Home KRYESORE VITI LAKURIQ! Nga Boris Pilniak

VITI LAKURIQ! Nga Boris Pilniak

(Pjesë e shkëputur nga libri) Përktheu M. Xhepa

Heshtjen prej varri e thyen krisma çizmesh në korridor. Brenda hyri Ivan Koloturov, Kryetari, me pallto të madhe, revolver në brez–Ivan Koloturov-Kononov:–kishin luajtur bashkë në djelmëri, atëherë një muzhik mendjekthjellët, kursimtar e tepër punëtor. I dorëzoi një letër në heshtje, u tërhoq dhe ndali në mesin e dhomës.
Në të ishte shtypur:

“Pronarit të pasurive, Ordinin. Komiteti i Fshatarëve të Varfër i Çemoretskit urdhëron të lirohet menjëherë prona Sovjete e Poreçies dhe gjithçka brenda kufijve të saj.
Kryetari Iv. Koloturov”.

“Mirë, atëherë! Do të largohem në mbrëmje”.
“Nuk do të kesh kalë”!
“Iki në këmbë”.
“Si ta shohësh! Dhe nuk do të marrësh gjë me vete”!–U kthye, qëndroi me shpinë, u mendua për një çast, pastaj doli jashtë.
Pikërisht atëherë ora trokiti tre të katërtat–vepër arti e Kuvaldinit, artizan i shekullit tetëmbëdhjetë, dikur e varur në pallatin e Kremlinit në Moskë, ishte endur nëpër Kaukaze me Princeshën Vadkovski–sa shumë do të ketë trokitur “tik-tak” për të marrë me vete dy shekuj të tërë?–U ul pranë dritares, treti shikimin jashtë–në parkun e rralluar, qëndroi pa lëvizur përreth një orë, me byrrylat mbështetur mbi parvazën e mermertë, zhytur thellë në kujtime. Ëndërrimin ia ndërpreu Koloturovi–u kthye i heshtur, shoqërohej nga dy të rinj, kaluan përpara tij, drejt e në bibliotekë, pafolur u përpoqën të ngrejnë tavolinën e madhe, ajo kërciti.
U ngrit, nxitoi. Hodhi pallton e bollshme angleze krahëve, vuri borsalinon, përshkoi verandën, shkeli mbi gjethet shushuruese të lëndinës, la pas stallat, punishten e alkoolit, zbriti poshtë një gryke të thellë, u ngjit në anën tjetër, drejt Shën Nikollas, filloi të ndjejë lodhje, vendosi të ecë pa nxituar–të bënte tridhjetë kilometra, ishte hera e parë që vinte në këmbë. Sa e thjeshtë është në thelb çdo gjë–mendoi–dhe–sa tmerruese në thjeshtësinë e saj!
Dielli tashmë i strukur në tokë e kishte ndezur Perëndimin në flakë. Laraskat, si dasmorët e fundit, fluturonin duke ia lënë vendin heshtjes vjeshtore që pllakoste stepën ngadalë. Nata nxitimthi ra e plotë, e zezë. Yjet ndritën kupën e qiellore. I qetë, me hap të matur, ecte përgjatë rrugëve të zbrazura të stepës. Ishte e para herë në jetë të përshkonte vendin aq i lehtësuar, pa asgjë me vete dhe duke mos e ditur përku apo përse. Larg, pranë kasolleve, në pjesën e veçuar të fermës, filluan të lehin qentë. Nata, e errët, e heshtur, mbuloi tokën me ngricë të fortë.
Dymbëdhjetë kilometra i bëri i shkujdesur, i humbur, pastaj ndaloi për pak–të lidhte sërish çizmet e liruara–por, menjëherë ndjeu lodhje dërrmuese, këmbët nisën t’i dhembin–brenda një dite kishte përshkuar dyzet kilometra. Përpara shtrihej fshati Makhmitka–në rini, dikur student, e kishte bërë zakon të udhëtonte për këtu, takohej me gruan e një ushtari, fshehurazi–tani nuk mund të shkonte tek ajo–kurrë, për asgjë, i robëruar! Fshati i shtrirë njësh me tokën, i ngjeshur me mullarë të mëdhej kashte, kundërmonte aromë gruri e erë plehu. Nga rrethinat, duke lehur, qentë si nga një pako e tërë sferash të zeza u derdhën tek këmbët.
Përshkoi lagjen Mordvinian, në pjesën ruse trokiti në dritaren e kasolles parë, brenda digjej një pishtar–në mbarim. Nuk u përgjigjen menjëherë.
“Kush guxon”?
“Më pranoni brenda, o njerëz të mirë, vetëm për natën”!
“Po, kush je ti”?
“Një udhëtar”.
“Mirë, ja erdha”.
Jashtë u shfaq një muzhik me pantallona rozë, zbathur, pishtarin që digjej e mbante lart, i hodhi sytë i përqëndruar.
“Një Princ! Shkëlqesia Juaj! Me të vërtetë për këtë keni ardhur…? Hyni brenda, atëherë”!
Erë bloze e plehu mbretëronte, i shtruan kashtë përtokë, një deng të tërë, nga ku filloi të çërpojë një bulk.
“Shtrihuni, Princ! Gjum të ëmbël”!
Muzhiku psherëtiu dhe u ngjit mbi furrë. Fshataria, gruaja e tij, i pëshpëriti diçka në vesh, muzhiku mallkoi, me zë të lartë tha:
“Princ! Nesër, pazbardhur, largohuni pa u parë. Ju e dini mirë, janë kohë të trazuara, dhe… Pronarët duhen shfarosur”.

(Pjesë e shkëputur nga libri)
Përktheu M. Xhepa

Share: