Home KRYESORE Sistemi i ri fiskal/Tabaku: Kosto shtesë të pajustifikuara për bizneset

Sistemi i ri fiskal/Tabaku: Kosto shtesë të pajustifikuara për bizneset

Sistemi i ri tatimor do të prodhojë kosto shtesë për bizneset dhe paqartësi ligjore sipas ish-deputetes Jorida Tabaku.

Në një shkrim në Facebook, Tabaku analizon tenderin e dhënë kompanisë kroate NEOS nga qeveria për implementimin e sistemi të ri të fiskalizimit. Tenderimi është bërë me formulën e partneritetit publik-privat dhe ka kushtuar 16 miliardë lekë.

E gjithë procedura sipas Tabakut ka lënë bizneset por edhe ministrinë në një vakum informacioni përsa i përket mënyrës se si do të funksionojë sistemi i ri.

“Përtej paqartësive ligjore që nisin nga mungesa e një legjislacioni e deri tek mungesa e protokolleve teknike për implementimin e programeve dhe gjuhën e implementimit, një tjetër problem për biznesin lidhet me koston e fshehur. Siç kuptohet transferimi i procedurave në një sistem do të thotë kosto për biznesin jo vetëm në blerjen e sistemeve apo adaptimet e tyre por edhe në koston e trajnimit të punonjësve të tyre” shkruan Tabaku.

Ish-deputetja deklaron se një nga kostot e fshehura të sistemit të ri do ti kushtojë bizneseve të paktën 43.800 lekë në vit. Kjo lidhet me “Firmën Dixhitale” e cila do të shoqërojë sistemin e ri fiskal.

“Qeveria Rama përmes VKM-së të datës 12/01/2018 do të përcaktonte krijimin e “Firmës Dixhitale” që do të vendosej brenda një USB Token, kjo firmë do të kishte vlerën e 7300 lekësh dhe do të ishte e vlefshme për 1 vit kalendarik…Sipas një përllogaritje të saktë dhe të thjeshtë për një biznes i cili ka 6 punonjës në kasë do t’i duhet minimalisht 6 USB Token (Frima Dixhitale) në vit për çdo vit. Kosto vjetore e këtij biznesi do të rritej me 43.800 lekë në vit” shkruan Tabaku.

Kjo kosto përveç se e fshehur sipas saj ka edhe probleme të tjera që hedhin dyshime për korrupsion.

“Në rastin e kroacisë kohëzgjatja e firmës dixhitale është 3 vjet dhe jo një vit siç është në rastin tonë. Biznesi do t’i duhet ta blejë këtë kasë që me gjasë do të jetë Monopol i AKEP (ky i fundit do ta marrë me tender nga një tjetër monopol) dhe kështu mbi 100 mijë biznese në Shqipëri do t’i duhet të nxjerrin para të tjera nga xhepi për të paguar koncesionet dhe tenderat e qeverisë. Por pa qenë të sigurt nëse këto USB Token (pra Firma Dixhitale) do të jenë të përdorshme edhe në kasat aktuale fiskale” shton Tabaku. /Opinion.al

3

Share: