Home KRYESORE Udhëtim epistolar në thesarin e vogël të Bregut Perëndimor!

Udhëtim epistolar në thesarin e vogël të Bregut Perëndimor!

Nga Gladiola Jorbus

30 korrik 2019 – Ora 16.30, mbërritja në Stromstrad. Sa shumë pulëbardha ulen përmbi çatitë e tij! Më duket sikur jam kredhur në një libër nordik dhe po shfletoj përralla të ndryshme për çdo ditë.

31 korrik 2019 – Po ndiej frymëmarrjen tënde Stromstad, në sinkronizim me habinë e syve të mi. Peizazhe të zhveshura bregdetare, me dallgë që përplasen në shkëmbinjtë, ku dielli nuk lëshon hije. Nga ana tjetër, oaza romantike midis pyjesh të gjelbëruar, buzë liqeneve të qeta. Lumë, park, natyrë idilike, mjellma, paqe; qytezë e bukur – gjithçka mund të gjesh tek ti.

1 gusht 2019 – Tashmë po i prek një nga një misteret e tua, që ditë pas dite, aq më shumë t’i dua. Graniti është një pasuri më vete për qytetin më verior të Suedisë Perëndimore. Me të janë ndërtuar rrugët dhe bulevardet e Buenos Airesit, ndaj graniti i Stromstadit ka udhëtuar që në fillimet e shekullit XX, drejt Amerikës Jugore.

2 gusht 2019 – Lundroj me anijen “Kosterbat” në Arkipelag, drejt ishujve të tij. Peizazhi dëshmon për aktivitetin vullkanik dhe pasojat e Epokës së Akullit. Në këto hapësira identifikohen 240 lloje zogjsh dhe mbi 6000 specie detare: peshq të ndryshëm, oktapodë, karkalecë, gjarpërinj uji, varietete koralesh, një univers i tërë ujor; 200 syresh prej të cilave janë krijesa unike në të gjithë botën.

Në këtë Park Kombëtar mund të shijosh mrekullitë e një natyre të virgjër. Ndërkohë mbi Skagerrakun e qetë (detin), anijet përshëndeten teksa mbushen e zbrazen me jetë.

3 gusht 2019 – Eksploroj pafundësisht këtë qytet, në ëdo skaj, në cdo skutë, në cdo cep; në mes të diellit, të shiut apo flladit të lehtë. Gunilla Sandin, Angela Dimcheva, Petruta Spanu, Sveza Daceva, Lise-Lotte, emrat e shokëve të mi më të rinj. Mes tyre ndihem kaq ngrohtë, ndihem si në shtëpi. Dhe nuk mund të lë pa përmendur përkthyesin dhe lëvruesin e gjuhës shqipe Ullmar Qvick i cili vazhdimisht interesohej për mua që nga Norrkoping-u.

4 gusht 2019 – Idem…Duke shkëmbyer biseda për traditat, artin, kulturën, letërsinë. Pakëz “shopping”, ndonjë souvenir dhe dhurata simbolike për të afërmit. Nuk mund të kthehesh duarbosh nga një udhëtim.
5 gusht 2019 – Idem…Shëtisim së bashku dhe ndajmë përshtypjet mes mikeshash, për gjithçka të re që po zbulojmë dhe na përfshin në vorbullën e saj. Skena spektakolare e bregdetit të Stromstadit është e duhura për të ushtruar hobi apo sporte të tilla si: noti, peshkimi, gjuetia dhe lundrimi me jaht.

Strömstad u bë një qytet i rëndësishëm transporti, në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, kur tregtia lulëzoi gjatë epokës së madhe të peshkimit të harengës. Druri, peshqit e tharë e harenga e kripur, ishin mallra të rëndësishme dhe disa anije të mëdha tregtare e kishin portin e Strömstadit si shtëpinë e tyre.

6 gusht 2019 – Stromstad, ti nuk resht së më surprizuari me artistët e tu dhe galeritë, me natyrën piktoreske dhe ritualin e makiatos, te “Mellow” në mesditë. Një nga ekspozitat më impresionuese që kishte shëtitur në Rusi, Shtetet e Bashkuara, Poloni, Francë etj., dhe mbante titullin Kafasha te njeriu – Njeriu te kafsha u shfaq dhe në Stromstad gjatë muajit gusht. Ishte shumë interesant sesi koncepti i bashkëjetesës dhe dualizmit të qenies ishte perceptuar nga piktorët e skulptorët e talentuar suedezë si: Ernst Billgren, Lotta Hannerz, Roland Persson, Klara Kristalova, Linn Fernstrom, Amalia Arfelt.

7 gusht 2019 – Paepkegarden, kjo ndërtesë mban emrin e ndërtuesit të saj gjerman, që nga viti 1838. Ai ishte një pjekës dhe zotëronte këtë dyqan ushqimor. Karakteristikë për të janë shkallët e dyfishta prej graniti. Ndërkohë vijoj të botoj për këtë perlë që quhet Stromstad, për letërsinë e tij, për perspektivën gjinore dhe mitin e gruas në Suedi.

8 gusht 2019 – Sandefjord, një udhëtim-surprizë, mes peizazhesh mahnitëse, fjordesh e qiejsh nordikë. Në horizontin e paanë, duke udhëtuar drejt Norvegjisë, lutjet ndihen më shumë se kurrë, afër Perëndisë.

9 gusht 2019 – Stromstads museum och kvarnen, Muzeu i qytetit. Një ndërtesë e bukur me tulla e cila konsiderohet një gjurmë e rëndësishme kulturore – historike e epokës industriale.

10 gusht 2019 – Shëmbëllen me një rendez -vous romantike, takimi im i përditshëm me kompjuterin përballë dritares, në bibliotekë. Të buzëqeshura më mirëpresin bibliografet që punojnë si bletë. Më sillen me kaq dashamirësi, më llastojnë me biskota me xhenxhefil dhe më ftojnë për Fika në të famshmen “Kaffedoppet”, për të njohur fenomenin Inge Schioler (1908-1971) dhe pikturat e tij.

11 gusht 2019 – Idem…Miqtë e mi, Aida (e cila punon mësuese) dhe Arben Gripshi më shfaqin githnjë respekt në lokalin e tyre “Terrassen” mbi supermarketin COOP, sipas traditës shqiptare të mikpritjes që e mbartin me vete, si një ndër vlerat më të mira të kulturës sonë.

12 gusht 2019 – Njoh vazhdimisht njerëz të këndshëm, që më përshëndesin e më drejtohen me ëmbëlsi; dihet që alfabeti i zemrës në të gjithë botën, është vetëm nji (një). Mania e epokës digjitale: shkrepje, vetëshkrepje dhe fotografi pafund. Ah, kjo erë e marrë flokët ç’po m’i shpupuris!

13 gusht 2019 – Stromstad Kyrka, Kisha antike e Stromstadit daton që në vitin 1768. Për fat të keq u dogj në vitin 1816. E rindërtuar përsëri në vitin 1820, sipas një stili arkitekturor neoklasik, është një tempull kulti, ku mund të lehtësosh shpirtin dhe të mposhtësh trishtimin. Në të mund të gjejnë veten besimtarët luterianë vendas, katolikë dhe ortodoksë, me ikona dhe altarin që u përkasin secilës përkatësi fetare. Secili mund t’i lutet Zotit sipas mënyrës së tij dhe të ndezë qirinj. Tolerancë dhe diversitet në religjion.

14 gusht 2019 – Në sheshin kryesor ngrihet Torget, dogana e vjetër e Stromstadit, një ndërtesë e vjetër, e vitit 1901, e realizuar për hir të mbretit Oscar II, që të mund të ankoronte anijen e tij “Drott”, kur të vizitonte qytetin, i cili që prej vitit 1658, i përkiste mbretërisë së tij.

15 gusht 2019 – Laholmen, një zonë e vjetër e cila deri në vitin 1860 lidhej me pjesën kryesore të qytetit, përmes një ure të vogël. Shëtitorja e sotme është realizuar në mënyrë që njerëzit të bëjnë banjo dielli, të lahen dhe mbi të gjitha të shijojnë ajrin e pastër për të cilin Stromstadi shquhet aq shumë. Aty gjendet dhe memoriali që simbolizon fitoren në betejën e datës 8 korrik 1717, ndërmjet Suedisë dhe unionit Danezo -Norvegjeze, admirali Tordenskjold.

16 gusht 2019 – Kallbadhusset, ndërtesa e cila ka një kuvertë, sauna dhe kullën e zhytjes; është e hapur për të gjithë që në korrik të vitit 2005. Të gjithë të apasionuarit pas notit dhe zhytjes mund të shfrytëzojnë përgjatë gjithë vitit këtë hapësirë të bukur.

Ajo pozicionohet në natyrë, nëLaholmen, në qendër të Strömstadit. Mund të shijosh një zhytje të freskët në mëngjes dhe mund të notosh sa herë që të duash. Ky është një vend i shkëlqyeshëm për not dhe diell! Sauna, kuvertë për të marrë rreze, kullë zhytjeje, dhoma ndërrimi dhe një dush me ujë të ëmbël janë vënë në dispozicion. Një sauna në një mbrëmje të ftohtë vjeshte, e ndjekur nga një zhytje freskuese në det është një mënyrë për të rritur me të vërtetë cilësinë e jetës suaj dhe kjo ishte një alternativë që banorët e zonës e kishin përqafuar.

17 gusht 2019 – Porten mot vaster, një skulpturë rreth 4.10 m e lartë. Është punuar nga artisti Claes Hake. Ajo simbolizon një derë me drejtim nga perëndimi dhe ishujt Koster.

18 gusht 2019 – Oscarplatsen, ky shesh i vogël ka marrë këtë emër në vitin 1887, pasi mbreti Oscar II, vizitoi Stromstadin me familjen e tij. Në qendër të këtij parku gjendet një statujë bronzi, që mban firmën e Bo Darnell dhe përfaqëson krijuesit e “Valsit Koster”. Gjithashtu në anën perëndimore të parkut gjendet stema e qytetit e realizuar në granit.

19 gusht 2019 – Stromstad badanstalt, pishina e Sromstadit u ndërtua në vitin 1909. Një pjesë e arkitekturës së saj i përket stilit Art Nouveau. Konsiderohej njëri ndër hollet e notit më modern të Evropës. Ndërtesa aktuale është rindërtuar në vitin 1976.

Strömstad është një nga vendpushimet më të vjetra spa të Suedisë. Nuk është e qartë saktësisht se kur vizitorët e parë të banjave arritën në qytet, por dihet me siguri se njerëzit shfrytëzonin ujërat e Lejonkällan-it (Pusi i Luanit) në 1782. Mendohej se uji mineral që vinte nga ky pus shërbente për të kuruar sëmundje si epilepsia, paraliza, reumatizma, etj.

20 gusht 2019 – Societethusset, shtëpia e shoqërisë së lartë. Meqë ky qytet i kushtonte rëndësi shëndetit dhe mirëqenies fizike, atëherë duhej të krijohej dhe një ambient ku miqtë të mund të argëtoheshin. Ndërtesa mondane u ndërtua në vitin 1835, por u përfshi në flakët e zjarrit që përpiu Stromstadin në vitin 1876. Pas një viti, ajo u rindërtua dhe kishte pistën më të madhe të vallëzimit në Bregun Perëndimor suedez.

Kënaqem kur këto kuriozitete i ndaj me miqtë e mi Sokol dhe Sabrije Demakun që kanë ardhur të më vzitojnë nga Borasi.
21 gusht 2019 – Emilie Flygare-Carlen, shkrimtarja nga Stromstadi. Një bust i bronztë, i rrethuar nga qindra lule shumëngjyrëshe i kushtohet figurës së asaj që shkroi për qytetin, peshkatarët, piratët, kontrabandistët dhe misteret e tij. Emili kreu revolucion në letërsi, duke thyer tabu dhe duke i veshur romanet e saj me emancipim e magji.

22 gusht 2019 – Stadsparken. Që prej vitit 1961, ky park i bukur hijeshohet nga skulptura e Curt Hanssonit “Vastkustflickan” dhe mjeshtëria e tij. Gjatë sezonit turistik mund të qëndrosh deri vonë, duke dëgjuar grupet muzikore të këndojnë for free (falas).

23 gusht 2019 – Stromstadstation, shtëpia e qytetit. Një ndërtesë unike dhe kolosale prej graniti, një memorial kushtuar prindërve të financuesit të saj Fritijof Cavalli-Holmgren. Ajo mbështetet në simbolikën e numrave që lidhen me datat e rëndësishme të familjes së dhuruesit monetar të saj.

24 gusht 2019 – Bukten. Në qendër të thesarit të vogël të Bregut Perëndimor mund të shohësh ndërtesa që u përkasin epokave të ndryshme historike dhe datojnë nga shekulli XIX e deri në ditët tona. Kjo zonë e rrallë qëndron pranë stacionit të trenit dhe të autobusave të qytetit, i cili që nga viti 1986 është shndërruar në njërën nga ndërtesat më të mbrojtura në Suedi. Buktegatan është rruga e vetme e mbetur me kalldrëm në Strömstad.

Sipas legjendës lokale, gratë që jetonin në shtëpitë përgjatë rrugës i kanë bartur vetë gurët. Kjo rrugë është ndërtuar më shumë se 100 vjet më parë. Në atë kohë, vendasit mbanin lopë dhe derra si kafshë shtëpiake. Ata kishin fushat e tyre të cilat shtriheshin duke filluar që nga ndërtesa aktuale e bibliotekës. Fushat e perimeve ishin të vendosura atje ku gjenden sot shtëpitë përballë stacionit hekurudhor, si dhe në zona të tjera me pamje nga deti.

25 gusht 2019 – Stromstad, mund të të cilësosh kaq shumë vlera, ndaj jo pa shkak, në vitin 1718 konsideroheshe si kryeqyteti i Suedisë, pikërisht në periudhën, kur vendi drejtohej nga Mbreti autokrat Karli XII, në vitet 1697 -1718, i cili ishte tejet i dhënë pas fushatave ushtarake.

Meqenëse në vitin 1718, Karli XII ai do të niste sulmin kundër Norvegjisë, zgjodhi të vendoste shtabin e përgjithshëm në qytetin e Stromstadit, kështu thesari i Bregut Perëndimor u shndërrua në një kryeqendër të vogël.

Fundnumërimi: Tashmë ndihemi një, unë dhe ti. Kudo: në rrugë, në muze, buzë detit, në park, në bibliotekë apo në shtëpi. Mik i shtrenjtë, më duhet të të them: “Stromstad, mirëmbetsh tani!”.

26 gusht 2019 – Udhëtoj me tren drejt Goteborgut, për të vajtur në bibliotekën e tij, të takoj njerëzit e librit, të poezisë dhe mbi të gjitha miqtë e mi: Anna Mattsson, Kristin Bjarnadottir, Louise Harvalsdsson, Diellza e Jeton Partini, Bahtir Latifi, në Bibliotekën Gotaplatsen 3, më të madhen e qytetit më presin me dashuri. Të qenit mes tyre gjithnjë më ka falur ëndje e kënaqësi.

27 gusht 2019 – Aeroporti Landveter. Rikthimi në vendlindje, pranë familjes e të dashurve të mi, aty ku shpirti mbushet me aromën e tokës, të detit dhe të rrënjëve të tij.

Share: