Home KRYESORE Ballkanizimi i liderëve europianë?!

Ballkanizimi i liderëve europianë?!

Nga Emin Azemi

Me daljen e Britanisë së Madhe nga BE dhe me largimin pas disa muajve të Angela Merkektit nga drejtimi i Qeverisë gjermane, në Europë po mbetet njëfarë boshllëku në pikëpamje të liderizmit. Ai që po pretendon ta mbush këtë boshllëk është Presidenti francez, Manuel Macron. Por kjo ambicje e tij popërplaset mbi kurrizin e disa shteteve që po presin datë për fillimin e negociatave me BE-në. Si duket Maqedonia dhe Shqipëria po e paguajnë pak më trashë matematikën e kësaj ambicje të Macronit.

BE definitivisht po tregohet se nuk ka ndonjë konsistencë sa i përket politikave të zgjerimit, për arsye se qëndrimet e fundit të Manuel Macron nuk kanë të bëjnë fare me filozofinë mbi të cilën është themeluar BE, por edhe mbi dokumentet e miratuara më vonë në Lisbon, Kopehagë, Selanik etj., e më së paku me ndonjë kriter që duhet të merret për bazë sa i përket Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Macron duke dashur të imponohet si lider i ardhshëm i Europës, po i djeg kartat europianiste të vetë BE-së, i cili po kërkon disa reforma të veta që ai po i përkthen si të domosdoshme për vetë anëtarët e BE-së.

Se Macron nuk është i sinqert në qëndrimete tij sa i përket rezervave që ka ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë, tregon edhe gatishmëria e tij për të lëshuar pe me kusht nëse Gjermania i pranon idetë e tij për reformimin e BE-së!

Pra Macron nuk e ka hallin te ideja që edhe Ballkani të Europianizohet, por mendjen e ka te futja në deriçkë të objektivave franceze në gjithë politikat e BE-së, përfshi,parasegjithash, financat dhe kalkimet buxhetore në Eurozonë (krijimin e njëfarë FMN europiane), çështja ndaj refugjatëve, disa kritere shtesë në politikln e jashtme etj.

Çdo lider si Manuel Macron që i jep kaq shumë zjarr stufës së tij për të ngrohur të tjerët, tregon se brenda e ka shumë ftoft.

Jelekverdhët dhe lëvizjet e shumta qytetare në Francë mendojnë krejt ndryshe nga Macron dhe ky i fundit synon që përmes forcimit të autoritetit në planin e jashtëm europian, të imponohet edhe brenda si lider i unitetit kombëtar.

Lider të tillë në të kaluarën kemi parë edhe këndej pari nëpër Ballkan, por fundi i tyre aspak nuk ka qenë i lavdishëm.

Të presim e të shohim çka do të ndodhë me ballkanizimin e liderëve europianë??!!

(e.a)

(Pjesë nga editoriali i radhës)

Share: