Deputetja e “opozitës së re”, Rudina Hajdari, ka deklaruar në seancën plenare se ështe kërcënuar me jetë në zyrën e saj në Kuvend. Hajdari i kërkoi kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, që të merren masa përpara se të ketë ndonjë viktimë.
“Para pak ditësh u dërgova një shkresë për një kërkesë që të siguronia ambientet e Kuvendit dhe të Kryesisë. Nuk mund të ndodhë sot që deputetët të kërcënohen. E papranueshme që një femër të kërcënohet. Kam pasur raste që në zyrën time më kanë ardhur dhe më kanë kërcënuar. Ka ikur ajo kohë. Ju lutem, merrni masat para se të kemi ndonjë viktimë. Masat të jenë në kryesinë e kuvendit, asnjë deputet nuk duhet të hyjë pa u kontrolluar, të marrë të tjerë dhe të shantazhojë. Ju lutëm të merren masat.”- deklaroi Hajdari.
Ndërsa në përgjigje ndaj thirrjes së Hajdarit, Ruçi ka thënë se shkresa i është përcjellur ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ndërkohë pritet të merren masa për shqetësimin e ngritur.
“Zonja Hajdari, e kam marrë shkresën tuaj, punonjësit e sigurimit do të bëjnë detyrën. Nderkohe qe e kam përcjellë shkresen dhe sot mund t’i ketë vajtur ministrit të Brendshëm, qe pas kesaj të merren masat për të gjitha shqetësimet që keni ngritur në shkresën tuaj”- tha Ruçi.