Home KRYESORE Në Gjumë (Tregime Uberi)

Në Gjumë (Tregime Uberi)

Nga Mustafa Xhepa

Vjeshtë, mbrëmje. Ulur i vetëm në stolin pranë Memorialit të Xhefersonit, në pritje të porosisë nga Uberi, më ze trishtimi nga gjethet që bien–yje të ylbertë enden rreth dritave të shëtitores. “Të njëjtën ndenjë do të ketë provuar edhe piktori impresionist Leonid Afremov, kur hodhi në telajë ‘Vetmia e Vjeshtës’”,- them me vete.
Uberi më thërret të marr Aleksin në Departamentin e Shtetit. Kam vite pa kaluar pranë godinës gjigante; fasada e së cilës të sjell ndërmend arkitekturën e pallateve sovjetike.

  • Je i ftuar për darkë sonte,- më tha Tomi, punonjësi i Departamentit të Shtetit që mbulonte Sqipërinë, pas një takimi pune. Ishte fillimi i vitit të parë për mua në ambasadë. Dy punonjës përfaqësonin Shqipërinë në Amerikë, ambasadori dhe unë. Tomi kishte një ndjenjë të veçantë për Shqipërinë, diçka mes keqardhjes dhe admirimit. Ishte koha kur arabo-grekët ishin lëshuar si ujqër të gllabëronin edhe pjesën tjetër që u kishte mbetur jashtë dhëmbëve. Tomi sikur të ishte i lindur mes bjeshkëve të larta mbronte me zjarr interesat tona.
  • Do të kem për darkë edhe drejtorin e shkollës Fullcit, nuk shfaq shqetësim për ty mendoj?- Pyeti si i sikletosur.
  • Ndjehem i nderuar që më fton në shtëpi. Do të jetë kënaqësi dyfishe të njihem edhe me drejtorin e shkollës amerikane në vendin tim. Shkollë që mësoi koloso në të gjitha fushat e dijes.
    Tomi jetonte në një shtëpi të thjeshtë në Virxhinia, sapo të kaloje në anën tjetër të Potomakuk. Intelektual i nivelit të lartë, njohës i thellë i historisë dhe padrejtësive që i ishin bërë Shqipërisë. Bashkëshortja e tij, një grua modeste, e dashur, u bë mike që në minutën e parë me Aidën, gruan time. Ndërsa drejtori, me orgjinë nga Korça, qëndronte si ndërgjemba gjatë tërë mbrëmjes. Megjithëse unë dhe Tomi e mbarum gjysmën e shishes konjakut Skëndërbej që kishte sjellë drejtori, ai vetë nuk vuri gjë në gojë–ruhej i gjori edhe në Uashington. Tomi do të mbetet në kujtesën time një amerikan i madh që me përkushtim punoi të realizohej takimi historik i Presidentëve të të dy vendeve tona.
    Afrohem pranë hyrjes së Departamentit të Shtetit. Te shkalla e fundit bën me dorë një mesoburrë shtat lartë, me kostum të zi, këmishë të kaltër dhe kravatë të kuqe. Ulet në sediljen prapa. Rehatohet.
  • Hape edhe më kondicionerin, të lutem!
  • Me kënaqësi!
  • Nga jeni?
  • I them vendin.
  • Kam qenë dy herë. Mund të vete përsëri këtë muaj.- Vrenjtet.
  • Si ju duket vendi?
  • I bukur, por njerëzit…!
  • E keni fjalën për drejtuesit?
  • Jo, atyre i lumtë, bëjnë ç’të duan! Populli fle, sikur nuk është për atë vend!
  • S’ka fjetur, është ngritur kur ka mundur!- Shihemi në pasqyrë.
  • Ç’të ngritur ore derëzi. Duruat nje gjysmë shekulli një të marrë!- Aleksi duket që nuk e ka përzemër popullin tim, nga emri më bën të dyshoj për orgjinën, në Departamentin e Shtetit ka mjaft arabo-grekë.
  • Edhe kur janë ngritur i kanë shtypur me ndihmën e Jugosllavisë, BRSS-ës, Kinës Popullore… Dhe me kuç e maç të tjerë.- Them duke ruajtur qetësinë.
  • Po pas Kinës?
  • Edhe atëherë u ngritën, në Spaç, Qafë-Bari, por Perëndimi flinte…!
  • Ç’prisnit ju? Të vriteshin për ju?
  • Siç bënë për ata poshtë nesh, në jug.- Bie heshtje. Kanë mbetur edhe njëzet minuta udhëtim. Hap telefonin, zë femre dëgjohet nga ana tjetër, ledhatohet si fëmijë. Le takim për të nesërmen. Sapo mbaron bisedën më drejtohet me zë të fortë, bindës.
  • Këtu kur e shohim që nuk shkon, ne ngremë zërin. Ja, unë nuk pajtohem me Presidentit dhe kundërshtoj politikat e tij.
  • Ju punoni ne Departamentitn e Shtetit?
  • Po dhe nuk dua të punoj për këtë President.
  • Mund t’iu pyes për orgjinën?
  • Babane nga Greqia, brezi parë, nënën amerikane.- Krekoset.
    “Vazhdon të punojë, pra të paguhet me pagë të majme, edhe kur nuk i pëlqen vendi i punës që zbaton politikat e Presidentit”, them me vete dhe ndërmend më shkon një autor hungarez: “Greku, Çifuti dhe Komunisti ulërasin; do iki, nuk rri më këtu, kur nuk u pëlqen vendi i punës–por qëndrojnë… Ndërsa hungarezi, kur nuk i pëlqen puna që bën, ikën pa thënë gjë dhe nuk kthehet më”. Eh, hungarezët, e shkruajtën historinë e tyre me gjak, atëherë kur Perëndimi kishte rënë në gjumë.
  • Ju që keni kaluar rininë nën diktaturë; dini ndonjë rast t’i jenë kundërvënë qeverisë?- Pyet në formë ironike.
  • Po, një miku im…
  • Ma shuaj kuriozitetin!- Mbështet kokën në mbajtësen prapa.
  • Mikun e quajnë Petrit. Siç ka emrin është edhe vetë.
  • Pse ç’kuptim ka në shqip ky emër?- Ndërhyn pa luajtur nga vendi.
  • Trim, i fortë, i guximshëm…
  • E kuptova, vazhdoni!
  • Punonte në uzinën e naftës pranë qytetit tonë, në drejtim.
  • Ç’doni të thoni, në drejtim?
  • Si këtu, EC–Këshillin Drejtues.
  • E kuptova.
  • Intelektual, me gjuhë të huaj, anglishten e mësoi shumë shpejt, në profesion nuk kishte të dytë. Duke parë gjendjen e rëndë të punëtorëve vendosi të reagojë. Bëri një anketë, ku kërkonte mendimin e tyre si të dilej nga gjendja dëshpëruese. Jeta nën rrethim po e çonte vendin drejt humnerës.
  • Më qartë me fjalën, dëshpëruese.
  • Konditat e punës, orari i stërzgjatur, paga e pamjaftueshme, ushqimi i dobët, i cili nuk korrespondonte me shpenzimin e energjive trupore të punëtorëve.
  • Distrofi e lehtë.- Ndërhyn. “Ku e kisha ndeshur më parë këtë term mjeksor të përdorej në formë ironike”? Pyes veten. Po, tek vargjet e poetes Vera Inber kushtuar rrethimit të Leningradit:

Flakëzën e qiririt tretur,
Kur shenja jete janë thar’,
Mjekët aq mirë të leçitur,
E quajn’ distrofit elementar.

  • E po gjë të madhe paska bërë!- Ngre kokën me ironi. Nuk po e duroj dot. Jam gati t’i them se po të ishe ti në vendin e tij; as në ëndërr nuk do të guxoje.
  • Ne kaluam diktaturën më absolute në lindje. Veprimi i tij ishte përtej heroikes.- Ngrihet, afron kokën.
  • Çfarë ndodhi më tej?
  • E rrëmbyen, e mbajtën ditë të tëra të izoluar duke i bërë hetuesi të rëndë. Në Tiranë, te pesëmbëdhjetëkatëshi. Hoteli burg në qendër të kryeqytetit. “Kemi materiale se je angazhuar sistematikisht në agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. E kërcënonte hetuesi. “Ke shprehur pakënaqësi për politikën e partisë–zhvillimin e industrisë naftës. Kjo do të thotë ke kryer krim; sipas nenit 55 të kodit penal… dënohesh me shumë vite…”.
  • Kam qëndruar atje, nuk më është dukur ashtu siç e përshkruani ju hotelin e bukur.
    Po afrohemi pranë shtëpisë tij. S’ia vlen të vazhdoj më. Ai e ka parë jetën nga dritaret e Departamentit të Shtetit. E vështroj me keqardhje. E uroj me zemër që jeta të mos e vërë në provë.
    Petrit Isufin hienat e kërcënuan se do ta hidhnin nga pesëmbëdhjetëkatëshi me kokë, nëse nuk pranonte legjendën e tyre. Petriti nuk u thye, si Martin Lutheri përpara Çarlit V qëndroi heroikisht:
    “Po,- tha,- unë e kam hartuar e shkruar anketën, por jo ashtu siç doni ta interpretoni ju”! Nuk e dënuan, po u vinte fundi, Lindja ishte ngritur, por e ndoqën këmba-këmbës duke ia bërë jetën ferr, deri ditën që morën arratinë.
    Herën e fundit kur u takuam, te kafeneja jonë e preferuar, më tregoi çfarë e kishte munduar prej vitesh.
  • E kam gjetur kush më spiunonte; një shoku ynë. Më mirë të mos të ta them.
    Në antijetën që lamë pas, ishin të rrallë njerëzit si Pertiti. Ishte fat të kishe një mik të tillë.
Share: