Home KRYESORE Negociatat, Rama del në konferencë

Negociatat, Rama del në konferencë

Kryeministri Edi Rama paralajmëron një konferencë me gazetarët këtë të premte orën 17:00. Në krah të tij do të jetë edhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Reagimi i shefit të qeverisë shqiptare vjen, pas refuzimit për hapjen e negociatave. Këshilli Europian nuk arriti një vendim në favor të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e bisedimeve për anëtarësim: kjo u bë e ditur nga Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, përmes një postimi në Twitter.

“Udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit europian dështuan të ishin në lartësinë e angazhimit të tyre për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në mbledhjen e Këshillit Europian”, shkroi Hahn, duke folur për një “zhgënjim ekstrem”. Sipas tij “Shtetet anëtare të BE-së duhet të sqarojnë se sa serioz është angazhimi i tyre për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”.

Komisioneri Hahn përsëriti deklaratat e tij të pak ditëve më parë pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, duke nënvizuar se “ky nuk është një moment lavdie për BE-në. Refuzimi për të njohur përparimin e faktuar, do të ketë pasoja negative, përfshirë rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me ndikim të plotë në BE”.

Komisioneri për Zgjerimin shkruan se “është përgjegjësia jonë tani të qëndrojmë me vendet, qytetarët e të cilëve janë me të drejtë, tejet të zhgënjyer. Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor është dhe mbetet një politikë e rëndësishme strategjike, në interesin tonë të ndërsjellë.

Vendimi për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u diskutua gjatë në dy ditët e mbledhjes së Këshillit Europian, por Presidenti francez Emmanuel Macron, nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij i prerë, ndonëse shumica dërrmuese e vendeve anëtare, me Gjermaninë në krye ishin për t’i thënë “Po” të dy vendeve qoftë edhe me kushte. / Opinion.al

Share: