Home KRYESORE Ku e çoi koha atë mbrëmje

Ku e çoi koha atë mbrëmje

Nga Sadik Bejko

Vetmi, jetimëri, pa të diela. Punë pa të kremte,
Një kufomë gjumi të ofronte çdo mbrëmje.
Erdhe ti…dhe ç’hir : zbuluam te vetja kaq ëndje
ne ashtu robër koti, pa të sotme, të nesërme.

Pa një zë dashuroheshe, guxoje: pa pritur ia behje.
Vreshtës m’u bënë trungjet e lagur portikë e qemere;
në truall, natën, nën makinë, në minus tre gradë…
dhe lumi e pemët ndizin luzma, yje, frymë e feksje,

ndër ato ujra e degë akulli, ti skalitur si në gdhendje;
mbi shkëmb, mbi gjeth e mund të kem thënë fjalët
më të ëmbla, më të ngrohtat fjalë të kësaj jete.
Arrati, arrati : në ashpërsi lakuriq – plot frymë e dhele.
.
S’kërkove gjë. U dhurove me krejt jetën tënde:
çdo puthje mund ish e fundit, pa brengë a hamendje.

Ktheja kokën pas: ku ma çoi koha këtë mbrëmje?

Share: