Home KRYESORE Hahn shfajëson qeverinë: Vendimi si pasojë e dinamikave të brendshme

Hahn shfajëson qeverinë: Vendimi si pasojë e dinamikave të brendshme

Komisioneri në ikje për Zgjerimin në Bashkimin Europian është treguar diplomat deri në fund të mandatit të tij që përfundon në fund të tetorit. Ai është takuar në Bruksel me kryeministrin Rama në kuadër të samitit të BE-së dhe ka bërë “qokën” e fundit duke thënë se nëse Shqipërisë nuk do ti çelen negociatat atëherë kjo nuk vjen si pasojë e qeverisë por e dinamikave të brendshme të unionit.

Hahn theksoi gjithashtu se Shqipëria i ka përmbushur detyrimet dhe se kjo është e rëndësishme të kuptohet nga qytetarët shqiptarë.

“Ne e konfirmojmë që Shqipëria i ka përmbushur detyrimet. Kishim një marrëveshje bazuar mbi një vendim unanim të të gjithë vendeve anëtare për 5 prioritetet kyçe, mbi të cilat përpiluam një vlerësim vjet, përsëri këtë vit bëmë një vlerësim dhe rekomanduam këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, që të nisin negociatat. Nëse nuk ndodh sot, sepse është agjenda e Këshillit Europian, nuk do ishte për ndonjë dështim të Shqipërisë, apo qeverisë së vendit. Është një çështje që lidhet me dinamikat e brendshme të Europës dhe mendoj që është e rëndësishme që ta dinë qytetarët e Shqipërisë këtë. Do doja vetëm të inkurajoja qeverinë të vazhdojë me reformat që po zhvillojnë, sepse është në interes të qytetarëve shqiptarë. Nuk bëhet për të na kënaqur ne. Përsa i përket Komisionit Europian, ne jemi jashtëzakonisht të përkushtuar që të vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta, për të përmirësuar kushtet e jetesës në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri. Do të bëjmë gjithçka dhe shpresoj që sapo të zgjidhen problemet e brendshme të BE-së, të ketë një ndikim pozitiv edhe mbi anëtarësimin e rajonit” tha Hahn.

Kryeministri Rama tha se deklarata e komisionerit Hahn shpreh qartë që Shqipëria i ka bërë detyrat se saj dhe se reformat do të vazhdojnë pasi ato nuk bëhen sepse i kërkon Brukseli por për Shqipërinë.

“Zoti Hahn e shprehu fare qartë. Ne e kemi bërë atë që na është kërkuar. Po përtej faktit që çfarë kemi bërë ne dhe çfarë duhet të bëjmë, jemi në kushtet kur në Këshillin Europian diskutohet për çfarë duan, apo nuk duan të bëjnë vetë anëtarët e familjes për familjen e tyre, pasi dihet që një anëtar i rëndësishëm i familjes kërkon një qasje tjetër të të gjithë familjes ndaj këtij procesi. Kjo do të thotë që, nga njëra anë, ne duhet ta kuptojmë qartë këtë situatë dhe nga ana tjetër ta vazhdojmë procesin e reformës, sepse, siç e tha dhe Komisioneri, nuk i bëjmë pse po na i kërkon Brukseli, Londra, Parisi, apo Berlini, por i bëjmë sepse na i kërkon nevoja që t’u lemë fëmijëve tanë një Shqipëri europiane, me institucione demokratike, me një shtet institucional të së drejtës dhe një ekonomi me standarde të Bashkimit Europian”, tha Rama. /Opinion.al

Share: