Home KRYESORE SPAK para sfidës; “Ndiq investimin, të zbulosh krimin”!

SPAK para sfidës; “Ndiq investimin, të zbulosh krimin”!

Nga Nikollaq Neranxi

Ditët e fundit, Ambasada Amerikane në Shqipëri, ka intensifikuar dhënien e informacioneve të detajuara mbi Reformën në Drejtësi. Me një grafikë shumë tërheqëse dhe shpjegim të thjeshtë, ndër të tjera, ky institucion është kujdesur të sigurojë shqiptarët, se ky proces nuk ka asnjë shans të deformohet apo më keq akoma, të korruptohet, sepse SHBA dhe BE e mbikqyrin atë në çdo moment dhe në çdo hallkë të saj.

Ata kanë vijuar duke na siguruar se ashtu siç nxorrën nga sistemi i drejtësisë 50 gjykatës e prokurorë, ashtu do të hetohen dhe ndiqen penalisht, politikanë, funksionarë të lartë shtetërore dhe anëtarë të krimit të organizuar.

Këtë do ta bëjë SPAK, (njësa e posaçme antikorrupsion) e cila po konstituohet këto ditë, madje me ritme të shpejta, e kërkuar kjo me insistim nga amerikanët si dhe do gjykohen nga Gjykata Speciale.

Pra javët në vijim do të jenë të ethshme jo vetëm për faktin se ne po presim një “po” për çeljen e negociatave me BE në tetor, por sepse me ngritjen e SPAK, fillon hetimi dhe më pas dënimi i peshqve të mëdhenj.

Pra, me këto që na thonë, i bie që për pak javë, shqiptarët të jenë dëshmitarë të një momenti historik, të cilin kanë 30 vite që e presin, madje kishin humbur besimin se do të ndodhte. Nga ky moment, lind drita e shpresës se ky vend më në fund do të ecë në shinat e normalitetit, ku ka drejtësi sociale dhe shkohet drejt progresit të sigurtë.

Edhe pse Ambasada Amerikane ka njoftuar se do të ketë të tjera video shpjeguese, përsëri padurimi për ta parë sa më shpejt këtë proces, me çon të bëj disa pyetje apo të kem disa paqartësi dhe dilema.

Një nga dilemat është:

Edhe pse reforma në drejtësi është një investim gjigand perëndimor dhe ata duket që e kanë seriozisht që ta fusin këtë vend në shinat e duhura, a do arrijnë të presin të gjitha tentakulat e një korrupsioni galopant që ka marrë peng këtë vend?

Pyetja tjetër që besoj të gjithë e bëjmë është:

Këta politikanë dhe funksionarë të lartë shtetërorë, që ashtu si gjyqtarët dhe prokurorët do kapen me pasuri të pajustifikuara, thjesht do humbin të drejtën për të pasur funksione shtetërore dhe do shkojnë në shtëpi të prishin milionat e tyre apo do iu konfiskohet pasuria dhe do dënohen? Kjo pyetje bëhet sepse shumë po flitet se politikanët e korruptuar kanë kohë që po negociojnë amnistinë e tyre që të ruajnë paratë.

Ndërsa pyetja e fundit ka të bëjë me nevojën po kaq urgjente të një Vetingu në ekonomi:

E thënë ndryshe, a do hetohen dhe më pas të dënohen, sipërmarrësit e korruptuar, ata të cilët kanë krijuar biznese të dyshimta dhe mbi të gjitha, në gjithë këto vite, kanë shërbyer si lavatriçe e parave të korrupsionit në politikë, funksione shtetërore të tjera, në sistemin e drejtësisë dhe në qarqet kriminale të trafiqeve të drogës, armëve etj?

“Ndiq investimin, të zbulosh krimin!”, kjo do ishte rruga.

Si sipërmarrës prej 30 vitesh në treg, ju them me bindje se sipërmarrja private ka nevojë urgjente për vetting. Të gjithë ata sipërmarrës që si unë vendosin çdo ditë me mund dhe djersë, nga një tullë në ngrehinën e punës së tyre, jemi hasur jo rrallë me karshillëkun e një sipërmarrësi që lind nga hiçi, bën një investim me miliona euro dhe futet në garë me ty, në garë të pandershme, padyshim, madje tenton edhe të të sabotojë dhe të të nxjerrë nga tregu, sepse ai ka shtetin nga pas, ndërsa ti jo.

Dhe kjo situatë vjen pasi askush nuk investigon nga erdhi kapitali i tij fillestar? Kush e mbështet?

Unë në punën time kam patur rastin të njoh shumë të tillë! Ja t’ju tregoj një rast të freskët. Para pak ditësh, më njoftuan se duhet të lëshoj urgjent një dyqan, të cilin e kam marrë me qira. Pronari i dyqanit, më tha i frikësuar se nje i forte i kishte dhënë urdhër që dyqani duhej të boshtatisej sepse e donte ai, madje e kishte kërcënuar edhe me jetën e fëmijëve. Ky i forte, nga këta anonimët që gdhihen një ditë milionerë, do të zgjerojë barin që ka afër dyqanit tim, madje do marrë gjithë dyqanet e lagjes, dhe gjithçka do ta bëjë me forcë, me kërcënim, duke na treguar se shteti, ligji, gjykata, çdo gjë është ai.

Prandaj këtu SPAK, ka mjaft material për të hetuar, në mënyrë që në fund, të gjithë të kuptojmë se të kujt janë në fakt këto pasuri, kush i administron, kush i mbron?

Në këtë mënyrë, edhe ekonomia shqiptare më në fund do të marrë frymë lirisht dhe sipërmarrjet do të jenë në një garë të ndershme. Dhe më e rëndësishmja, të gjithë do të jenë të barabartë përpara ligjit.

Nikollaq Neranxi/ Opinion ne gazeten Panorama, 5 shtator 2019

Share: