.
Tërësia e procesit që aftëson njeriun për jetë është mjaft e ndërlikuar dhe nonshalanca prindërore për t’u dukur sa më komod në raport me fëmijën që nuk e sheh me orë të tëra në shtëpi, paraqet thelbin e keqedukimit prindëror. (koha.mk)