Nga Mentor Kikia
-Enver Hoxha duhet të jetë njeriu të cilit i janë kënduar më shumë këngë se çdokujt tjetër në botë. Me isopolifoni, saze, këngë qytetare, me daulle e çifteli, e deri tek këngët e festivaleve, i janë thurur lavde udhëheqësit komunist. Madje, disa prej tyre vazhdojnë ende të dëgjohen dhe në you tube, ku kanë miliona shikime.
Pasi e tërhoqëm Enverin zvarrë, shqiptarët nuk hoqën dorë nga të kënduarit për udhëheqësit. I thurën shumë këngë Sali Berishës, shumë dedikuar ndërtimit të rrugës së kombit.
I thurën këngë Fatos Nanso e Ilir Metës. Në grackën e delirit, ra edhe ai që dukej më ekstravagand, Edi Rama. Më të fundit këngë ia kënduan ata të Lumit të Vlorës, aty në rrugë. Edhe ata për ndërtimin e rrugës.
Mesaduket në Shqipëri kënga kushton shumë lirë. Shqiptrarët i kanë kënduar edhe Sudes dhe Rrapush Xhaferrit, i kanë kënduar ministrave dhe deputetëve.
Në një tregim, Kadare, thotë se kënga kushton shtrenjtë dhe personazhit të tij iu desh të vritej që ti ngrihej një këngë. Por shqiptartët e kanë ulur fare pazarin tani.
Popull servil? I përulur, interesaxhi, a çfarë dreqin tia vësh emrin? Askund nuk u këndohet udheheqësve politikë si këtu. Dhe kujt, udhëheqësve që sot duhej të ishin në burg për çfarë kanë bërë në këtë vend.
Kur shikon sjelljen me politikanët, kupton se nuk ishte rastësi që në Shqipëri ishte instaluar diktatura më e egër, dhe ku burgjet mbusheshin me njerëz që ankoheshin në radhën e qumështi se skanë çtë hanë.
Kemi qenë dhe jemi në vetë që kontribojmë në ngritjen e kultit të individit dhe diktatorëve. Në fund të fundit cilit nuk do ti pëlqete që edhe të vidhte edhe ti ngrinin këngë?