Akis Tselentis është kthyer pa pikën e dyshimit në figurën më ndjellakeqe në Greqi, ku shquhet si “parashikues” i rënies së tërmeteve apokaliptike. Tselentis është sizmiologu grek emri i të cilit u lakua së fundmi në Shqipëri, fillmisht pas në një deklarate të presidentit të Republikës, Ilir Meta, që i referohej paralajmërimit të tij për një tërmet të fuqishëm në vend, në një raport drejtuar institucioneve shqiptare adekuate për menaxhimin e situatave të kësaj natyre.
Pas publikimit të bujshëm të këtij informacioni, që më së shumti u përqesh me qësendi nga eksponentë të mazhorancës në vazhdën e luftës Presidencë-Qeveri, profesori i Sizmologjisë në universitetin e Athinës, i kontaktuar nga mediat shqiptare, u ngut të përgënjeshtronte pretendimin e Metës. Ndërsa, ditët e fundit, kur si për profeci apo thjesht si rastësi fatlume, paralajmërimi i tij u konkretizua disi me rënien e disa tërmeteve të fuqishme me epiqendër në Durrës, Tselentis, njeriu që u kalli datën shqiptarëve, konfirmoi vërtetësinë e deklaratës së kreut të shtetit shqiptar, duke u shfajësuar për mohimin e mëparshëm, me arsyetimin se “të dhënat nuk duhet të bëheshin publike pasi mund të shkaktonin panik te qytetarët”.
Mirëpo, për të bërë një induksion, kush është në të vërtetë Tselentis, drejtori i Institutit të Gjeodinamikës në Observatorin Kombëtar të Athinës, si edhe drejtor i Qendrës Kombëtare të Cunamit, që në daljet e tij për mediat, heshton helenët që qendrojnë gjithë sy e veshë para ekranit të televizorit për të mësuar “parashikimin” e radhës.
Në 7 shtator të vitit 1999 Athina u trondit nga një tërmet 5.9 rihter, me 143 viktima dhe 1600 të plagosur, ndërsa dëmet materiale ishin të pallogaritshme. Atëherë, pedagogu i etur për famë, nuk reshtte së paralajmëruari për një tjetër tërmet më të fuqishëm, parashikim që doli bllof dhe shënoi një rënie të pakthim të besueshmërisë së tij. Më tej, në shkurt të vitit 2008, kur grupi i BAN bënte thirrje për lëkundje sizmike në Methoni, Tselentis hodhi poshtë alarmin, që në të vërtetë nuk rezultoi fals. Në fund të muajit shkurt, në Methoni kishte tërmet të fuqishëm 6,7 rihter, pa viktima.
Për çdo tërmet, që në Greqi janë të shumta, si vendi i parë sizmik në Europë, i gjashti në botë, populli pret “parashikimin” tradicional të radhës nga Akis Tselentis, videot në yuotube të të cilit marrin miliona klikime. Në vitin 2008, një paralajmërim për tërmet të madh në Achaia, detyroi kryetarin e Bashkisë së zonës të ngrejë padi kundër Tselentis për të qetësuar banorët e zonës. Tërmeti i parashikuar nuk ndodhi kurrë.
Në tetor të vitit 2016, pas tërmetit 6.5 rihter në Itali, Tselentis paralajmëronte se Greqia duhet të jetë në gatishmëri të plotë, pasi një episod i ngjashëm do të ndodhte edhe aty. “Këmbanat bien për tërmet të fuqishëm në Greqi. Ja dy zonat ku ka energji të mbledhur”, bënë bujë dhe ngjallën sërish panik deklaratat e sizmiologut.
Pa asnjë surprizë për të dhënat e vendit dhe të pllakës tektonike, në 13 qershor 2017, ishujt Lesbos dhe Chios shkunden mirë nga 6.1 rihter. Akis Tselentis nuk kishte arritur parashikimin e kësaj zone kaq të njohur për të tilla rihter, kështu që vendos të shfaqet në edicione lajmesh duke paralajmëruar se nuk ishte tërmeti kryesor dhe se lëkundje më e fuqishme sizmike pritet në vijim, njerëzit të jenë të vëmendshëm. Procesi passizmik u krye normalisht, pa asnjë tronditje të mëtejshme.
Këtë vit, në muajin mars, pas tërmetit 5.3 rihter në Fokida, në qytetin Galaxidi, Tselentis u shpreh në media se nëse nuk ka lëkundje passizmike 4.5 rihter, atëherë kini mendjen se po presim tërmet shumë më të fuqishëm brenda pak orëve ose ditëve. “Tërmeti më i fuqishëm” nuk ndodhi kurrë!
Ndërsa, këto ditë, pas bujës së madhe që shkaktuan deklaratat e tij, kryesisht në Shqipëri, detyroi të rishfaqet në media e të përgënjeshtrojë vetveten duke thënë se “30 herë më i fuqishëm në shkallën rihter do të thotë diku tek 6 rihter, asnjëherë nuk paralajmërova tërmet apokaliptik”.
Megjithë karrierën akademike, si dhe sistemin novator për parashikimin e tërmeteve “Arsis” që nën kujdesin e tij vazhdojnë eksperimentimet në universitetin e Kretës, Akis Tselentis konsiderohet paralelisht dhe si një “fyerje e komunitetit akademik të Greqisë” dhe si “person me psikoza”, për shkak të manisë të shfaqet në kamera, për të parashikuar katastrofën, ku në shumicën e rasteve, del bllof./lapsi.al