Nga Nikollaq Neranxi*
“Popujt merren vesh më mirë se qeveritë”, -i tha Gramoz Ruçi, kryetar i Parlamentit, Ambasadores greke ne ikje, zonjës Eleni Sourani. Në fakt në rastin e Greqisë ky pohim është pjesërisht i vërtetë! Popujt padyshim kanë patur vazhdimisht marrëdhënie shumë të mira, ndërsa qeveritë i kanë patur akoma edhe më të mira! Nuk po flas këtu për pjesën që seriviret për konsum publik. Aty politika na shfaqet gjithnjë e trazuar, nervoze , ku notat nacionaliste teksa i drejtohen njëri tjetrit, japin efektin e pritshëm në turma.
Ashtu si në stadium, ku një gol ngre peshë patriotin me shume se sportdashësin, edhe politikanët grekë e shqiptarë, me fjalimet apo sjelljet e tyre “patriotike”, japin “ushqimin” qe pret publiku, por në fakt bëjnë gol në portat e interesit dhe përfitimeve të tyre personale.
Por a nuk është kjo një demagogji tashmë bajate dhe e konsumuar? Nuk janë pak, por plot 30 vite që skenari është i njëjtë. Atëherë pse vazhdon akoma? Përgjigja është e thjeshtë: sepse ka akoma njerëz që i besojnë dhe keta jane kryesisht himariote!
Se çfarë përmasash ka mashtrimi dhe hipokrizia e kësaj loje te ndyrë, e pashë dhe provova në vetë, gjatë kohës që po luftonim në Himarë për pronat e grabitura. Siç e dini shumica e himariotëve kanë pasaporta greke. Si qytetarë të atij vendi, ata këmbëngulnin që të drejtën e tyre mbi pronën, ta kërkonin tek shteti grek meqë përpjekjet këtu ishin të dështuara, unë këmbëngulja që të vijonim t’i kërkonim tek shteti shqiptar.
Arsyeja që himariotët ishin të bindur që hallin e tyre do ja zgjidhte Greqia, ishte se segmente të veçanta të politikës greke, ia premtonin këtë himariotëve. Madje ju i keni parë sesi kërcënojnë nga Athina se; “Askush nuk do guxojë t’i prekë pronat e himariotëve!!!” Nga ana tjetër, Omonia, një organizatë mercenare, e paguar për të mashtruar himariotët, ka ndjekur gjithnjë politikën, se për pronat vetëm Greqia do ju ndihmojë, duke vënë në gjumë dhe duke përçarë popullin e Himarës.
Ambasadorja në ikje, Eleni Sourani të cilën pata rastin ta njoh nga afër, kërkonte në çdo moment t’i impononte himariotëve vullnetin e saj. T’ju tregoj një rast të tetorit të vitit 2017 për të cilin jeni njohur në media. Pasi himariotët protestuan me muaj të tërë për pronat, në Himarë vendosin të vijnë në takim me popullin, ish ministrat Gjiknuri dhe Kumbaro. Qëllimi ishte që të dukej në publik sikur qeveria po negocionte me popullin për të gjetur një zgjidhje. Ne vendosëm të mos e pranonim këtë farsë dhe t’i përzinim ministrat. Atë ditë zonja Sourani, më ka marrë mbi 20 herë në telefon duke mu lutur që të qetësoja popullin dhe të lejonim takimin me minstrat. Ishte një ndërhyrje e çuditshme, dhe në koordinim të plotë me qeverinë. Ministrat na premtuan hapje urgjente të një zyre në Himarë për hipotekimin e pronave, gjë e cila siç e kishim parashikuar, nuk ndodhi kurrë. Si dhe na dhanë fjalën, që ndërkohë, asnjë punë publike nuk do bëhej në toka private të pahipotekuara.
Nuk kaloi shumë kohë dhe në Himarë erdhën fadromat e firmës Gjikuria. Kishin fituar tenderin dhe filluan punën në toka private. Gjikuria nga tregoi një dokument ku për fillimin e punimeve kishin firmosur anëtarë të Omonias, ndërsa Omonia nga ana tjetër, pohonte se firmat i kishte vendosur pasi ishte konsultuar me ambasadoren greke!!!
I shqetësuar për këtë situatë, në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës per Mbrojtjen e Shtëpive, Pronave, Historisë dhe Kulturës Himarë, i bëra një letër të hapur Souranit, ku i kërkoja në emër të popullit të Himarës, që të sqaronte pozicionin e saj në këtë histori. Edhe pse i detyrohej një shpjegim himariotëve, ajo nuk e bëri. Arsyen e kuptoni vetë…. Gjatë viteve që ajo shërbeu si Ambasadore, vjedhja e pronave në bregdet, eci me hapa më të shpejtë, ndërkohë që në ikje, Presidenti Ilir Meta e dekoroi me urdhrin Skënderbeu, për kontributin e dhënë në integrimin e Shqipërisë në BE. Në fakt, të vetmen dekoratë që ajo mund të merrte në Shqipëri, ishte ai me motivacionin: për kontributin e dhënë për integrimin dhe instalimin përfundimtar të grabitësve këtej e përtej kufirit, në tokat e grabitura në bregdetin e jugut.
Prandaj Ruçi thotë gjysëm të vërtetë ose gjysëm gënjeshtër kur pohon që popujt merren vesh më mirë se qeveritë tona. Qeveritë shqiptare dhe greke janë marrë vesh për bukuri në çdo kohë, larg syve të publikut, në tavolinat e pazareve të tyre, për të përfituar vetëm ata, jo populli. Prandaj sot Himara po ndahet si plaçkë, me bekimin e të gjithëve, përfshirë edhe Souranin.
Nikollaq Neranxi (Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Historisë dhge Kulturës, Himarë)